Në Kosovë, më 14 prill shënohet Dita e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë luftës së fundit. Kjo ditë, sipas autoriteteve, është shpallur për "ta njohur dhimbjen" e të gjithë të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës dhe për t’i kontribuar kujtesës kolektive.
Pikërisht në këtë ditë, historinë e tij të dhimbshme të dhunimit seksual e rrëfeu Ramadan Nishori, i cili me forcën e guximit i dha kurajo të gjithë të dhunuarve të tjerë.
Deri më tani, 84 burra kanë fituar statusin e viktimës së dhunës seksuale, por asnjëri prej tyre nuk ka dalë me emër e mbiemër si Ramadan Nishori për të treguar historinë e tij, ndonëse, siç tha edhe vetë Ramadani, “turpi u takon atyre që kanë kryer dhunim seksual”.
Sipas deklaratave publike të zyrtarëve të institucioneve të Kosovës, gjatë luftës së fundit kanë ndodhur rreth 20 mijë raste të dhunës seksuale. Historia e viktimave të kësaj dhune është po aq e panjohur sa edhe numri i saktë i rasteve. Traumat e tyre të patrajtuara i kanë vuajtur, në disa raste, edhe fëmijët e tyre.
Pavarësisht numrit shumë të madh të të dhunuarve seksualisht, deri më tani vetëm një person është dënuar në Kosovë me 13 vjet burgim për kryerjen e veprës penale të dhunës seksuale gjatë luftës.
Është për t’u përshëndetur propozimi i disa kongresistëve amerikanë për një rezolutë drejtuar Komisionit të Punëve të Jashtme, përmes së cilës bëhet thirrje që t’i jepet fund pandëshkueshmërisë së krimeve të dhunimeve seksuale gjatë luftës së vitit 1999 në Kosovë, të kryera nga forcat serbe.
Në këtë rezolutë, kongresistët i referohen rastit të shtetases amerikane dhe të mbijetuarës së dhunimit seksual gjatë luftës në Kosovë, Vasfije Krasniqi Goodman, si dhe të mbijetuarave të tjera të dhunës seksuale dhe dhunës së bazuar në gjini.
Vasfija dhe Ramadani janë heronj të gjallë të dhunës seksuale — dëshmi e asaj që ka ndodhur, forcë dhe kurajo për të gjithë ata e ato që janë pjesë e këtyre përjetimeve, që të mos kenë turp të dalin hapur, pasi turpi u përket atyre që kanë kryer këto krime.