Kandidatura e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit nga Vetëvendosje për shumë kë ishte e papritur dhe, si e tillë, shkaktoi befasi edhe tek opinioni publik. Pritej që Fatmir Limaj të ishte kandidatura e VV-së, pasi thuhej se marrëveshja ishte arritur me Nismën. Disa të tjerë kishin pritur që z. Glauk Konjufca të ishte kandidati, por asnjëra nga këto nuk ndodhi.
Kandidatura e znj. Haxhiu shihet si një “provokim” ndaj opozitës, për shkak të divergjencave të mëdha që ajo ka pasur si ministre e Drejtësisë me këtë kamp politik, si edhe për kritikat e saj të forta ndaj tyre. Në këtë drejtim, kandidatura e saj mund të konsiderohet si një lojë politike e z. Kurti për t’i bërë presion z. Limaj në mënyrë që të arrihet marrëveshja. Kjo marrëveshje ka mbetur pezull për shkak të kërkesave të kryetarit të Nismës, ndër të cilat është edhe ajo për pragun zgjedhor.
Kjo duket të jetë edhe pengesa kryesore për arritjen e një marrëveshjeje, me z. Kurti që, me vetëdije, po e bllokon zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit për të mos hyrë në afatet ligjore për formimin e qeverisë. Kurti e dinte që znj. Haxhiu nuk do të votohej nga opozita — ndryshe nga çfarë mund të ndodhte me z. Konjufca — prandaj edhe e kandidoi atë. Kjo është një taktikë e tij për të ushtruar presion ndaj opozitës, e cila duket se po zbutet. Në fillim deklaronin se nuk do të votonin asnjë kandidat nga VV, ndërsa tani po thonë se mund të votojnë dikë “më të përshtatshëm”, duke përmendur edhe emra si ai i znj. Bogujevci.
Kurti po arrin një fitore në raport me një opozitë që po lëkundet, por edhe ndaj z. Limaj, i cili duket i gatshëm të hyjë në marrëveshje me Kurtin edhe pa i plotësuar të gjitha kërkesat e tij paraprake.