Albini përballë tre njerëzve që nuk e duan Kosovën!

Opinione

Albini përballë tre njerëzve që nuk e duan Kosovën!

Prof. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi Më 17 shtator 2023 Në ora: 17:55
Albin Kurti

Ata u ulën përballë njëri-tjetrit. Ishte 14 shtator 2023. Albini e pa në sy dhe Sandri papritur u ndodh nën trysninë e shikimit të kundërshtarit në dialog. Disa sekonda vazhdoi kjo sekuencë, sikur po luanin lojën e syve! Por këtë garë e ndërpreu Josephi. Paraqiti disa rregulla të bisedimeve dhe u betua se do të ishte thjesht ndërmjetësues, madje i paanshëm, duke i dhënë përgjigje njëkohësisht disa kritikave se ai dhe Miroslavi ishin treguar të njëanshëm, ose më saktë pro-palës serbe.

Por, Albini po mendonte nëse duhet besuar ose jo te retorika e fjalës. Në fund të fundit çfarë kuptimi kanë fjalët e atyre tre burrave që i kishte përballë e krah tij?! A nuk janë pikërisht këta që nuk e njohin shtetin e ngritur nga lumenj gjaku dhe sakrifica të pashembullta të Kosovës?! A nuk janë këta që vazhdimisht thonë fjalë të mira, betohen për paqen dhe në fund vendosin masa shtrëngimi për viktimën?! Të gjitha këto kryeministri i Kosovës po i bluante në mendje. E ndërkohë i vinin para syve edhe kritikat e opozitës për krijimin e një raporti të pabesueshëm me ndërkombëtaret! Megjithëse e di se kritikët e tij janë të gatshëm të bëjnë kompromiset që kërkon presidenti i Serbisë, ai, kryeministri i Kosovës kërkon në skutat e ndërgjegjes së tij ndonjë gafë, pamaturi, gabim apo faj të tij. Sigurisht që ka momente pamaturie. Po i kujtohej ajo shprehja e ish-kryeministrit e ish-presidentit, kur thoshte se “tallim ko.et” me amerikanët” dhe askush nuk e ndëshkoi për këtë! Pse ndonjë gabim i tij merret si faj i ndëshkueshëm rëndë?!

Megjithatë, duhej të priste e të mësonte se çfarë do të vinte pas prezantimit të parë. Sërishmi fjalë të përgjithshme. Nevoja për implementimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit. Fjalë të mëdha për normalizimin e marrëdhënieve! Nevoja për kompromise të dyanshme! Etj. Pas të gjitha këtyre plasi “bomba”! Josephi i drejtohet Albinit dhe i thotë se nga këto do të varet edhe ajo që quhet “heqje e sanksioneve ndaj jush”! Ishte një lloj kërcënimi cinik. Megjithatë kryeministri nuk e prishi terezinë. “Ne do të bëjmë gjithçka i nderuar për paqen e normalitetin”, pëshpëriti por dëgjueshëm!

Por ju duhet të filloni menjëherë me krijimin e Asociacionit, ia pret Josephi. Kolegu im, Miroslavi ka biseduar me ju dhe me Aleksandrin për këtë. Aleksandri është zotuar së do të jetë konstruktiv. Ju duhet të keni besim te ne dhe te ai!

Albinit i vinin dhe i shkonin mendime të shumta. Si do të duhej të sillej? Çfarë duhej të thoshte dhe si duhej të mbrohej? Një brengë e madhe kjo, kur para tij qëndronin tre njerëz që koordinoheshin së bashku “për ta vënë me shpatulla për muri” kreun e ekzekutivit të Kosovës! Megjithatë u përmbajt sërishmi. Nuk dha asnjë shenjë se çfarë do të ishte qëndrimi i tij në këtë lloj retorike paralajmëruese kundër tij. Bëri me dije një projekt të tijin për radhën e punës që duhej ndjekur për zbatimin e marrëveshjes së shkurt-marsit në Bruksel e në Ohër. Tha se duhej nisur nga njohja de facto e Kosovës nga ana e Serbisë. Nga angazhimi i Aleksandrit për një marrëveshje juridikisht të obligueshme për respektimin e shtetësisë dhe integritetit territorial.

Ndërkohë Josephi, në emër të postit që mban si shef i politikave të Jashtme e të Sigurisë në BE, doli drejt e në temë. – Ne kemi hartuar një projekt si ky, i drejtohet Albinit, por radha e punës nuk do të fillojë nga njohja de facto e Kosovës nga ana e Serbisë. – Kjo nuk mund të ndodhë për momentin, ndërhyni Mirosllavi. Asociacioni është e para punë, i ngarkuari nga ana e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi. Aleksandri vetëm heshtte. I kishte ngulur sytë diku te një pikturë ngjitur në murin përballë dhe dukej sikur po thoshte se “i pëlqen arti”!

Albini këmbnguli se zbatimi i marrëveshjes duhej të fillonte nga njohja e Kosovës dhe më pas të vijonte me Asociacionin. Por të dy përfaqësuesit e BE-së këmbngulën fort se duhej nis me Asociacionin e madje duke theksuar se me Asociacionin duhej të ishte dakord dhe Beogradi. Në debat e sipër kryeministri i Kosovës pyeti, nëse kishte ose jo ndonjë projekt për këtë çështje, të cilin e kishte paraqitur presidenti i Serbisë?! Në këtë moment Josephi mendoi se do të dilte nga sikleti, duke pohuar se kishte një të tillë. Por, kur Albini këmbënguli të njihej me këtë dokument-propozim të Beogradit zyrtar, atëherë kryesuesi i bisedimeve i ndërpreu ato. Kaluan gati dy orë dhe asgjë nuk u sajua si dikument-propozim të palës serbe.

Në këtë moment u bë shumë e dukshme që Miroslavi dhe Josephi po flisnin edhe në emër të Aleksandër Vuçiç. Ata të dy kishin marrë përsipër të mbronin interesat e Serbisë. Tre kundër një njeriu të vetëm. Dy përfaqësuesit e BE-së ishin tashmë hapur e pa asnjë maskë palë me agresorin serb dhe kundër viktimës kosovare. Pse të mos ishin këta?! Ata të tre nuk e njohin ende pas 16 vitesh pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës. Albini këmbëngul. Zërat e dy përfaqësuesve të BE-së ngrihen më lart, madje kërcënueshëm se do rriteshin masat kundër Kosovës.

Kryeministrit nën këto masa i duhet të përballonte dhe agresivetitetin e opozitës për këto masa. Madje ata e akuzojnë si fajtor për këto masa. Nuk duan të besojnë se përballë Kosovës janë tre njerëz që e duan të rrënuar shtetësinë e Kosovës. Njëri prej tyre, Sandri, e këndon çdo ditë këtë këngë. Dy të tjerët thjesht pyesin këtë të parin se çfarë do dhe opsionet e tij i marrin e i paraqesin si projekte dhe ide të Brukselit. Madje as që pranojnë të debatojnë dhe polemizojnë me argumente. “Ti Albin duhet të bësh atë që themi ne”! Kjo ishte fabula e deklarateve të tilla kur thoshte në fund se “Bisedimet dështuan për faj të Albinit”!

Në këtë hulli shkoi dhe propozimi për zgjidhjen e krizës në veri të vendit. Miroslavi dhe Josephi kërkuan atë që kërkon edhe Aleksandri: - kryetarët e komunave të japin dorëheqje. Ndërkohë që nuk kishte asnjë garanci se serbët do të merrnin pjesë në këto zgjedhje. Dorëheqja nuk parashihet gjithashtu në kushtetutë dhe ligjin zgjedhor si zgjidhje. Ndaj dhe kryeministri Kurti propozoi thjesht një kërkesë të mbi 20 përqind të zgjedhësve në këto komuna e më pas të bëheshin zgjedhjet. Por kjo masë kushtetuese dilte jashtë skemës së Beogradit. Aleksandri nuk e pranoi këtë zgjidhje. Mekanizmi i kërkesës së mbi 20 përqind e zgjedhësve djeg skenarin për bojkot të zgjedhjeve dhe të shkaktojë një krizë tjetër në veri të Mitrovicës. Ndërkohë atij i duhen krizat, jo zgjidhjet. Sepse përmes Asociacionit dhe krizave shkon te qëllimi final, ndarja e Kosovës.

Pavarësisht këtyre, fajtor u shpall Albin Kurti. Ndodh shpesh që fajtorë të shpallen njerëzit e zgjuar, pse ata diktojnë me kohë rrezikun që u kanoset. Pse shohin përtej fjalëve. Pse nuk kanë besim, por janë gjithnjë dyshues! Pse nuk pranojnë të besojnë as dy përfaqësuesit e BE-së! Ej është mëkat ky!? Si mund të mos besosh te fjala e Josephit dhe Miroslavit?! Ata janë mesia! Ata janë të përzgjedhurit e “miqve” tanë, të Kosovës e të shqiptarëve! Prandaj dhe mbajnë anën e Serbisë!

Të shohim se çfarë do të shohim në të ardhmen. Por, Kosovën nuk do të duhet ta zhbëjmë as për hatër të “miqve” si Joseph Borrell dhe Miroslav Lajçak!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat