Tërmeti i Mimikave

Opinione

Tërmeti i Mimikave

Nga: Bekim Rexhepi Më: 19 mars 2023 Në ora: 15:36
Bekim Rexhepi

Shqipëria nuk mund të sillet me Kosovën sikur ajo është Ukraina në luftën e saj kundrejt Rusisë, pra Shqipëria duhet të interesohet diplomatikisht në Botë kundrejt Serbisë sepse Serbia po e shfrytëzon me sukses të jashtëzakontë inferioritetin e Shqipërisë ndaj Kosovës dhe të drejtave të shqiptarëve në Serbi. Lufta më e madhe e Shqipërisë duhet të jetë për të drejtat e shqiptarëve në Serbi dhe diskriminimit të tyre vazhdimisht.

Le të besojmë pamjeve nga takimi i fundit në Ohër mes Kurtit dhe Vuqiqit, në masë të jashtëzakonshme ka një diferencë tektonike të tërmetit në mimikat e tyre në dridhjet që dha Ohëri.

Kryeministri i Kosovës siç e tha edhe vet nuk u frikësua nga tërmeti i marrëveshjes, madje ishte plotë i guximshëm për ta pranuar çoftë edhe draftimin e një marrëdhënie të re në lidhje më atë që po quhet Asociacion ose vetmenaxhim për serbet e Kosovës.

Në të dy termat: Asociacion dhe vetmenaxhim mungon esenca e draftimit të kompetencave dhe kjo do të mbetet në fuqinë e marrëveshjes që do të pranohet. Pranimi i marrëveshjës nuk mund të bëhet vetëm verbalisht i obligueshëm por domosdoshmërisht i nënshkruar në pranin ndërkombëtar sepse disa marrëveshje të mëhershme janë edhe janë nënshkruar, por nga ana e Serbisë janë gjithnjë anashkaluar duke mos u zbatuar në praktikë.

Pra, nuk mund të tolerohet obstruksioni i Serbisë vazhdimisht në lidhje me marrëveshjet e nënshkruara të cilat vetëm bëhen dhe nuk zbatohen më. Kjo praktikë duhet të marri fund, madje duhet bërë e ditur nga ndërkombëtarët që kjo metodë obstruktive e Serbisë nuk do të mund të tolerohet në të ardhmen. Kosova është e gatshme të bëjë punën e saj në pajtim me aktet e saja kushtetuese dhe me ato ndërkombëtare.

Paradoksalisht qëndron fakti në kompleksitetin që i epet strukturës nacionale në Kosovë, Shqiptarët janë shumicë të tjerët janë pakica solide por qe me planin e Ahtisarit Kosova juridikisht ka pranuar formën e shtetit si shtet multietnike, në këtë nuk ka nevojë të saldohet formati, por nuk mund të betonohet kompleksiteti i mëtejmë i një etnie të veçantë në këtë rast ai pakicës serbe që është ¾ % e popullatës së përgjithshme në Kosovë. Kjo strukturë komplekse është me e thellë në Serbi, por që në fakt mungon trysnia ndërkombëtare ndaj saj që ato të rishqyrtohen dhe të trajtohen me ligje dhe norma ndërkombëtare. Kjo trysni bëhet në Kosovë pavarësisht se në esencë është e rregulluar sipas të gjitha normave ndërkombëtare. Në Serbia pos heqjes së autonomisë për hungarezët e Vojvodinës, të drejtat e komuniteteve të tjera shkallmohen edhe më keq, shqiptarët edhe pse janë shumicë në disa komuna janë të privuar nga çdo e drejtë për tu vetmenaxhuar me të drejtat e tyre. Ndërsa Serbia të kundërtën e kësaj gjendje të saj e kërkon ta realizoj në Kosovë me komunitetin serb që ay të vetmenaxhohen edhe me ndonjë “autonomi politike”. Kjo s’mund të ndodh në Kosovë, pasi një gjë e tillë nuk mund të ndodhi as në Serbi.

“Nuk mund të marrësh pa jap, por edhe s’mund të japish edhe pa marr”. Nëse, Serbia do asociacion për serbet në veri të Kosovës, ahere duhet që pari ta krijoj për shqiptarët në Serbi një asociacion për Luginën. Ajo nuk është e interesuar që në dialog (të brendshëm apo të Jashtëm ) të të ketë reciprocitet me të drejtat e pakicave, ajo do të supërfuqizohet që të pengoi të tjerët në funksionimin e tyre dhe të tjerët të varen nga dëshira e stabilitetit që jap Serbia për ta. Pra, siç mund të shihet edhe në këtë proces të dialogut për marrëveshjen frako-gjermane, Serbia është e interesuar të instrumentalizoj të drejtat e serbëve në Kosovë përmes një asociacioni me kompetenca vendimmarrëse që nënkupton një autonomi dhe në anën tjetër të heshtë duke i pamundësuar dhe minimizuar të drejtat e shqiptarëve në Serbi. Këtë luks ndërkombëtar më nuk mund t’ia krijojmë këtë ngrehinë duhet çmontuar edhe Kosova edhe Shqipëria.

Shqipëria nuk mund të sillet me Kosovën sikur ajo është Ukraina në luftën e saj kundrejt Rusisë, pra Shqipëria duhet të interesohet diplomatikisht në Botë kundrejt Serbisë sepse Serbia po e shfrytëzon me sukses të jashtëzakontë inferioritetin e Shqipërisë ndaj Kosovës dhe të drejtave të shqiptarëve në Serbi. Lufta më e madhe e Shqipërisë duhet të jetë për të drejtat e shqiptarëve në Serbi dhe diskriminimit të tyre vazhdimisht. Pra, le të pamundësohet Serbia të favorizohet ndërkombëtarishtë që të mund të na disfunkësionalizoj përbrenda.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat