Arsimi sot

Opinione

Arsimi sot

Nga: Naim Kurtishi Më: 13 shkurt 2025 Në ora: 13:33
Autori Naim Kurtishi

Ministria përgjegjëse për arsimin është duke ndërtuar një realitet siç ajo di dhe siç ajo dëshiron. Tashmë, ndërmarrja e "nismave dhe lëvizjeve" të njëpasnjëshme, aspak të menduara, sa për mësuesit, sa për nxënësit dhe sa për prindërit, e ka kthyer këtë ministri në një dështim të pashmangshëm. Dështimi i saj me mungesën e teksteve shkollore dhe me plot gabime gjuhësore, si dhe me programe të stërngarkuara, ka prekur pjesë themelore të shkollës; dështimi i saj ka një impakt të madh. Realiteti i hidhur që vjen nga shkolla është tregues i dëmtimit të madh që i është bërë mësuesit, nxënësve dhe shkollës.

Të pamotivuar dhe të pakënaqur, të paqartë dhe të pasigurt në punën e tyre, mësuesit realisht po kalojnë një makth. Puna e tyre është kthyer në administrim, në stres, pasi ndihen të dobët për të përballuar këtë arrogancë, e cila ka lëkundur aftësitë e tyre profesionale. Me nisma dhe portale, me link-e e smartfonë, E-ditare pa libra, fotokopje të ditareve, mësuesi i mjerë është shkëputur nga mësimdhënia, procesi më i rëndësishëm, sepse ai është kthyer në letër-shkrues, mbushës formularësh dhe dokumentash fiktive për vlerësimin e nxënësve dhe, së fundmi, në plotësues pyetësorësh sa herë që ministria ka nevojë të fshihet si struc. Të pambrojtur dhe të çarmatosur, mësuesit ndjehen të pafuqishëm për të kundërshtuar, por më keq akoma, të detyruar t’i thurin lavde shpërfilljes dhe denigrimit që i bëhet, duke shkelur mbi personalitetin dhe figurën e tyre, e cila është plotësisht rrënimtare.

Po, pse është kaq e vështirë të bëhen gjërat në rrugë të drejtë?! Ministria do të duhet të marrë vlerësime së pari nga ekspertë dhe sugjerime nga nxënësit, mësuesit dhe prindërit për ndryshimet që janë bërë. Dhe kjo është normale dhe e domosdoshme kur proceset janë të menduara mirë, kur grupe specialistësh vendosin për ndryshime në përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies dhe të nxënit dhe përcaktojnë kohën kur do të ndodhin. Por, këtu ngërçi fillon që në zanafillë; ndryshimi në strukturën mësimore. "Në këtë çoroditje të sistemit, krijuar nga vetë ministria, të kërkosh vlerësim nga mësuesit për një proces të deformuar, pasi shkolla kishte planifikuar një tjetër strukturë, është t’i denigrosh mësuesit përballë nxënësve, të cilët kanë jetuar këtë anormalitet, t’i denigrosh mësuesit përballë prindërve të shqetësuar për të nxënët e fëmijëve dhe t’i denigrosh mësuesit përballë shoqërisë si të paaftë në menaxhimin e situatës. Po si mund t’i pyesësh të gjithë këta aktorë kur nuk i bëre pjesë të ndryshimit?"

Djallëzia e përfshirjes së mësuesit në papërgjegjshmërinë e ministrisë, duke e përdorur edhe si sukses të saj, është dështimi dhe fundi i marrëzisë së shkatërrimit të mësuesit dhe shkollës. Mësuesi nuk mund të jetë plotësues i tekave të ministrisë, ai është krijues, orientues dhe drejtues i shoqërisë. Përballë fuqisë së të mirit mësues, pesha e ministrisë është e papërfillshme. Dhe, ministria e Arsimit, ministrja duhet ta dijë mirë këtë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat