Turistët dhe çmimet në Shqipëri janë bërë çështje dite, ngado të rrotullosh pultin televiziv, ato lajme do të shohësh. Krahasuar me botën, kur nëpër aeroportet amerikane çdo minutë ulet e ngrihet një avion, SHBA-të njihen si një nga vendet që mirëpresin më së shumti vizitorë. Të paktën në New York pas pandemisë shifrat tregojnë një rritje të ndjeshme të turistëve, si rrjedhojë edhe kapaciteteve të hotelerisë.
Për njujorkezët ky fakt është tepër i dukshëm. Radhët nëpër lokalet ku serviret ushqim dhe ku janë ankoruar anijet turistike janë të gjata qysh herët në mëngjes, por nuk shikon askënd me mikrofon e kamera në duar duke i pyetur: "Si ju duket ushqimi, sa para shpenzuat sot, ku hani, ku pini, ku flini, ose sa para do të harxhoni për ditët në vijim" etj....Ose duke iu referuar edhe revistës shqiptare "Monitor" që shkruan: "Turistët që vijnë në Shqipëri, sa "koprracë".
Personalisht këtë "fenomen të çuditshëm" po e has rëndom vetëm në Shqipëri e mendoj se është një praktikë e tepërt mediatike. Vendi ynë ka aq shumë halle e pikëpyetje të pazgjidhura, që gazetarëve nuk besoj t'i dalë koha për ti pasqyruar të gjitha, si dhuna në familje që është shqetësim serioz, korrupsioni, mos likujdimi financiar për ish të dënuarit politikë nga diktatura, shëndetësia, punësimi, strehimi etj. Aq më tepër që gjejnë kohë për të intervistuar të huajt, se sa harxhojnë ku e si i harxhojnë.
Askush nuk t'i fal të ardhurat mujore, jashtë ato njerëzia i fiton me djersë e mund të madh, e askush nuk ka të drejtë të gjykojë apo paragjykojë nëse ai/ajo janë koprracë apo jo. Edhe nëse janë, nuk është biznesi i askujt të marrë nëpër gojë e të nëpërkëmbë të ardhurat e dikujt tjetër duke i përfolur e bullizuar në mënyrë të ulët turistët. Denigrimi duke përfolur xhepat e turistëve është bërë e modës në Shqipëri, e nuk ka të ndalur, por që në të vërtetë është një banalitet që tregon mungesë kulture dhe që nuk i shërben aspak të ardhmes së turizmit shqiptar.
Nëse jashtë pyet dikë se sa i ka të ardhurat mujore, tregon injorancë, i pyeturi jo që do ndihet i fyer, por sigurisht as përgjigjen që i kërkohet nuk ka për ta dhënë kurrë. Fakte bullizimi ndaj turistëve të huaj, qofshin shqiptarët që kthehen në atdhe për arsye të ndryshme kjo vihet re deri tek emisionet e TV-Top Channel, ku artistët e famshëm shqiptarë ose vipat shqiptarë tallen duke thënë e qeshur live: "Ja vijnë shqiptarët nga jashtë edhe për të rregulluar dhëmbët në Shqipëri, ha, ha, ha".
Ka më turp se kaq....
Rritja e çmimeve të hoteleve dhe ushqimit tashmë është bërë problematikë, por çdo pronar biznesi duhet ta ketë të qartë se, milionerë nuk mund të bëhesh brenda ditës e natës bashkë, se ja ku jemi sot, turistët kanë ulur përqindijen e ardhjes së tyre në Shqipëri veçanerisht në jug të vendit. Vërtetë mund të ketë rritje të çmimeve jashtë nëpër strukturat e turizmit, por infrastruktura, standartet që ato ofrojnë dhe eksperienca e turizmit të tyre është e hershme e nuk mund të krahasohet me Shqipërinë. Një pyetje tjetër lind natyrshëm, pse nga vjet në sivjet çmimet e ushqimit dhe hoteleve u rritën në mënyrë drastike në jug të vendit?
Paksa në faj duhet të ndihen edhe shqiptarët e vetë bizneseve, sepse nuk kanë treguar kujdes në mirëpritjen e tyre. Mënyra e të komunikuarit, sjellja, higjena, ngritja e çmimeve të ushqimit dhe hotelerive pa kriter detyrimisht që i largon turistët. Kudo ku shkon në SHBA, në hyrje të lokaleve shikon tabela me çmimet e ushqimeve që i shërbejë konsumatorit, ose sa ulesh kamarieri të sjell menunë me çmimet përkatëse, ku s'le vend për abuzim ndaj klientit. Ndërsa kur hyn nëpër disa webside shqiptare për të rezervuar një dhomë hoteli për një apo më shumë ditë, ka hotele që nuk i paraqesin çmimet ditore apo javore. Kjo vlen për të dëshëruar dhe larguar këdo që ka dëshirë të kalojë disa ditë pushime në Shqipëri. Pra së pari fajin ta shikojmë tek vetja e jo tek turistët.
Vërtetë Shqipëria nuk e ka luksin për një turizëm elitar, por ajo çfarë vemë re tjetër është edhe diferencimi i të shërbyerit dhe sjelljes ndaj një të huaji dhe një shqipfolësi. Në bregdet nëpër restorante i zoti lokalit kur vëren që je shqiptar, ndryshe të shërben ty e shumë më ndryshe një të huaji. Vjet në një nga restorantet e njohur në Golem, jo shumë larg tavolinës tonë u ulën disa italianë, kamerierët i shërbyen me një sjellje krejt të përulur do të thoja krahasuar me shqiptarët. Tavolinës tyre i shtruan mbulesë e peceta pëlhurë të bardhë edhe shishen e verës ia servirën me peceta pëlhure, ndërsa për tavolinat e tjera përdornin material konsumi, mbulesa e peceta letre.
Shumë mirë, kënaqësi të respektosh e nderosh të huajt, por jo në mënyrë kaq ashiqare duke lënduar bashkatdhetarët e tu kur pagesa merret njësoj nga të dy palët. Sigurisht Shqipëria akoma nuk është e gatshme për një turizëm klas-i, pasi i mungojnë shumë faktorë, por të paktën mikpritjen që na e lakmon edhe bota duhet ta ruajmë si një traditë të çmuar e ta shpalosim tek çdo kush që shkel vendin e shqiponjave.
Edhe siguria e jetës nga rojet bregdetare, të cilët i zë gjumi në krye të detyrës, është një hap pas e shkak që i largon pushuesit, siç u paraqit një qytetar duke filmuar rojën bregdetare në Golem duke fjetur ditën me diell (e diel) në shkallët e Kullës Vrojtuese.
Kur Shqipëria nuk ishte e gatshme akoma për një turizëm siç ofron Turqia, Greqia përse qeveria duhej të harxhonte fonde pa hesap për të reklamuar turizmin në Shqipëri, duke favorizuar e dhënë X- Televizioni shuma të mëdha parash, vetëm për propagandë turistike, pasi pasojat në këtë rast kanë prekur edhe shtetin e buxhetin e tij.