Komuniteti boshnjak në Kosovë, që ka rreth 30 mijë banorë, prej vitesh kërkon themelimin e tri komunave të reja në lokalitetet ku janë shumicë. Duda Balje nga ky komunitet ka dhënë votën e saj për cilëndo qeveri me formimin e komunës së boshnjakëve (Komuna e Zhupës). Duda Balje nuk është e sinqertë, pasi ajo ka thënë në një intervistë para pak kohësh në një televizion në Bosnje se boshnjakët në Kosovë janë të diskriminuar pozitivisht, madje ka pohuar se ata kanë më shumë të drejta se boshnjakët në Bosnje.
Është pikërisht zonja Balje që akuzonte Adrijana Hoxhiq se, bashkë me koalicionin VAKAT, kishin për qëllim krijimin e komunave boshnjake që më pas do të bashkoheshin në Asociacionin e Komunave me Shumicë. Madje kishte deklaruar se "jemi në fazën e përgatitjes së ankesës që do të dorëzohet në PZAP, Gjykatën Supreme dhe në fund në Gjykatën Kushtetuese." Tani, vetë kërkon formimin e komunës boshnjake, çka cenon edhe kushtetutën e shtetit.
Duda Balje duhet të tregohet e sinqertë dhe të shpjegojë pse dikur kundërshtonte formimin e komunave boshnjake dhe tani e kërkon një gjë të tillë. Kërkesa e saj është populiste dhe e rrezikshme për sovranitetin e vendit, dhe ngadalëson hapin e Kosovës në rrugën e saj drejt BE-së. Siç e thoshte edhe vetë Duda, boshnjakët dhe të gjithë minoritetet në Kosovë kanë shumë të drejta, aq sa nuk kanë asnjë arsye për ankesë.
Kosova nuk guxon të shndërrohet në eksperimente populiste të politikanëve të ndryshëm. Ajo ka Kushtetutën, nga e cila burojnë të gjitha të drejtat për të gjithë qytetarët, të drejta që minoritetet i gëzojnë më shumë se në çdo vend të botës.