Si po e dez-informojnë BE-në Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak

Opinione

Si po e dez-informojnë BE-në Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak

Nga: Skender Musliu Më: 3 korrik 2023 Në ora: 14:23
Skender Musliu

Me urdhër të Aleksandar Vuçiqit u kidnapuan tre zyrtarë të policisë kufitare në territorin e Kosovës, në katër komunat në pjesën Veriore të Kosovës u dorëhiqën policët serb, gjyqtarët, prokurorët, Lista serbe u largua nga Kuvendi i Kosovës, u bojkotuan zgjedhjet komunale, strukturat kriminale serbe, huliganët dhe pjestar të Wagnerit rus sulmuan ushtarët e KFOR-it, policnë e Kosovës dhe gazetarët duke i lënduar dhe plagosur me dhjetra prej tyre. Edhe përkundër të gjitha këtyre veprimeve të serbëve, që shkaktuan trazira duke e eskaluar seriozisht situatën dhe rezikuar sigurinë që çoi në mobilizimin e faktorit ndërkombëtar, fatkeqësisht Borrell dhe Lajçak fajin ia hudhin kryeministrit Kurti.

Kundër këtyre sulmeve ndaj ushtarëve të KFOR-it, policisë së Kosovës dhe gazetarëve, reagoi faktori ndërkombëtar duke kërkuar që dhunuesit të nxirren para drejtësisë, prandaj policia e Kosovës arrestoi disa nga ata. Mirëpo pas këtyre arrestimeve,Josep Borrell deklaroi se ishte alarmuar nga arrestimet e jashtëligjshme të serbëve sepse nuk paska qenë momenti adekuat për t’a bërë këte. Por shtrohet pyetja, pse Borrell nuk u alarmua kur u kidnapuan tre policët kufitar, kur u shtrinë për toke ushtarët e KFOR-it, policët dhe gazetarët nga kriminelët serb, kur Vuçiqi e rriti shkallën e gatishmërisë së ushtrisë serbe duke e stacionuar ate në kufi me Kosovën, kur Serbia votoi kundër kandidaturës së Kosovës në KE, kur Vuçiqi refuzoi t’a nënshkruaj aneksin e marrëveshjes së Ohrit, edhe pse kryeministri Kurti kishte instistuar, kur Vuçiqi në takimin e fundit në Bruksel refuzoi të takohet me Kurtin, që Vuçiqi mbështet kriminelët e luftës, që Serbia nënshkruajti disa marrëveshje me Rusinë për koordinimin e politikës së jashtme….., këto janë vetëm disa, nga shumë të tjera, veprime të Borrellit, që tregojnë për anshmërinë ndaj Serbisë.

Duhet theksuar se Borrell, ish ministër i punëve të jashtme i Spanjës dhe Lajçak, vijnë nga shtete që nuk e kanë njohur pavarsinë e Kosovës, nga Spanja dhe Sllovakia. Lajçak ish komunist i shkolluar në institucione ruse, ish ministër i punëve të jashtme i Sllovakisë, ish ambasador në Serbi, ka shërbyer disa vite në Bosnjë e Hercegovinë, i cili për « kontributin » e tij u dekorua nga Republika srpska. Lajçak si diplomat ka qenë i angazhuar për « dhënien e ndihmës » për ndarjen e Malit të Zi në mënyrë paqësore nga Serbia, i cili në vend që t’a ndihmonte këtë proçes, ai për tre vite e zvarriti organizimin e referendumit, sepse kështu dëshironte Serbia dhe Rusia për të siguruar dalje në Detin Adriatik. Kjo lidhshmëri e Lajçak me « botën serbe », cili gjuhën serbe e flet rrjedhshëm, tregon qartë për miqësinë dhe afërsinë e tij me serbet.

Sikurse Borrell ashtu edhe Lajçak që nga fillimi i mandatit, ia kanë mbajtur anën Serbisë,duke e luajtur rolin e zëdhënësit të Vuçiqit, madje për akomodimin e « Zajednicës », Laçak kishte propozuar edhe ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës, prandaj këta dy nuk kanë më kredibilitetin e duhur në këtë proçes.

Gjykoj se, paaftësia dhe njëanshmëria e Borrell dhe lajçak, të cilët duke i keqpërdorur kritikat miqësore të SHBA-ve ndaj Kosovës, kanë dalë jashta kompetencave dhe autorizimeve të tyre duke propozuar sanksione ndaj Kosovës dhe në vend që t’a luajnë rolin e lehtësuesit dhe ndërmjetësuesit, ata po luajnë rolin e negociatorit dhe arbitrit. Kam bindjen e thellë se, për krijimin e situatës aktuale në pjesën Veriore të Kosovës, fajin kryesor e kanë Borrell dhe Laçkak, sepse duke e kritikuar Kosovën, ata e kanë favorizuar dhe trimëruar Vuçiqin.

Mendoj se këta dy diplomat, me raportet e tyre, më tepër e kanë dezinformuar BE-në e se sa e kanë informuar, duke paraqitur mendimet e tyre personale, e jo realitetin në terren. Kjo u bë e qartë edhe gjatë raportimit të Lajçak, javën e kaluar para Komitetit të Jashtëm të Parlamentit Evropian, ku shumica e deputetëve e kanë kritukuar ashpër qasjen e BE-së ndaj Kosovës, sepse vetëm Kosova po qortohet dhe sanksionohet kurse Serbia jo, madje një deputet përmendi edhe dorëheqjen e Lajçak.

Masat ndëshkuese që BE-ja i ka vendosur Kosovës, më tepër flasin për paaftësinë e BE-së për t’i normalizuar raportet mes Kosovës dhe Serbisë, mbase BE-ja po tregohet kontraverze me veprimet e saja, sepse Serbia është ajo që ka tensionuar dhe përshkallzuar situatën, kurse kryeministrit Kurti i kërkohet t’a depërshkallëzoj situatën dhe t’i ulë tensionet !

Kundër këtyre masave ndaj Kosovës, ka patur reagime të shumta nga senator dhe kongresmen amerikan, diplomat të ndryshëm, gazeta dhe televizione prestigjioze dhe analistë të kalibrit botëror, duke i përkrahur veprimet e kryeministrit Kurti dhe duke kritikuar vendimet e BE-së dhe politikat pro-ruse të Serbinë.

Në raportet vjetore të Departamentit të Shtetit Amerikan dhe të Këshillit të Europës gjithnjë është kërkuar nga Kosova që t’a luftoj korrupcionin dhe krimin e organizuar dhe t’a ndërtojë shtetin e së drejtës, për çka dy vitet e fundit është konstatuar se Kosova ka shënuar progres dhe është lider në Ballkanin Perëndimor.

Prandaj konsideroj se është e papranueshme të kritikohet kryeministri Kurti, i cili në tërë territorin e Kosovës, e në veçanti në pjesën Veriore, po e lufton korrupcionin dhe krimin e organizuar kundër bandave dhe strukturave kriminale dhe po e shtrinë sovranitetin dhe vendosjen e rendit dhe ligjit.

Dhe në fund, gjykoj se BE-ja është e vetdijshme se Serbia po e destabilizon Veriun e Kosovës me qëllim që t’a shmang zbatimin e marrëveshjeve të 27 shkurtit në Bruksel dhe 18 marsit në Ohër, prandaj masat e vendosura ndaj Kosovës dhe të tjerat që po paralajmërohen edhe më të rënda, më tepër janë paralajmërim dhe vlejnë për Serbinë se sa për Kosovën që këmbngulë për zbatimin e tyre.

Tek e fundi Kosova është shtet i pavarur, sovran dhe demokratik, nuk është nën protektorat ndërkombëtar, prandaj Qeveria e Kosovës vendimet duhet t’i merr në mënyrë autonome, e jo për çdo veprim të koordinohet me ndërkombëtarët, sepse edhe Pallmer e sidomos Grenel, i cili e rrëzoi Qeverinë Kurti 1 bashkë me maskarenjtë e opozitës, sot ende punojnë dhe lobojnë intenzivisht për ndarjen e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat