Ofensiva mediale e dallaukëve

Opinione

Ofensiva mediale e dallaukëve

Nga: Zejnullah Jakupi Më: 26 gusht 2024 Në ora: 09:06
Autori Zejnullah Jakupi

Na ´mbytën´(na lanë gojëhapur!!!) ekspertët ndër ta edhe ky Burim Ramadani (AAK)! Si ky, ka shumë të cilët kanë punuar në AKI dhe natyrisht, shihet se nuk përfaqësojnë atë dije që e kanë marrë aty, di vetëm të jetë i njëanshëm. Në intervistën e tij në Nacionale Videos e ka treguar dukshëm njënashmërinë në analizën politike. Me këtë rast po pohoj se; askush nuk po thotë se Albin Kurti dhe partneriteti me SHBA-në nuk është i shenjtë. Askush nuk po thotë se mbështetja e SHBA-ve nuk është ekzistenciale për sigurinë tonë etj etj.

Ky eksperti B. Ramadani duhet ta dijë se avantura politike më shumë se Hashim Thaçi, Isa Mustafa dhe Ramush Haradinaj nuk ka bërë asnjë lider deri më tani, pra as Albin Kurti. Por, dallimi me Albin Kurtin është ky; ai i ka bërë dhe po i bënë me koordinim dhe me strategji, me këtë i fitoi të gjitha betejat politike, përpos hapjen e urës se natyrisht u ngritën në këmbë, i madh e i vogël, deri sa erdhi edhe shefi i CIA-së personalisht në Kosovë.

Mos harrojmë se ardhja e shefit të CIA-së në vendin e ngjarjes në shtetet fqinje dhe natyrisht në Kosovë nuk ka mundur të ndodhë ndryshe. Sepse ai nuk është në rolin e diplomatit që disa të tillët parapëlqejnë t´i kryenin ´detyrat´me telefonata, të cilat natyrisht Rusia dhe Kina i përgjojnë me lehtësi, siç ndodhi një skandal i tillë në Gjermani në fillim të këtij viti. Ardhja e shefit të CIA-së, gjithashtu, sipas analistit nga BBC mund jetë narrativa e një sukses të politikës së jashtme amerikane para konkludimit të zgjedhjeve në SHBA.

Huqet e qeverive të kaluara

Ta kujtojmë, në kohën sa ishte në pushtet Burim Ramadani, na kujtohet se u intervenua në Veri dhe në këtë intervenim u vra heroi Enver Zymberi. Qeveria e asaj kohe e Hashim Thaçit u kritikua nga SHBA dhe shtetet e Kuintit më shumë se tani ajo e Albin Kurtit, sepse atëherë qeveria e Kosovës, sipas shteteve të Kuintit kishte intervenuar krye në veti, pa marrë pëlqimin e Bashkësisë Ndërkombëtare. Gjithashtu Albin Kurti nuk e prodhoi 25 shtatorin 2023, por këtë e bëri Serbia me bandat e saja kriminale diverzive të udhëhequra nga Millan Radojçiq.

Në kohën e Burim Ramadanit u miratua edhe Fusnota, pikërisht në këtë kohë. Me këtë marrëveshje nga viti 2012 u hoq dorë pjesërisht nga shpallja e pavarësisë nga 17 shkurt 2008. Shumë ngjarje tjera ishin vetëm ditë të zeza për Kosovën. E ato ishin; nënshkrimi i marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel më 19 prill 2013 dhe tutje ajo e gushtit 2015.

Gjithashtu një mori ngjarjes të brendshme, siç ishin vrasjet (të quajtura nga pushteti si vetëvrasje) në burg të aktivistëve të LVV, burgosjen e shumë anëtarëve të LVV-së të cilët ishin edhe anëtar të Këshillit të Përgjithshëm, miratimi i Gjykatës Speciale, shpalljen e planit për korrigjim të kufijve etj.

Sukseset e Albin Kurtit dhe qeverisjes së tij janë shumë të dallueshme nga qeveritë tjera

E para, Albin Kurti i pamundësoi njëherë e përgjithmonë mbatjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë.

S´dyti, e luftoi korrupsionin, e parandaloi sulmin diverzant dhe terrorist të bandave kriminale ushtarake e paramilitare serbe në krye me Millan Radojçiq.

Dhe s´treti, hoqi tabelat e shtetit paralel të Serbisë në Kosovë, shpalli organizatat e serbëve lokalë-organizata terroriste që ishin involvuar në krime dhe propagandë ndaj shtetit të Kosovës, e përzuni Millan Radojçiq, ja konfiskoi pasurinë dhe villat, i vendosi kryetarët e zgjedhur në veri të Kosovës, hoqi dinarin nga qarkullimi zyrtar dhe tani dëshiron që ta hap edhe urën, dhe ky hap po konsiderohet si fushatë elektorale.

Albin Kurti dhe qeveria e tij kurrë nuk kanë folur keq për SHBA-në, por është pikërisht diskursi i opozitës- i humbësve të zgjedhjeve, të cilët e kanë interpretuar si të tillë dhe kanë sjellur hasmëri në këtë diskurs. Burim Ramadani nuk paska lexuar asnjë libër të historisë së Luftës së Dytë Botërore. Gjendjen e tanishme në Ballkan dhe më gjerë e krahason me atë të viteve 1930. Absurde.

Përgjigja se vizita e shefit të CIA-së Burns e "vrau" populizmin e Albin Kurtit është gjithashtu një pohim banal. Pikërisht narrativin populist e ka shpikur shumë herët opozita e tanishme kur flisnin me dy gjuhë. Një gjuhë ishte për konsum të brendshëm, kur ju flisnin qytetarëve tanë dhe një gjuhë tjetër, më e moderuar, e përdornin kur flisnin me diplomatë të huaj, me shtetet mike si për shembull me SHBA-në, në Gjermaninë, etj.

Tani po xhelozojnë pse Albin Kurti e zgjoi vëmendjen amerikane dhe, për të biseduar me të duhet të vihet në Prishtinë, sepse Kosova tashmë është shumë më syhapur dhe e vendosur se sa më parë. Dhe, SHBA-të e dijnë - ose çdo diplomat, qoftë ky politik apo nga sfera e sigurisë – e di se Kosovën e ka aleat të përhershëm, shtet mik, ashtu siç e ka Izraelin, Britanin e Madhe, Shqipërinë, Francën, Gjermaninë, Japoninë etj.

Z. Burim Ramadani na tregoi se kush kanë qenë dhe kush janë edhe sot tupangjinj të pushtetit!!! Ky me shokë janë në të vërtetë ata që shpifin për Albin Kurtin dhe qeverinë e tij, madje ata janë edhe njerëz mazohistë, sikur gazetarët e tyre, që kanë shpifur dhe po shpifin edhe ndaj presidentes Vjosa Osmani.

E si vallë të jetë Albin Kurti një populist ose një kryeministër që do të konfrontohet me SHBA-në kur po ky Albin Kurti më shumë se çdo kryeministër tjetër, ashtu ka vepruar edhe presidentja Vjosa Osmani, të jenë vazhdimisht në anën e SHBA-ve, në anën e duhur kundër agresionit rus në Ukrainë e kundër Rusisë, kundër luftës agresive e okupuese të saj, të cilën po e bënë në Ukrainë.

Pas shtetit të Izraelit Kosova ka qenë dyshi, Albini dhe Vjosa në zë, me paraqitje në CNN, BBC etj, për ta mbrojtur politikën strategjike të SHBA-vë në botë dhe në Ballkan, kundër Rusisë. Kjo qeveri nuk ka patur kurrë bojkotim nga shtetet tjera, siç kishin në të kaluarën disa krerë të institucioneve të Kosovës në Gjermani dhe shtetet tjera, sidomos në Gjermani, të cilat nuk po i përmendi. Shërbimi sekret gjerman i kishte listuar në listën e elitës korruptive dhe të rrezikshme për sistemin demokratik, prandaj jo rastësisht u krijua edhe Gjykata Speciale, pikërisht për të hequr nga skena politike elitën e kompromituar.

Edhe pas ardhjes së W. Burns, qeveria e Kosovës në krye me Albin Kurtin do të qeverisë me vendin. Shprehjen turpëruese „Amelika Amelika“ e ka përdorur opozita atëbotë lajkatare dhe me këtë e rrëzoi Albin Kurtin I nga qeverisja.

Tashmë është e ditur se çdo qeveri duhet të koordinohet me SHBA-në, por nuk përjashtohen mospajtimet diskursive për çështje të brendshme vetëqeverisëse e të cilat janë shpesh të frytshme dhe, natyrisht ardhja e shefit të CIA-së e tregoi se vetëm kur diplomatët e SHBA-ve dhe shteteve të Kuintit nuk kanë fuqi ose kërkojnë ndihmë për vendime, që të bëjnë diplomaci koordinuese me vendorët, atëherë i duhet që shefi të vije personalisht në vendin e ngjarjes.

Asnjë ambasador, asnjë diplomat dhe asnjë shef i CIA-së nuk mund t´i dije problematikat në vendin e ngjarjes, në vendet e caktuara, më mirë se vendorët, prandaj mbledhin informata. AKI qeveria dhe çdo sektor i sigurisë ja ofron shtetit tonë mik SHBA-ve këtë informacion, ia lehtëson punën. Gjithsesi SHBA-të kanë mekanizmat e tyre, mbledhin info edhe në mënyrë të pavarur.

Normalisht ardhja e W. Burns në shtetet e Ballkanit ka patur synim edhe të frikësimit simbolik, por kurrë nuk e besoj se ky frikësim i atribuohet qeverisë së Albin Kurtit sikur e gjithë qeverive më parë, të cilat kanë patur synkronizim të plotë me SHBA-në. Prandaj duhet thën se Kosova është këmbë e krye me SHBA-në. Lobi hebreo-amerikan që e mbështet Kosovën dhe Shqipërinë dhe vendet ku anojnë shqiptarët ka fuqi që ta relativizojë ose inicojë edhe rolin e agjentit kur vije në pyetje kjo miqësi.

Diskursi shpifës i dallaukëve

Sikur Burim Ramadani njëjtë ka reaguar edhe eskorta anti-Kurti. Mbase këta (eskorta e gazetarëve nga koha e Pronto-së) e kanë siguruar terrenin, pra kodi penal nuk e ka brenda nenin për shpifje, për këtë këta nuk i ndalin shpifjet. Natyrisht kur bëjnë shpifje të tilla, as policia por as njësia speciale nuk i ndjek ose të informohet se nga cila studio (media) po vijnë shpifjet e tilla, manipulimet e rënda dhe pastaj forcat e rendit të intervenojnë për t´i ndaluar këto shpifje duke i arrestuar të dyshuarit.

Ditë më parë para se në Kosovë të vinte W. Burns, shefi i CIA-së shumë gazetarë shpifën haptas e me këtë dezinformuan opinionin dhe me këtë kanë mundur të nxisin revolta, me kërcënimin e bërë ndaj kryeministrit Kurti duke thënë se shefi i CIA-së nuk do ta takojë Albin Kurtin madje u tha se nëse vije deri te hapja e urës (Kadri Kryeziu) Albin Kurti mund edhe të arrestohet.

Dhe, në ditën kur e takoi – kur ndodhi takimi- ata sërish spekuluan, duke thënë se takimi ka ndodhur, por kishte qëllim tjetër; të gjithë këta që i ka takuar do të përfundojnë në listë të zezë të SHBA-ve. Dhe, shpifja drastike u bë nga Baton Haxhiu kur pohoi në editorialin e tij në Albanian Post (24.08.2024) lidhur me vizitën e W. Burns në Ballkan kur tha se "Aleksandar Vuçiç, Milorad Dodik dhe Albin Kurti, këta vëllezër politik, përpiqen të navigojnë mes dyerve të mbyllura të shërbimeve të inteligjencës, duke kërkuar marrëveshje të fshehta në vend të negociatave të hapura dhe institucionale", prandaj sipas tij për këtë kishte ardhur në ballkan shefi i CIA-së!!!

Shpifjet e rrezikshme

Siç u pa me citimet sa më lartë, shpifjet janë të rrezikshme, sepse e nxisin opininin për ta legjitimuar sulmin, nxitjen e urrejtjes ndaj krerëve të institucioneve.

Opozita, në këtë rast përmes Burim Ramadanit dhe akterëve të tjerë nga opozita, mes tyre edhe gazetarë, po përhapin thashetheme e me këtë dëshirojnë të dëmtojnë imazhin e kryeministrit Albin Kurti përmes narrativës së tyre - shpifjeve dhe thashethemeve. Akterët në fjalë po tregojnë gjoja ´fakte´ ose gjëra të ´pakëndshme´ për Albin Kurtin dhe qeverinë e tij të cilat nuk mund të vërtetohen (ashtu siç bëri portali Nacionale për presidenten lidhur me Skandalin nga Ferizaji).

Thashethemet e tyre, të bëra, janë pretendimet të pavërteta. Dy mekanizmat e tyre, shpifja dhe thashethemja, kanë një sfond fyes. Në të dyja rastet, bëhet fjalë për gënjeshtra që dëmtojnë reputacionin e kryeministrit Albin Kurti, presidentes Vjosa Osmani dhe institucioneve tjera.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat