Nëse e shikojmë përmes "doktrinës" së një sociologu të institucioneve, të gjithë këtë "skizofreni politike" që po luhet rreth konstituimit të organeve të Kuvendit, me siguri do ta shpallnim pa asnjë dyshim si një proces të dështuar dhe disfunksional. Do ta shpallnim të tillë edhe për shkak të vazhdimit të të gjitha atyre seancave të kota, ku nuk vumë re asnjë dobi tjetër përveç rritjes së pasigurisë strukturore dhe aktivizimit “online” të mekanizmave informalë (grupet klanore, klientelizmi, rrjetet joformale, etj.), që po i ushqejnë ambiciet egoiste për të “menaxhuar” (lexo: kontrolluar!) tërë procesin e konstituimit të legjislacionit në Kosovë...?!
Pse po e themi këtë?
Sepse:
Po kultivohet kontestimi i legjitimitetit demokratik, ku bllokada seriozisht po e gërryen dhe cenon deri në "palcë" legjitimitetin dhe frymën e demokracisë përfaqësuese, duke penguar funksionimin e mekanizmit themelor të ndarjes së pushteteve dhe debatit institucional.
Po ushtrohet minimi i nivelit të “aksioneve” politike ndaj institucioneve shtetërore, përmes rritjes graduale të mosbesimit qytetar ndaj sistemit.
Po avancohet kultura e konfliktit mbi kulturën e kompromisit – kjo e fundit si një pasuri e çmuar e demokracisë neoliberale.
Po dërgohet sinjali i përjashtimit dhe jo ai i negocimit, gjë që mund të ndikojë negativisht në frustrimin dhe sjelljet e aktorëve politikë dhe të publikut.
Po instrumentalizohet vullneti qytetar, përmes përpjekjeve për të krijuar ndjesinë e (sh)fajësimit ndaj rivalit politik.
Po iniciohet mundësia për krijimin e kushteve për një mobilizim të ri populist, ku subjektet aktuale politike mund të “rrafshohen” në një të ardhme të afërt nga skena politike.
Po aktivizohet cinizmi politik si një model negativ i pjesëmarrjes politike, ku gjeneratat e reja (ajo e “TikTok-ut”) gjithë “dramën” e konstituimit të organeve të Kuvendit mund ta përjetojnë si diçka të huaj dhe jashtë “orbitës” së tyre sociale...