5 “kujtesa” për Escobar e Lajçak dhe SHEFAT e tyre!

Opinione

5 “kujtesa” për Escobar e Lajçak dhe SHEFAT e tyre!

Xhevat Mustafa Nga Xhevat Mustafa Më 7 qershor 2023 Në ora: 07:58
Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak

Turi i ri i bisedimeve në Prishtinë më 4 dhe 5 qershor e në Beograd më 6 qershor i të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, dhe të dërguarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, është shoqëruar nga pritshmëri në kahe të ndryshme nga Vjosa Osmani dhe Albin Kurti në Prishtinë dhe Aleksandar Vuçiç dhe Ana Brnabiç në Beograd. Kam bindjen se më në tension kanë qenë e janë pala shqiptare. Kjo edhe për faktin se nga vetë Escobar dhe Lajçak, favorizuar edhe nga dashuria e madhe dhe mirënjohja e fortë që kanë shumica e shqiptarëve ndaj SHBA-së dhe BE-së si dhe nga “aktrimi” i tyre me deklarata dashurie reciproke dhe sinqeriteti jo krejt diplomatik, janë dhënë plot mesazhe të qarta se ata janë përqendruar thuajse 95% ndaj Prishtinës, duke e përmbytur me presione, kërcënime, ndëshkime, kërkesa... dhe “kanë harruar” Beogradin shtetëror dhe qeveritar. Për më tepër e më keq, deri aty sa nuk u fshihet dot anësia apo njëanshmëria( për të mos thënë përkëdhelja) e tyre individuale, institucionale, qeveritare e shtetërore!? Merret me mend se përse nuk duhet të shprehin të njejtat qëndrime, presione, ton..., ndaj Serbisë. Nëse ajo zemërohet, u kthen kurrizin atyre si misionarë dhe BE-së dhe vrapon të përqafohet me Vladimir Putinin dhe Rusinë e tij!? E kjo do të ishte gjëmë e rëndë gjeopolitike apo gjeostrategjike për BE-në dhe NATO-n!? Kurse “sakrifikimi i pakët” i sovranitetit, integritetit territorial, Kushtetutës...,të Kosovës së vogël, do t’i qetësonte dhe lumturonte Serbinë, nënkuptueshëm edhe Rusinë!?

1- Ne shqiptarët e kemi parë dhe dëgjuar Amerikën si...ZOTIN, edhe pse ka pasur edhe raste pakënaqësie e zhgënjimi, sidomos nga 3 presidentët e fundit, kryeisht nga disa zyrtarë e misionarë të tyre në DASH! Nuk ka përse të mos e dëgjojmë edhe për këtë rast MIKUN dhe ALEATIN më të madh strategjik apo “dashurinë e parë” të shqiptarëve, nëqoftëse z.Escobar ka ardh jo për asociacionin e komunave me shumicë serbe në Veri me kompetenca administrative, vetëqeverisëse e njëherazi me kundërshtime apo kundërvënie të shumta me Kushtetutën e Kosovës...! As jo nxitur nga një interes personal dhe familjar, që pas “paqes” Kosovë-Serbi bashkëshortja e tij piktore, të ketë mundësi të hapë dhe mbyllë ekspozita pikture, sa herë e ku të dëshirojë në të dy vendet, sidomos në Beograd dhe në Prishtinë...

2- Kosovarët SHQIPTARË, pra edhe Albin Kurti, si zotër të Kosovës e duan atë më shumë se çdo MIK ndërkombëtar, por jo më shumë se vetveten dhe Kosovën! Se edhe vetë amerikanët, logjikshëm dhe natyrshëm, e duan AMERIKËN e tyre më shumë se çdo MIK nga çdo vend dhe anë e botës, edhe nga aleatët më të vjetër e më besnikë!

3- Në njoftimin zyrtar dhe në informacionin publikuar nga “ZERI I AMERKËS”, pas takimit dy orësh të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me të dërguarit specialë nga SHBA, Gabriel Escobar dhe të Bashkimit Evropian(BE), Mirosllav Lajçak, krahas përbetimeve të tyre për sinqeritet në dëshirën dhe përpjekjet e tyre për shuarjen e tensioneve të konfliktit të 26 majit 2023, nuk është e vështirë të kuptohet se për ata, nënkuptueshëm edhe për shefat e tyre, Blinken dhed Borrelli, shkaktari i kësaj dhe i të gjitha krizave të mëparshme, menjëherë pas 12 qershorit 1999, Serbia vihet në një pozitë të barabartë me viktimën 24 vjeçare të këtyre krizave, disa edhe me viktima në jetë njerëzore, domethënë me Kosovën. Kjo nuk është as e saktë, as e drejtë, as e logjikshme, as e pranueshme...! Burimi i tensioneve apo krizave në Veriun e Kosovës ka qenë dhe është vetëm Serbia e individualisht vetëm Aleksandar Vuçiç!

– Zgjedhjet e 23 prillit 2023 në komunat me shumicë serbe në Veri të Kosovës u zhvilluan përgjithësisht të qeta me këshillimin dhe miratimin si nga SHBA, ashtu edhe nga BE-ja, pra personalisht edhe nga Blinken dhe Borrelli. Në këtë rast qeveria e Kosovës dhe personalisht Albin Kurti nuk kanë vepruar sipas kokës së tyre dhe aspak e në asnjë rast me dëshirën për trazira, ashtu siç e kanë bërë traditë krerët e politikës, shtetit dhe qeverive në Beograd dhe disa nga politikanët, partiakët dhe pushtetarët lokalë në komunat e Veriut të Kosovës. Ndryshe nga Albin Kurti e Vjosa Osmani si dhe paraardhësit e tyre në Prishtinë është bërë lehtësisht e kuptueshme se Beogradi shtetëror dhe qeveritar, sa herë që ka nevojë për të larguar valët apo flakët e pakënaqësisë e të revoltave ndaj tij, për shkak të dështimeve dhe të autoritarizmit të tyre, kanë gjetur si zgjidhje hedhjen e shisheve me benzinë në zonat me “prush” 2 vjeçar të pashuar e të gatshëm për kriza, në komunat me shumicë serbe në Veriun e Kosovës. Edhe më 26 maj 2023 qeveria e Kosovës nuk bëri asgjë më shumë se përmbushi një detyrim kushtetues, për të bërë ndërrimin e ekipeve drejtuese të pushtetit lokal në komunat e Veriut të Kosovës. Pra, për të mbështetur pushtetarët fitues në zgjedhjet e 23 prillit të fillonin funksionet dhe detyrat në shërbim të banorëve, për të cilat ishin zgjedhur. Escobar “nuk vuan nga amnezia”, pra ka kujtesë të fortë, por paradoksalisht një ditë para takimit me Albin Kurtin, pra më qershor ai, duke “harruar” se ç’ka thënë DASH-i tij më 22 prill 2023, që “zgjedhjet, pavarësisht bojkotit të tyre nga Lista Serbe, të zhvillohen normalisht”, ka deklaruar për BBC-në: “Ky përshkallëzim ka qenë pjesërisht rezultat i mosgatishmërisë së palës kosovare që ta dëgjojë komunitetin ndërkombëtar. Ajo i ka provokuar tensionet, në mënyrë të panevojshme, duke insistuar në shfrytëzimin e objekteve komunale...”. Edhe nga kjo deklaratë shprehet shumë qartë “harresa” nga zoti Escobar e Serbisë, e zjarrvënësve kryesorë të trazirave të 26 majit në komunat veriore të Kosovës, Aleksandar Vuçiç dhe Ana Brnabiç!? Në mbështetje të këtij vendimi dhe veprimi të qeverisë së Kosovës për fillimin nga puna të fituesve në zgjedhjet e 23 prillit(zgjedhje realisht jo normale, por gjithësesi të miratuara edhe nga vetë DASH dhe BE, deri më 22 prill 2023) e në një linjë me analistët e mirënjohur amerikanë Edwards Joseph, Daniel Serwer, Janus Bugajski, David Kanin e me kongresmenin amerikan Richie Torres, e tj. është shprehur shumë qartë më 5 qershor edhe deputetja britanike Aliasia Kerns. Edhe sipas saj “dhuna në Veri të Kosovës ishte e orkestruar nga “milicia e financuar nga Beogradi” dhe qytetarët kosovarë kërcënohen nga kriminelët serbë...Po të ndaloheshin kryetarët tanë të punonin nga zyrat e të detyroheshin të punonin në shtëpi, do të thoshim është goditje e rëndë ndaj demokracisë...!” Ajo u ka bërë thirrje SHBA dhe BE që “të mos kritikojnë vetëm Kosovën, por të meren dhe me grupet e armatosura serbe, që lanë të plagosur 30 ushtarë të KFOR-it...”!

5- Nëse përputhen katër kujtesat e para me qëllimin e përbashkët që Kosova të mos humbë as një metër katror tokë e ujë; që t'i ruhen pa iu cënuar asnjë pikë pavarësia, integriteti, sovraniteti, autoriteti në të gjithë sipërfaqen e saj territoriale, nuk mund të mendohet se Kosova dhe Albin Kurti do të jenë aq të palogjikshëm, të papërgjegjshëm, mosmirënjohës, "kapadainj, miopë e të shurdhët" sa të mos e dëgjojnë AMERIKËN e 1999, 2008..., 2023...! Asnjë SHQIPTAR në trojet etnike dhe në diasporë nuk mund t’i mohojë dhe harrojë rolin e pazëvendësueshëm të SHBA për ekzistencën e kombit dhe shtetit shqiptar, për pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve dhe për fitoren e DEMOKRACISË më 22 mars 1992; për anëtarësimin e Republikës së Shqipërisë në NATO, për çlirimin e Kosovës më 12 qershor 2008 dhe pavarësimin e saj më 17 shkurt 2008! Mister apo senior Escobarit, me sa merret me mend se i ka ngecur sharra në gozhdë tek Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, edhe në këtë udhëtim në Prishtinë, në një deklarim pas bisedimeve, nuk e fshehu antipatinë apo papëlqyeshmërinë për kryeministrin e Kosovës dhe ekipin e tij, me zemër e kokë shqiptari e njëherazi, si shumica absolute e shqiptarëve, “të dashuruar marrëzisht” pas AMERIKËS, edhe pse logjikshëm nuk kanë të njejtën dashuri për Obamën, Trumpin, Biden individualisht...Sepse e dinë mirë se ata janë kalimtarë, ndërsa vendi që drejtojnë, do të mbetet AMERIKË! Sepse janë të bindur se ata janë borxhlinj dhe mirënjohës të përjetshëm ndaj AMERIKËS 1999 e 2008 dhe jo ndaj disa amerikanëve, që e përfaqësojnë atë përkohësisht e që nuk gëzojnë dashurinë, respektin e mirënjohjen maksimale, as të 100% amerikanëve...!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat