Fati i të pagjeturve sikur mbetët akoma në duart e përgjakura

Opinione

Fati i të pagjeturve sikur mbetët akoma në duart e përgjakura

Nga: Dedë Preqi Më: 2 prill 2025 Në ora: 18:32
Autori Dedë Preqi

Ku mbetët fati i të pagjeturve, apo i personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë, që nuk është e pranueshme në asnjë shoqëri njerëzore me politika dhe manipulime të tilla sikur bënë pala serbe, e cila një çështje të ndjeshme po e bënë «asgjë», dhe BE-ja, fare pak i bënë presion Serbisë, që e shtynë këtë çështje përpara, duke mbetë peng i kësaj politike, janë edhe 1600 njerëz akoma të pagjetur.

Janë shumë të rënda ndjenjat e dhimbjeve njerëzore, të cilat e brejnë dhe e mundojnë shpirtin e tyre, duke vuajtur për të afërmit e vet, të cilët lufta barbare e Millosheviqit, i masakroi dhe i rrëmbeu kufomat e tyre, duke i fshehur dikund… për t’ua humbur gjurmët e tyre.

Ndërkaq, përveç pa mundësisë së organeve vendore, është një veprim i zbehtë edhe i Bashkësisë ndërkombëtare, gjegjësisht i BE-së, që nuk i bënë presion Serbisë, dhe Vuçiqit, i cili me qëllim nuk i zbulon të pagjeturit, që është më shumë se një lojë politike dhe mosveprim serioz për një çështje shumë të ndjeshme, në veçanti për familjarët që presin me vite të afërmit e tyre.

Edhe veprimet e qeverisë së Kosovës, deri tani janë fare pak indikative në fushëveprimet e veta, e cila në marrëveshjet e saj me shtetin e Serbisë, dhe marrëveshjet në Bruksel, asnjëherë nuk e kanë definuar si duhet çështjen e të pagjeturve, me ç ‘rast nuk mund të pajtoheshim me marrëveshjet e tilla, të cilat ende nuk kanë rezultate për fatin e këtyre njerëzve të pafajshëm.

Fati tragjik dhe i dhunshëm i këtyre njerëzve është një çështje e cila për aq vite pas luftës, duhet të ishte çështje e zgjidhur, që do ta ndryshonte edhe gjendjen e atyre familjarëve të cilët presin ditë e natë me padurim dhe ankthe, së paku të dinë se ku i kanë njerëzit e vet dhe të dinë diçka për të kryer ndonjë obligim ndaj tyre.

Natyrisht, përpjekja e familjarëve kosovarë ka qenë gjithherë e gatshme, mirëpo, dihet se kompetencat e tyre gjithnjë kanë qenë të kufizuara, po aq edhe të personave të autorizuar në Kosovë, mirëpo sa i përket qeverisë së Kosovës, angazhimi i tyre ka qenë i zbehur, për shkak të kompetencave të kufizuara për të qenë aktiv dhe serioz në zgjedhjen e këtij problemi të dhimbshëm, sikur këtë dhimbje nuk do ta ndjente tjetri, apo ai, që nuk iu ka dëmtuar edhe asnjë zog pule.

Është një dështim i pa mohueshëm edhe për politikat dhe angazhimin e BE-së, e cila fare pak i bëjnë trysni shtetit të Serbisë, për ta kushtëzuar për veprimet e saj jo serioze dhe jo njerëzore, kur dihet se qeveria e Vuçiqit, i ka të gjitha të dhënat e krimit dhe luftës së Millosheviqit, e cila duhet të përgjigjet për të kaluarën kriminale dhe gjenocidiale ndaj këtyre njerëzve të pa fajshëm.

Vetë kjo e vërteton faktin dhe fatin e këtyre të pagjeturve, si një tërësi e fatit tragjik të një populli, ku shkrihen të gjitha ëndrrat dhe vuajtjet e tij, i cili popull ishte i pafajshëm, por akuzohet vetëm pse dëshironte lirinë dhe të drejtat e veta, i cili nuk heqi dorë asnjëherë, duke mbetur gjithmonë idol i lirisë dhe demokracisë së vendit të vet.

Thjeshtë, Serbia dhe politika e saj në krye me Vuçiqin, nuk kanë treguar deri me sot një disponim dhe vullnet së paku të vërehet një shkëputje nga e kaluara, por përkundrazi, ajo edhe sot me intrigat dhe mitet e saja të qelbura, pretendon ta sulmojë përsëri Kosovën, e cila ëndërr i është shuar njëherë e përgjithmonë në vitin 1999, me ndërhyrjen e NATO-s, dhe vulën përfundimtare e ka marrë me 17 shkurt, 2008, me pavarësinë e Kosovës.

Në shenjë përkujtimi dhe respekti, Kosova dhe qeveria e saj, e ka legjitimuar 30 gushtin, si « Dita Ndërkombëtare e të Zhdukurve », dhe « 27 prillin, Dita e të pagjeturve » , si dy data të rëndësishme, që shënon dhe përkujton identitetin e të zhdukurve, të cilën datë e shënojnë edhe 90 vende të botës, duke mbështetë fatin e viktimave të pafajshme, dhe vetëm në rajonin e Ballkanit, Kryqi i Kuq, ka konstatuar se janë më se 11,859 persona të pagjetur, si pasojë e luftërave në mes viteve 1990-1999, të cilat i shkaktoi regjimi i Serbisë.

Politika e Kosovës karshi Serbisë duket jo produktive, sepse politika e Serbisë, nuk është e sinqertë dhe korrekte ndaj saj, dhe e cila nuk është shkëputur nga e kaluara e saj kriminale dhe fashiste, por ajo që thotë në marrëveshjet teorike në Bruksel dhe gjetiu, nuk përputhët në praktikë fare, por përsëri vazhdon edhe sot me të kaluarën e saj në krye me Vuçiqin.

Dhe një dialog i mirëfilltë dhe i sinqertë me shtetin e Serbisë, në krye me Vuçiqin, nuk do të ekzistoi ndonjëherë, që do të ishte vetëm një iluzion, sepse ky vend me këtë garniturë politike si pasardhës të Millosheviqit, do të ishte e kotë, prandaj nëse e kërkojmë një dialog normal në mes këtyre dy popujve, do duhej të ndryshonte vetëm me ndihmën dhe politikën e SHBA-ve.

Lojrat politike të Serbisë, janë lojra të pakuptimta dhe të rrezikshme, përveç se po luan me fatin e të gjallëve, ajo po bënë lojra edhe me të vdekurit, siq janë të pagjeturit e luftës në Kosovë, që i mbanë peng me vite të tëra të pa identifikuara dhe të pa zbuluara, të cilët po i shfrytëzon në format më perfide, duke i zbuluar një numër të vogël të tyre, vetëm atëherë kur i nevojiten për të përfituar prej Bashkësisë Ndërkombëtare.

Një politikë e tillë e Serbisë, nuk do të prodhonte stabilitet në Kosovë dhe rajon, e cila po i bënë magji edhe BE-së dhe të tjerëve, duke mos heqë dorë nga Rusia dhe komplekset e një modeli okupues dhe dominues ndaj popujve që mundohen të ndërtojnë thëmelet e lirisë dhe demokracisë, sikur mosdistancimi i luftës nga Rusia, që synon pushtimin e shteti demokratik dhe sovran të Ukrainës.

Të pagjeturit, si një çështje e pagjetur deri më tani, mbetët një temë e veçantë, e cila duhet të prek thellë jo vetëm shpirtin e popullit të Kosovës, por edhe të tërë Bashkësisë Ndërkombëtare, dhe si mundësi e zgjedhjes së këtij problemi në dialogët dhe marrëveshjet me shtetin e Serbisë, të bëhet një lloj kushtëzimi i veçantë ndaj saj dhe të përcaktohet një afat i mundshëm ndaj kësaj çështje për të pagjeturit shqiptarë dhe të tjerë.

Serbia duhet të detyrohet nga Bashkësia Ndërkombëtare, që ti zbulojë gjitha arkivat e saj të luftës për gjithë të zhdukurit me dhunë nga Kosova, në veçanti në luftën e fundit, dhe eshtrat e tyre të kthehen dhe të prehen në tokën e tyre, dhe kriminelët të dënohen në bazë të ligjeve ndërkombëtare.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat