Letër e hapur për Presidentin e ShBA-së, ekselencën së tij, Joseph Robinette Biden

Opinione

Letër e hapur për Presidentin e ShBA-së, ekselencën së tij, Joseph Robinette Biden

Nga: Hafiz Shala Më: 24 janar 2023 Në ora: 18:58
Autori Hafiz Shala

I nderuari dhe shumë i respektuari nga i gjithë kombi shqiptar, me theks të veçantë, nga ai Dardan (Kosovar), Presidenti Joe Biden.

Gjatë mandatit tuaj si Senator dhe Kryetar i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë në Senatin Amerikan, keni qenë njëri ndër avokuesit më të sinqertë dhe i drejtpërdrejtë ndaj padrejtësisë që ndodhte ndaj shqiptarëve të Dardanisë( Kosovës), nga regjimi i Millosheviqit.

Dihet se qëllimi i këtij krimineli ishte likuidimi i tyre fizik, ndërsa të mbijetuarit, të dëboheshin me dhunë nga tokat dhe shtëpitë e tyre stërgjyshore.

Në vitin 1998, në njërën nga seancat e Senatit, ju, e shfrytëzuat të drejtën tuaj si, çdo senator, i cili ka të lejuar që në çdo seancë sipas vlerësimit të tij dhe çështjen të cilën ai e konsideron emergjente ta trajtojë, e ka mundësinë në kohëzgjatje prej 3 minutash, të lobojë në çdo seancë të Senatit.

Ju, i nderuari tani President dhe njëri ndër njohësit më të mirë të çështjes së shqiptarëve në përgjithësi dhe të Dardanisë (Kosovës) në veçanti, dolët me propozim që, jo vetëm të bombardohen forcat ushtarake, policore e paramilitare serbe brenda territorit të Dardanisë ( Kosovës) por, drejtpërsëdrejti të bombardohet, Beogradi.

Pasi vendosa që të iu drejtohem me letër të hapur pasi, e kam pasur nderin dhe kënaqësinë që në kuadër të lobimit të jem me juve dhe afër jush, në takime, dëgjime (hiring) në sallat e Kongresit dhe Senatit rreth situatës së shkeljes së të drejtave të shqiptarëve, rreziku nga zhbërja dhe hapat të cilët duhet të mirren, gjithnjë keni qenë i gatshëm që të jeni në përkrahje të lobimit, i cili edhe rezultoi me sukses, duke nxjerrë Rezoluta të shumta.

Si lobist mbi 32 vjet që nga arritja e ime në këtë vend të kulmit të demokracisë, për dallim nga vendi i cili vi, komunist në kohën e Titos, i diktatorit nacional-shovenistë të kohës së Millosheviqit, përderisa ndaj këtij të fundit, deri në largimin tim, iu kundërvura me metodat demokratike perëndimore, veprime sindikale, përmes grevave, demonstratave dhe kundërshtimeve kundër suprimit të Autonomisë së vitit 1974 si më e avancuar deri atëherë, duke e vendosur “Kushtetutën e tankeve” dhe suprimimin e të gjitha të drejtave të shqiptarëve shumicë kundrejt asaj 4% të pakicës serbe. Segregacion i llojit të vetë.

Kam ushtruar detyrën drejtorit në tri( Organizata punuese)siç thuhet këtu në Amerikë, kompani dhe njeherit të oficerit rezervë komandues ushtarak në Fushë Kosovë, e populluar më numër të madh serbesh, që silleshin ngjashëm me serbet e sotëm në Mitrovicën e veriut.

Si rezultat, nga ai regjim, i pari nga drejtorët e asaj organizate punuese me afro 8000 punëtor bashka me të gjithë punëtorët tjerë të nacionalitetit shqiptar na larguan nga puna sepse, ne pamfletin të cilin e kishte përgatitur regjimi i Millosheviqit, kërkonin që, Serbinë ta njoftim si “shtetin tonë legjitim”.

Një dokument i tillë u refuzua në mënyrë kolektive dhe si rezultat ishte, largimi i të gjithëve nga puna, pastaj, mbyllja e shkollave e universiteteve, radiove e televizioneve, burgosje, vrasje e maltretime deri të agresioni usharako-policor në tërë territorin.

Pasi filloi hajka rreth burgosjes së oficerëve rezervë, atëhere vendosa që përkohësisht të largohesha, prandaj, kjo ishte arsyeja pse migrova në SHBA.

I nderuari President Biden, arsyeja kryesore pse po iu drejtohem me letër të hapur është se, bisedimet në mes të Dardanisë( Kosovës) dhe Serbisë të udhëhequr nga Bashkimi Evropian, e kanë marrë kahjën, jo vetëm të gabuar, por edhe shumë të rrezikshëm për të ardhmen e gjeneratave të reja të shtetit më të ri në Evropë dhe botë.

Arsyeja, favorizimi i Serbisë, agresore, shkaktare e katër luftërave në ish Jugosllavi, gjenocidi ndaj shqiptarëve i vitit 1999 ku ndërhyri NATO për ta shpëtuar një popull të tërë sepse, Ushtria Çlirimtare e Dardanisë (Kosovës) krenaria e kombit, nuk e kishte fuqinë të përballët më një soldatesk e cila e kishte përvetësuar të gjithë armatimin e ish ushtrisë Jugosllave.

Prandaj, kriza e fundit në veri dhe e gjithë kjo të krahasohet me viktimën, Dardaninë(Kosovën) ku, për fat të keq, u harruan krimet, u harruan viktimat e te gjitha moshave e gjinive, fëmijët e vrarë mbi 1600, mbi 20.000 gra të dhunuara dhe, mbajtja e mbetjeve mortore të mbi 1600 trupave nëpër varrezat masive, lumenjve e liqeve të Serbisë, duke mos i përfshirë trupat e djegura nëpër furrat e shkritoret e Trepçës dhe atyre në Serbi.

Zoti President, ne, nuk presim shumë nga Evropa e cila, që nga vitet 1844, 1878, 1912, 1913, 1919 e deri në vitin 1999, para syve të sajë, u dëbuan Shqiptarë nga tokat e tyre shekullore stërgjyshore, duke i sjellë deri në kufijtë e sotëm të stërzvogëluar të okupuar nga Serbia, ardhacakë nga shpellat e Karpateve të cilët kur arritën në këto treva, aty i gjeten prejardësit e shqiptarëve që jetonin dy mijë viteve më parë, nga iliro- pellazgët.

Duke i harruar të gjitha këto që iu ndodhën shqiptarëve, sot Serbia në vend se të trajtohet si shtet i cili ka bërë krime dhe gjenocid ndaj shqiptarëve, e cila, as që pendohet e kërkon falje, ajo, fatkeqësisht, po përkëdhelet e favorizohet, jo vetëm nga përfaqësuesit evropian, Josef Borrel e Mirosllav Laçak, të cilët për fatkeqësinë tonë, vijnë nga dy shtete mos njohëse tani, edhe nga i deleguari special i SHBA-ve për bisedime Dardani( Kosovë) -Serbi, zoti Gabriel Escobar, kur bëhet fjalë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i cili, për habinë time si qytetar i SHBA-ve, i cili, i dha ultimatum Kryeministrit të zgjedhur nga populli si e gjithë udhëheqja aktuale shumë unike, me mbi 50% të popullatës shumicë, për herë të parë në historinë tonë, duke iu drejtuar se, nëse ai nuk pajtohet ta formojë këtë ngrehinë- kancer në trupin e shtetit tonë, ai do ta formojë vet këtë Asociacion.

Zoti President, po ta dëgjoja këtë deklaratë nga zyrat e Kremlinit, nuk do të befasohesha sepse është shtet diktatorial, agresor e kriminal, por, assesi nga një përfaqësues i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në krye të te cilit jeni Ju.

Ta quash një Kryeministër “individ” dhe partinë e tij më të madhe, “grup”, në mënyrën më nënçmuese e poshtëruese, nëse e kam kuptua mirë, është absurd dhe e pa pranueshme.

I nderuari President, ndoshta ka nevojë qe t’i përcillni qëndrimet dhe veprimet e atyre që e përfaqësojnë politiken tuaj e cila, në këto rrethana, duhet ta ketë miratimin e Kongresit. Tek ne, zoti President, do të thoshin për kësi lloj rastesh: “mos po ua pinë duhanin tinëz”.

Zoti President, ju shumë mirë i njihni gënjeshtrat e Serbisë, nëse iu kujtohet kur e keni përzërë ambasadorin e Serbisë nga një emision të drejtpërdrejtë në CNN ku ishit bashkë me Senatorin tani të ndjerë e të respektuar, përkrahës i çështjes shqiptare, posaçërisht asaj dardane, John McCain, kur iu drejtuat me fjalë se, ai po gënjen dhe kërkuat qe ta largoni nga debati i nervozuar dhe i zhgënjyer.

Prandaj, kërkesat e Serbisë së Vuçiqit se, asociacione ka për qellim mbrojtjen e të drejtave të serbëve në veri, nuk qëndron asesi. Arsyeja kryesore dhe finale, është aneksimi i veriut.

Pse nuk behet një analizë nga një komisioni pavarur për të drejtat e pakicave serbe të cilët, nëse i kërkoni diku në rruzullin tokësor, asnjë pakicë nuk i gëzon të gjitha këto të drejta, deri të e drejta e vetos për t’i bllokuar çështjet me interes nacional.

Si mund të formohet një organ i tillë në kundërshtim me Kushtetutën e Dardanisë (Kosovës) dhe Marrëveshjen e Marthy Ahtisarit, e cila, si kusht për shpalljen e pavarësisë ka qenë, formimi i një shteti multietnik duke i përfshirë të gjitha pakicat. Prandaj, ashtu edhe ndodhi.

Një koncesion ndër shumë të tjerët, si deskriminim pozitiv, u bë nga populli për hir të paqes dhe stabilitetit.

Pse, zoti President kjo nuk merret në konsideratë, përderisa para palës tjetër, mbyllën sytë qe i bie se, po i mbyllni sytë para krimeve dhe gjakut të derdhur të rinjve dhe të rejave shqiptare, sot, martir e heronj.

Zoti President, një familje e tërë, Familja emblematike e heroike si ajo e Jasharajve ne rajonin e Drenicës, u flijuan i madh e vogël të gjithë anëtaret, 56, përfshirë edhe, gra, fëmijë, pleq e burra.

Tani, Serbia, kërkon Asociacion një etnik të komunave me shumicë serbe me kompetenca ekzekutive. JO, zoti President dhe kjo JO e madhe, vjen nga populli i cili, më fund do t’i qërojë hesapet me Serbinë njëherë e përgjithmonë sepse, nuk dëshiron e as nuk lejon që fëmijët e tyre përjetësisht të jenë nën robëri serbe.

Zoti President, dua t’ua bëjë një pyetje hipoteteike, por, ne kontekstin e ngjashëm me asociacionin.

Në SHBA, jetojnë 332 milion shtetas te kombësive të ndryshme sipas statistikave nga viti 2021.

Një ndër komunitete shumicë në SHBA, janë popullata spanjolle me mbi 61 milion banorë me 19% të popullatës se përgjithshme, të shpërndarë ne 342 qytete të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Tani, si do të pajtohesha dhe a do të pajtohet shteti amerikan, respektivisht Kongresi dhe Senati që, popullata spanjolle ta ketë një asociacion të tyre me kompetenca ekzekutive të cilët do ta kishin të drejtën e vetos kur janë në pyetje interesat nacionale amerikane.

Nëse, 342 qytete ti kenë përfaqësuesit e vetë më nga një anëtar, do të jenë 342 delegat të atij asociacioni, pak më pak se Kongresi Amerikan me 435 Kongresmen dhe 100 Senator.

A ka ndonjë logjik qe, një përfaqësues i Administratës suaj të flas në emër të Qeverisë legjitime dhe të popullit-sovranit, pa pëlqimin e tyre.

Siç deklarojë Kryeministri Kurti, Serbisë i interesojnë, parat evropiane, toleranca amerikane, armët e Rusisë e investimet e Kinës dhe, Ballkani i hapur me mbështetjen qoftë edhe ne heshtje të Shqipërisë.

Kompromiset po i kërkohen, gjithnjë viktimës, Dardanisë( Kosovës) e jo xhelatit, Serbisë.

Zoti President, nëse Kryeministri Kurti, e nxori të vërtetën e Serbisë dhe e zhveshi lakuriq para juve dhe evropianëve, u zbuluan lëshimet drastike anti kushtetuese e anti nacionale të ish udhëheqjes së Dardanisë (Kosovës), dhe pasi Albin Kurti i zbulojë politikat evropiane anti shqiptare të udhëhequra me shekuj, duke u sjellë sikur njerke ndaj tyre, nëse u zbuluan tentimet e ndarjes së Dardanisë ( Kosovës) nen Administratën e ish Presidentit Trump përmes të dërguarit të posaçëm për bisedimet me Serbinë, ish ambasadori Grenel, i cili, përmes puçit politik me ata të planit “B” siç po i quan sot zoti Escobar, e rrëzuan Kryeministrin Kurti, në vlugun e pandemisë gjë qe as armiku më i egër, këtë nuk do ta bënte, gjithashtu me ata të planit “B” të tij, për t’u rikthyer më i fuqishëm se asnjëhere më parë.

Si mund që një përfaqësues i Administratës të sillet si diktator kundër vullnetit të një populli. Në çka do të thirret zoti Escobar.

Ai, deklaron se Dardania( Kosova) ka vendosur për ketë.

Nëse mendon në Parlamentin e Dardanisë( Kosovës), të njëjtin nuk e ka ratifikuar Parlamenti serb dhe nuk mund të konsiderohet si punë e kryer.

Në cilin nen të kushtetutës do të thirren pesëshja apo, në nenin e fuqisë për të imponuar zgjidhje të pa pranueshme e te pa durueshme.

Zoti President, populli shqiptar i Dardanisë ( Kosovës) por i gjithë shqiptarisë, kurrë nuk do të pranojë që të jetojë nën tutorizmin dhe diktatin e Serbisë, për çfarëdo çmimi e kostoje.

Nuk besoj që ata të planit “B” siç po i quajnë ata, nëse janë shqiptar që ta nënshkruajnë një tradhti ndaj popullit dhe atdheut dhe të njëjtin ta marrin shumicën e votave, qoftë edhe me presione siç kanë vepruar në të kaluarën. Assesi.

Zoti President, shtrohet pyetja e thjeshtë dhe legjitime se, pse, gjithmonë paqja e siguria në rajon dhe më gjerë duhet të kalojë gjithmonë mbi kurrizin dhe dëmin e pa riparueshem të shqiptarëve.

Nëse jemi, e me siguri se jemi të vlefshëm si një popull më i vjetër me gjuhë e kulturë në Evropë, të vlefshëm për paqen e sigurinë, sepse, populli shqiptar kurrë nuk e sulmoi askënd, kurrë nuk pushtoi toka të huaja por, gjithmonë në mbrojtje ndaj grabitqarëve ruso-sllav, pse trajtohet në këtë mënyrë, pa kurrëfar respekti.

Dhe, definitivisht, zoti President, duke iu lutur në emër të viktimave të terrorit dhe gjenocidit serb, qe nga vitet 1844 e deri në vitin 1999, të ndërhyni duke kërkuar zgjedhje të drejtë në favor të viktimës dhe ta ndërprisni një padrejtësi historike me shekuj, në ketë rast, popullit shqiptar të Dardanisë (Kosovës), përndryshe, më një zgjidhje ku Serbia do të jetë dominuese dhe bllokuese një shtet sovran dhe të pavarur, paqe dhe stabilitet në mes të këtyre dy vendeve, kurrë nuk do të ketë.

Zoti President, më këto qëndrime, me vjen keq qe duhet ta shprehë brengën time dhe të popullit tim, besojë unë, por, kam frikë se po e leni një konflikt të përjetshëm të pa zgjedhur, në mes të këtyre dy popujve.

Nëse nuk ka zgjidhje në favor të viktimës, shqiptarët, për të mbijetuar, do t’ iu duhet pa tjetër të bashkohen në një shtet, i cili, do të jetë më i madhe se Serbia, Greqia dhe i të gjitha shteteve ballkanike si imponim për t’i përballuar apetitet hegjemoniste ruso-greko-sllave, të cilët sot jetojnë mbi tokat shqiptare të okupuara me shekuj.

Zoti President, siç e ceka në fillim, se Serbia ishte shkaktare e katër luftërave në ish Jugosllavi, e njëjta ishte shkaktare e Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore.

Shpresoj që t’i merrni në konsideratë shqetësimet dhe brengat e mia, të cilat, i ndanë edhe populli im i shumëvuajtur dhe të veni paqe përjetësisht për çka do iu jemi mirënjohës po ashtu edhe për blirimin nga Serbia okupatore e gjenocidale.

( Sqarim: Emërtimin e Kosovës më emrin origjinal historik Dardani, e bëra sepse, kjo duhet të ndryshohet pasi, emri Kosovë nuk është emër shqiptar, por emër i cili gjendet ne mbi 20 vendbanime të Republikave Socialiste Sovjetike dhe një në Poloni).

Sinqerisht,

Hafiz Shala

New York

PS: Autori është, Publicistë, Opinionist, autor i dy librave, ne përgatitje edhe të tretën dhe, Anëtar aktiv i Bordit Ekzekutiv i Ligës Qytetare Shqiptaro Amerikane më tepër se tri dekada.

Mendimi është personal

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat