Dialogu dhe gogoli

Opinione

Dialogu dhe gogoli

Nga: Bekim Rexhepi Më: 28 korrik 2024 Në ora: 08:47
Bekim Rexhepi

Krejt e qartë dhe e pamohueshme që Serbia e bënë gogolin në dialog me Kosovën, ne shqiptaret e Kosovës këtë e dimë qe moti sepse kemi provuar se si është Serbia, ajo që pari tregon kinse një lloje gatishmërie dhe më pas e heziton gjithçka ti dali nga konteksti dhe nga dora e saj, në mënyrë që të përfitoj duke mos dhënë asgjë, dhe duke treguar se e mjaftueshmja e gjithë kësaj është vetëm pjesëmarrja dhe gatishmëria e saj fiktive në dialog. Ky lloj i taktikës serbe për dialogun, për fat të keq ende mbanë një dozë besimi në disa qarqe ndërkombëtare, mbanë një shpresë se Serbia ndryshon lehtë me ca sanksione të vogla të cilat nuk i ka ndjerë kurrë si të jenë sanksione të vëna.

Taktika serbe për dialogun me Kosovën nuk mund të jetë premtues sepse pas marrëveshjes së Ohrit, Serbia tashmë kushtëzon gjithçka me krijimin e asosacionit të komunave serbe në Kosovë, një asosacionit etnik në shtetin multietnik, një kërkesë absurde politike për rregullat konfigurimit shtetërorë. Pra, Kosova po të krijojë një asosacion të tillë etnik vetëm për serbet do të bëjë një diskriminim politik ndaj etnive të tjera, edhe pse ekziston asosacioni i të gjitha komunave të Kosovë, në të cilin marrin pjesë të gjitha etnitë pos asaj serbe, e cila bojkoton këtë institucion shtetëror të Kosovës për arsye të saja politike që janë nën diktatin e një dresura serbe që në plan të parë ka mos funksionimin e shtetit të Kosovës, e në rast se këtë nuk arrin ta bëjë, ahere ta bëjë të mundur ndarjen përmes një krijese të vogël (me asosacionin) që më pas përmes shkaktimit të trazirave, të dhunës dhe të terrorit ta ndaj Kosovën. Këtë e ka provuar së fundit në Banjskë me aktin e terrorizmit, ani pse për këtë akt terrorist Serbia nuk është ndëshkuar nga institucionet ndërkombëtare, madje mos ndëshkimi i ka yshur që të ndërmarrin serish ndonjë akt të tillë më të organizuar e më fatal.

Po të ndodhte një paralele e një akti të tillë dhe po ta bënte Kosova këtë ndaj Serbisë, nuk do të shpëtonte asnjë strukturë politike ndërkombëtare pa e ndëshkua Kosovën për një akt të tillë. Do të viheshin sanksione e mbi sanksione si çmim i dënimit të aktit terrorist. Madje do të shkonte edhe me keq do kishim edhe çnjohje të shtetësisë nga disa vende. Por kjo nuk po ndodh me Serbinë, me aktin e saj terrorist sepse u provua qe Radojqiq ishte stërvitur në poligonet e ushtrisë serbe, dhe për këtë madje sjellja ndërkombëtare sot është atillë sikur s ‘ka ndodhur hiq gjë.

Dialog me Serbinë pa njohje dhe pa garanci ndërkombëtare nuk mund të ketë, nuk do të lejohet qe Serbia të tregohet serish e gatshme dhe në fund të ikë sepse kjo po i kushton vetëm Kosovës dhe jo Serbisë. Jo serioziteti ndërkombëtar nuk mund të sfidohet me tendencën se po e provojmë edhe këtë herë, së pari garancia ndërkombëtare e Kosovës nga Ndërkombëtaret pastaj, mund të hyhet në dialog sepse Serbia e shfrytëzon mos sigurinë tonë ndërkombëtare, ndaj edhe do të tregohet jo serioze në dialog gjithnjë. Kosova po të ketë siguri ndërkombëtare sidomos nga NATO-ja atëherë Serbia do të ishte krejt ndryshe, në sjelljet e saj, nuk do ta nxirrte gogolin në çdo tryezë ndërkombëtare karshi dialogut me Kosovën.

Garancia e ndërkombëtareve për sovranitetin e Kosovës do të përbën një fuqizim më të madhe për politiken e Kosovës, ajo nuk mund të shihej më si një lustër politike, por shumë përbërëse në marrëdhëniet politike në Ballkan dhe në Evropë. Kjo mund të duket e mbrehtë politikisht, por në fakt do të jetë një e vërtet e koklavitur sepse Serbia do të normalizohej në politikë e saj të brendshme dhe të jashtme, do të interesohej më shumë në ekonomi dhe jo në diskriminim dhe në promovim të tensioneve ne vendet fqinje.

Një Garanci ndërkombëtare për Kosovën do të ishte e rëndësishme edhe për faktin se Serbia përfundimisht do të ndahej nga interesi i saj me Rusinë dhe do ti kthehej Evropës sepse përfitimet e saja do të ishin më të mëdha dhe më me interes për të nga hyrja brenda saj. Ndarja e Kosovës dhe ndonjë aventurë secesioniste do të bëhej e pamundur nga çdo politikan kur të kihej parasysh qe Kosova ka garanci ndërkombëtare nga NATO.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat