Alarm në tri dimensione!

Opinione

Alarm në tri dimensione!

Prof. dr. Enver Bytyçi Nga Prof. dr. Enver Bytyçi Më 29 maj 2023 Në ora: 20:53
Zveçan, 29 maj 2023.

Sot në tri komunat e veriut të Kosovës serbët sërishmi u ngritën me sirena alarmi në protesta kundër konstituimit të kryetarëve të rinj të komunave. Ishte e pritshme! Janë disa aktorë perëndimorë që po kërkojnë me çdo kusht të ketë një konflikt midis shqiptarëve dhe serbëve në veri. Albin Kurti e ka kuptuar këtë lojë. Prandaj po tregon muskujt, edhe pse shumë shqiptarë, politikanë opozitarë, intelektualeshë, analistzeza kanë ngritur po ashtu sirenat e alarmit nëpër shqiptari për “katastrofën që do të na ndodhë, nëse Serbia stërkeqet e na sulmon”!

Baton Haxhiu lëshoi i pari alarmin: “Ditën e hënë (pra ditën e sotme), tha ai, kryetarët e komunave në veri nuk do të hyjnë në zyrat e tyre”, duke projektuar me kënaqësi dështimin e qeverisë Kurti në mbrojtje të sovranitetit të shtetit! E në fakt dy kryetarë hynë në zyra dhe dy të tjerë ikën prej zyrave. Ata që ikën janë të partisë së Batonit, çka do të thotë se zoti Haxhiu është një ndër skenaristët e këtij konflikti në dobi të Serbisë. Profesorë me mjekër e pa mjekër, përfaqësues të OJQ-ve e analistë pordhalesh pa fund po dalin çdo orë dhe bërtasin me të madhe “Albini don të futë në luftë me Serbinë”! Nuk fajësojnë as Vuçiçin, as Daçiçin, as ushtrinë serbe, as Listën Srpska, por kryeministrin e Kosovës. Thërrasin me të madhe e në alrm gjithashtu se “Albini po na prish me Amerikën”! Edhe pse kryeministri i vendit, së paku deri në këtë minutë, po mbron territorin e vendit të tij!

Disa prej këtij kallëpi janë në shërbim të Serbisë, por shumica duket se janë frikacakë, nuk duan ta prishin terezinë e qejfit e rehatisë edhe pse rrezikohet territori i Kosovës. Kush thotë se nuk është në rrezik territori, ai jo vetëm gabon, por me dije dëshiron të kontribuojë në këtë projekt të Serbisë. Frika u ka hy në palcë! Po dridhen prej rrezikut të luftës. Thjesht për t’i vënë në provë këta tregtarë të trojeve shqiptare, do të doja që presidentja e Kosovës të shpallë mobilizim të përgjithshëm ushtarak e pastaj le të shohim se kah ja mbajnë analistët si Baton Haxhiu!

Ndërkaq luftën nuk e dëshiron Kurti dhe as zonja Osmani. Ata që qëndrojnë dhe i bëjnë ballë provokimeve të Serbisë dhe presidentit të saj të çmendur fakt janë kundër luftës. Lufta do të vinte në momentin kur qeveria e Kosovës të pajtohej me ndryshimin e kufijve ose me sovranitetin serb në Kosovë. Atëherë do të kishte një reagim të pakontrolluar të shqiptarëve. Sa kohë që rezistencën e ushtrojnë qeveria, presidentja dhe institucionet e vendit, sa kohë që në veri qëndrojnë policia dhe forcat speciale të Kosovës, lufta nuk do të ndodhë. Serbia bën presion me qëllim që, e derisa shqiptarët “frikacakë” të bëhen shumicë.

Ndërkaq në Perëndim, edhe pse i dinë të gjithë skenarët që do të zhvillohen, bëjnë alarmin e tretë. “Ndaluni, ndryshe do të paguani koston”, na thonë miqtë tanë. “Po shkelet vija e kuqe”, thonë ata dhe të gjitha kambanat e alarmit i drejtojnë nga Prishtina, nga qeveria, kryeministri Kurti dhe institucionet e vendit. “Çfarë bëjnë policët në veri”, pyesin disa! Sepse nuk duan ta shohin se si turmat e pakicës serbe me maska, me gazlotsjellës e armë të ndryshme provokojnë për të mos lejuar funksionimin e komunave në veri. Thonë se “Prishtina, përkatësisht Kurti, është fashist dhe ka pushtuar veriun”! Djegin në flakë makinat e policisë, plagosin policë të Kosovës e të EULEX-it, vizatojnë në automjetet e KFOR-it simbolet e Putinit, e megjithatë vazhdon rituali I pyetjes “Çfarë bëjnë policët në veri”!

Daçiç dhe Vuçiç kërkojnë që kryetarët e zgjedhur të katër komunave të largohen nga zyra, sepse ata “nuk përfaqësojnë serbët”! Sikur ishin fajtorë shqiptarët e pakicat e tjera, pse Lista Srbska bojkotoi të gjitha institucionet, si dhe zgjedhjet e 23 prillit! Edhe ndërkombëtarët flasin për jo legjitimitet. Kurse në qershorin e vitit 2019, kur opozita shqiptare bojkotoi pikërisht zgjedhjet lokale në Shqipëri, po këta që flasin për jo legjitimitet të kryetarëve të komunave në veri të Kosovës, kërcënuan se “opozitën e Shqipërisë do ta shpallnin organizatë terroriste”! Dy standarde, dy modele të ndryshme e madje të kundërta! Prandaj ka hyrë aq thellë mosbesimi edhe të miqtë e Kosovës dhe shqiptarëve.

Terroristët në veri të Kosovës kërcënojnë paqen, qeveria dhe kryeministri i Kosovës akuzohen! Ndërkohë marrim vesh se ata që kërcënuan opozitën shqiptare para katër vitesh për ta shpallur atë si organizatë terroriste, sot punojnë për një kompani lobuese të Serbisë në SHBA, e cila është paguar me 1.8 milion euro për të lobuar pro-Serbisë dhe kundër Kosovës. Midis tyre dhe Matju Palmer dhe Richard Grennell.

Serbët kanë shpallur si devizë unitetin dhe madje thonë se “vetëm uniteti e bashkimi na shpëton”. Shqiptarët kanë shpallur si doktrinë të tyre përçarjen “për të fituar”! Ah Fishta i Madh dhe i Jashtëzakonshëm! Edhe sot na qorton me fjalët e tij “Shqiptarët janë bash njashtu si i do hasmi”!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat