Aritmetika e gabuar diplomatike qeveritare

Opinione

Aritmetika e gabuar diplomatike qeveritare

Nga: Shaban Murati Më: 21 mars 2023 Në ora: 08:57
Shaban Murati

Nuk e dimë se kush ia shkruan fjalimet diplomatike kryeministrit të Shqipërisë, por në reagimin e tij diplomatik për takimin Vuçiç-Kurti në Ohër në 17 mars, lexuesi lexon:

“…një pranverë të shumëpritur në marrëdhëniet mes dy kombeve më të mëdha të Ballkanit”. (Agjencia zyrtare e lajmeve e Shqipërisë, ATSH, 19 mars 2023).

Nuk e dimë se çfare aritmetike ka mësuar ai apo ajo, që i shkruan fjalimet diplomatike kryeministrit të Shqipërisë, por ndoshta jeton me të dhënat antike arkivore dhe i duket se Shqipëria është në kohën e para Luftës së Dytë Botërore, kur 98 përqind e popullsisë ishin analfabetë.

Sepse nuk ka mendje të pakufishme të imagjinojë një pretenciozitet absurd kryeministror për “dy kombet më të mëdha të Ballkanit”.

Nuk do shumë shkollë apo kurse, por mjafton të lundrosh në google dhe gjen përmasat e 12 shteteve, që përbëjnë Ballkanin dhe që janë të anëtarë të së vetmes organizatë rajonale me emrin SEECP, Procesi i Bashkëpunimit të Vendeve të Europës Juglindore.

Nga mësuesi i saktë i googlit mëson se kombi turk, kombi grek, kombi bullgar, kombi rumun, qenkan në Ballkan më të mëdha se sa “dy kombet më të mëdha” të reagimit kryeministror.

Nuk ka burrë nëne të kuptojë se kujt e drejtohet kjo lloj diplomacie aritmetike orgjinale qeveritare.

Po në atë reagim kryeministri uron që “marrëveshja e panënshkruar të kthehet në një realitet të ri të pakthyeshëm mes shqiptarëve dhe serbëve”. Se çfarë don të thotë “realitet i ri mes shqiptarëve dhe serbëve” apo “pajtim midis shqiptarëve dhe serbëve”, siç thotë prej kohësh presidenti serb Vuçiç, nuk ka diplomat dhe filozof ta dëshifrojë.

Sepse diplomacia nuk shtegton me krrabë në dorë nëpër male dhe nëpër skërka të mbledhë dhe të pajtojë shqiptarët dhe serbët sëbashku në një mejdan të madh si Woodstock. Diplomacia, meqë është punë shteti, pajton qeveritë dhe shtetet dhe prej tyre rrjedh pajtimi i popujve dhe kombeve, jo i personave të veçantë të origjinave të ndryshme etnike.

Kushdo që ka kuriozitet për këtë temë, mund të lexojë në librin tim “Ballkani Faustian”, viti 2016, fq.490, analizën me titull “Teza folklorike e pajtimit të serbëve me shqiptarët”, kritikë për babain e kësaj teze, që është presidenti serb Vuçiç.

Në diplomaci paraqesin rrezik të madh jo ata që nuk dijnë, por ata që nuk duan të dijnë./Dita

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat