Made in Albania: Komedia Vazhdon për 4 vjet!

Opinione

Made in Albania: Komedia Vazhdon për 4 vjet!

Nga: Adriana Istrefi Më: 10 maj 2025 Në ora: 09:54
Autorja Adriana Istrefi

Në Shqipëri, çdo ditë është një episod i ri i një seriali të pafund, ku dramat politike dhe lajmet për Europën, janë pjesë e pandashme e jetës tonë. Duket sikur gjithë vendi është shndërruar në një skenë ku aktorët më të mëdhenj janë politikanët. Për të mos përmendur ata që janë të pranishëm "live" çdo ditë në Facebook, që ndoshta janë më të famshëm se ata në serialet turke.

E kush mund të thotë se Shqipëria është një vend i pamundur?!

Korrupsioni ka kaluar në një fazë të re. Kjo nuk është më vetëm një praktikë që ndodh në zyra shtetërore, por është një fenomen që ka përfshirë çdo aspekt të jetës shoqërore: nga shërbimet publike, te marrëdhëniet me bizneset private, deri te marrëveshjet e “paqes” që bëhen në kafenetë e lagjes. Kjo është Shqipëria, "Made in Albania", me origjinë 100% vendase, por e “eksportuar”me shumë like dhe show.

Dhe teksa korrupsioni është ulur këmbëkryq midis nesh, del në pah Protestuesi. Protestuesi shqiptar është si ai shoku që gjithmonë ka një ide brilante, por që, kur vjen puna për ta realizuar, harron të sjellë materialet dhe fundi është gjithmonë i njëjtë: shumë zhurmë dhe asnjë rezultat. Ai del në rrugë me flamuj dhe parulla, duke thënë se do të rrëzojë sistemin dhe do të sjellë ndryshimin.

Problemi është se, pasi ka bërtitur për disa orë, ai kthehet në shtëpi, ndalon për një kafe dhe shikon lajmet, ku politika thotë “Korrupsioni është armiku ynë i përbashkët”, ndërsa ata politikanë që protestuesi kërkon të largojë, shijojnë jetën e tyre të qetë, duke numëruar paratë e korrupsionit. Dhe fjalimi i liderëve tanë është gjithmonë i njëjtë: Për Shqipërinë! Ndërkohë që populli po përpiqet të përballojë inflacionin, papunësinë, largimin e të rinjve jashtë vendit, dhe kostot e jetesës që shndërrohen në një lufte çdo ditë.

Kur bëhet fjalë për tenderat, Shqipëria është një vend ku gjithçka mund të fitohet, por me shumë mundësi dhe pak fat. Nuk është çudi të fitosh një tender nga një "përzgjedhje e natyrshme". Ajo që është edhe më interesante, është se këto tendera janë shpallur me një njoftim të tillë që të gjithë të jenë të kënaqur: "Kush ka akses, fiton!"

Në të vërtetë, si shqiptarë, jemi të lindur për t'u përshtatur dhe mbijetuar – kjo është një aftësi që duket se e kemi zhvilluar në një nivel të tillë, sa mund të mbijetojmë edhe në një planet tjetër, po ta kishim mundësinë. Kemi ndërtuar një "ekosistem" që funksionon me një logjikë të thjeshtë: gjithçka është e mundur, përderisa mund të gjejmë një “rrugë tjetër”. “Humbe ? Nuk ka problem! E gjejmë një zgjidhje për pesë minuta!” – është motoja jonë, e cila përfundon gjithmonë me një shpjegim të shkurtër për ata që nuk e kuptojnë: "Ne jemi shqiptarë, na duhet vetëm një telefonatë dhe çdokush mund të gjejë gjithçka." Dhe kjo është një aftësi e vërtetë: asnjë nevojë për diplomë universitare, sepse ne kemi “shkollë jete” dhe kalojmë çdo sfidë, nga "Si të shpëtojmë nga ligji?" deri tek "Si të japim mend?".

Vetëm pak ditë larg zgjedhjeve në Shqipëri dhe “lufta” vijon akoma. Kjo është koha kur shqiptarët bëhen politikanë për një ditë dhe gjithkush ka një ide brilante për të shpëtuar vendin. Tashmë është një sport popullor për të të mbushur mendjen se: Kush parti është më e mirë?

Zgjedhjet në Shqipëri janë një ngjarje në kufirin e absurdit. Kandidatët shfaqen si superheronj që do të shpëtojnë vendin, por realiteti është që po i shohim duke shpërndarë premtime që janë më të rrezikshme sesa ato që na kanë premtuar vitet e kaluara. Zgjedhjet përfaqësojnë më shumë një ritual simbolik sesa një proces real demokratik, ku gara është shpesh e paracaktuar, premtimet janë të ricikluara dhe qytetari mbetet spektator në një shfaqje që përsëritet çdo katër vjet me të njëjtët aktorë dhe të njëjtin skenar. Një momentum ku shpresa dhe realiteti bëhen të padallueshëm, sepse, në fund të fundit, nuk është ashtu siç duam ne, por ashtu siç na lënë të mendojmë.

Po si do të ndryshojë kjo situatë? E vërteta është se ne nuk dimë me siguri. Të gjithë kemi shpresën që ndoshta një ditë do të bëhet ndonjë ndryshim. Disa janë të bindur se kjo është vetëm një fazë kalimtare, dhe se Shqipëria po shkon drejt një transformimi të madh dhe të fuqishëm. Por shumica e popullsisë nuk është e sigurtë që ndryshimi ka mbërritur ende, prandaj shohim çdo ditë humor dhe sarkazëm, ne studio, parlament, në rrugë e lagje.

Në fund, ajo që është e sigurt është se të gjithë ne do të vazhdojmë të bëjmë atë që dimë të bëjmë më mirë: të qeshim dhe të bëjmë sikur besojmë. Dhe, sigurisht, do të vazhdojmë të shpresojmë që ndoshta një ditë të gjejmë “dritën” që na premtohet ose të paktën një WIFI të shpejtë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat