Ambasadori amerikan në Kosovës u shpreh i ashpër në një intervistë për iniciativën e qeverisë së Kosovës për hapjen e Urës së Ibrit. Tha se hapja e kësaj ure rrezikon ushtarët amerikanë. E paraqiti këtë argument si arsye pse SHBA-të kundërshtojnë këtë vendim të qeverisë së Kosovës dhe kryeministrit Albin Kurti. Madje e shfaqi zotin Kurti si problem serioz për marrëdhëniet SHBA-Kosovë. Por do të ndaloj vetëm te çështja, nëse është apo jo e vërtetë se hapja e Urës së Ibrit i rrezikon ushtarët amerikanë të KFOR-it. Apo ishte alibia e radhës?!
Në veri të Kosovës në këto 25 vite kanë ndodhur shumë protesta, barrikada, përleshje midis serbëve dhe ushtarëve të KFOR-it. Por është vra vetëm një ushtar austriak i KFOR-it shumë vite më parë dhe më pas janë lënduar jo pak ushtarë të tjerë, deri qershorin e vitit të kaluar. Kur më 24 shtator 2023 e mori situatën policia e Kosovës, KFOR-i ndihmoi terroristët të largoheshin nga vendi i krimit. Ndërkohë viktimat kanë qenë produkt i dhunës që kanë ushtruar serbët. Më shumë serbët e politikanët terroristë të Beogradit, sesa ata të Kosovës. Në këto kushte po themi se ambasadori Hovenier ka frikë se serbët sërishmi do të përballen e përleshen me ushtarët e KFOR-it, nëse hapet Ura e Ibrit.
Por duhet të dallojmë një fakt. Serbët, as terroristët e Beogradit, nuk janë rebeluar përballë ushtarëve amerikanë të KFOR-it. Ata kanë lënduar ushtarë italianë, rumunë dhe të kombësive të tjera, përveç amerikanëve, britanikëve, gjermanëve, francezëve dhe turqve. Përzgjedhja e serbëve për t’i kacafyt me ushtarët e KFOR-it nuk është e rastësishme. Ishte dhe mbetet metodë mashtrimi e presidentit Aleksandër Vuçiq. Mesazhi i tij vazhdon të jetë ky – ne nuk e duam KFOR-in, por me Amerikën nuk matemi. Tani nuk shoh se ka ndryshuar diçka, që të mos përsëritet e njëjta skemë, nëse serbët rebelohen. Pra ushtarët amerikanë i mbron vetë Serbia. Po ashtu Kosova. Ata janë si veshka në dhjamë. Nuk kërcënohen nga askush.
Megjithatë nuk ka asnjë të dhënë se serbët e veriut të Kosovës do të rebelohen, nëse hapet Ura e Ibrit. Përkundrazi, shumica e serbëve në Kosovë e në veri të saj janë pro hapjes së urës. A mund të sjellë trazira pakica? Ndoshta! Por jo në atë masë sa të rrezikohen ushtarët amerikanë apo ushtarë të tjerë të KFOR-it. Askush nuk beson në këtë aksiomë. Hovenier e di më mirë se ne shqiptarët se asnjë ushtar amerikan i KFOR-it nuk rrezikohet në Kosovë, madje as nga serbët vendorë. Ndërsa Aleksandër Vuçiq e di se deri ku shkojnë sinoret e tij të sjelljes. Politika e tij është të afrohet me Amerikën dhe ta mbajë një dorë në „bakllava“ (Rusi) e dorën tjetër në „revani“ (SHBA! Edhe këtë e di ambasadori Hivenier. Së paku duhet t’ia ketë thënë homolugu i tij në Beograd, Christ Hill.
Atëherë nga kush rrezikohen ushtarët amerikanë në Kosovë? Nga shqiptarët?! Kjo nuk ndodh kurrë edhe nëse bota përmbyset! Dhe në përfundim duhet thënë se ushtarët amerikanë të KFOR-it janë të mbrojtur nga autoriteti i SHBA-ve, të mbrojtur nga fuqia që ata përfaqësojnë, të mbrojtur me shumë-shumë kujdes edhe nga popullsia shqiptare e madje ajo serbe në Kosovë. Vetëm nëse ka ndonjë mosmarrëveshje brenda forcave të KFOR-it të asaj përmase sa të çojë në përdorimin e forcës. Por as këtë nuk e beson askush.
Në këto kushte lind dyshimi, pse SHBA-të nuk duan të hapet Ura e Ibrit. Ushtarët amerikanë nuk rrezikohen. Statusi i tyre në Kosovë nuk rrezikohet. Autoriteti amerikan nuk kërcënohet. SHBA-të, thotë ambasadori, e kanë mbështetur pavarësinë dhe integritetin territorial të Kosovës. Dhe kjo është e vërtetë, së paku me deklarata. Ashtu siç është e vërtetë se në zyrën ovale të Presidentit Amerikan do të nënshkruhej marrëveshja Kosovë-Serbi për ndryshimin e kufijve dhe ndarjen e Kosovës. A mos ndoshta vazhdojnë SHBA-të të përkujdesen për projektin e ndarjes së Kosovës dhe në pamundësi ta deklarojnë këtë, na thonë se „Hapja e Urës së Ibrit rrezikon jetën e ushtarëve amerikanë të KFOR-it“?!
Dhe sa më shumë thellohet debati, po më duket se aq më shumë shtohen paqartësitë, dyshimet, dhe shqetësimet dhe mosbesimi i qytetarëve të Kosovës për fatin e veriut të vendit. Të rrijmë shtrmbër e të flasim drejt, se Zoti nuk rrehet! Ishin SHBA-të ato që nxitën Francën e Gjermaninë të bllokojnë pranimin e Kosovës në Këshillin e Europës. Ishin SHBA-të që mbështetën fuqimisht Open Balkan! Tani nuk duan as hapjen e Urës së Ibrit! Nuk kanë dashur të zhvillohet asnjë akt që forcon sovranitetin e shtetit. Madje kritikuan ashpër mbylljen e qendrave postare të Serbisë. Dhe të gjitha u kundërshtuan me arsyetimin se „rrezikohet paqja“! Edhe pse paqen e rrezikonte dhe e rrezikon Beogradi, i kërkojnë Kosovës të heqë dorë nga territori e sovraniteti! Besimi bazohet në akte shumë më tepër sesa në deklarime.