4 ngjarje për t’u gëzuar, por jo “suksese historike”!

Opinione

4 ngjarje për t’u gëzuar, por jo “suksese historike”!

Nga: Xhevat Mustafa Më: 17 maj 2025 Në ora: 09:53
Xhevat Mustafa

1-

Jo ma larg se 1 muaj ma parë shkova me veturë nga "Rruga e Arbrit" në Peshkopi. Vetëm tunelet me 2 korsi për të dy drejtimet e lëvizjes ishin në nivel bashkëkohor...50 km rrugë e re, me 2 korsi e 25 km marrë nga rruga e vjetër e Enverit! Kosto e gjithë rrugës për metër linear apo katror rreth 4- 5 fish më shtrenjte se një autostradë me nga 3- 4 korsi çdo krah se sa në vendet e afërt Kosovë, Maqedoni, Malin e Zi, Kroaci e më të largët, se në Gjermani, Belgjikë, Holandë...Apo sa gjysma e faturës së “Rrugës së Kombit” me nga 2 korsi në të dy anët, vajtje e kthim, e cila është gati 3 fish më e gjatë si distancë. Për konkretizim, po i referohemi Danimarkës! P.sh, tuneli Nordoyarunnilin në Danimarkë, 6 km e 186 m i gjatë ka kushtuar 52 milionë e 943 mijë e 627 €, ai i yni, i Llogarasë, 6 km, pra 186 m më i shkurtër, ka kushtuar të paktën 180 milionë €… Në ceremonitë e disa hershme të përurimit, qysh nga 29 nëntori 2021, dhe në takimet elektorale para zgjedhjeve të 11 majit 2025, edhe pse sot e kësaj dite, është me muaj larg përfundimit të plotë, Edi Rama dhe kori i tij partiak, qeveritar, mediatik... e kanë reklamuar këtë rrugë gjysmake apo provinciale si “sukses të madh” dhe si “fitore historike” jo vetëm për Dibrën dhe Dibranët! Pra, duke u shprehur SHQIP, kjo rrugë është burim gëzimi, por jo “fitore historike”, që do të ngjisë për mirëqenie në majë të...Korabit!

2-

e kemi traditë apo trashëgim nga Enver Hoxha, nga “epoka” dhe “punishtja propagandistike” e tij edhe përurimi i Aeroportit të Vlorës, “akoma në barkun e “nënës”, u bë me një ceremoni pompoze e me një lumë të fryrë vlerësimesh apo vetëlavdërimesh! Nuk mund të mos kujtohet se përurimi i tij u bë shpejt e shpejt më 8 maj, domethënë 3 ditë para zgjedhjeve të 11 majit 202! Parë jo vetëm nga interesi dhe efekti elektoral, kryeministri Edi Rama dhe krahu i djathtë i tij, nuk dihet me saktësi se deri kur, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Linda Balluku, kanë arsye të ndjejnë dhe shprehin doza të larta gëzimi e krenarie partiake dhe qeveritare. Por, një aeroport nuk ka përse të reklamohet si ngjarje dhe “fitore historike! Sepse, është parë me sy apo përjetuar, edhe nga qindra mijëra shqiptarë, se edhe në Itali, Zvicër, Gjermani, Belgjikë, Holandë, Danimarkë, Suedi, Spanjë, Britaninë e Madhe, Kanada, SHBA...shumica e qyteteve të mëdha kanë ndërtuar pa kaq zhurmë e bujë aeroporte, me përmasa shumë më të mëdha dhe më modernë se ai i Vlorës! Pra, shqetësimi im është që të mos imitohet apo kopjohet Enveri me "fitorje historike" të sajuara e fantazuara nga truri i tij pervers e monstruoz, kur shumicës së shqiptarëve nuk u u dilnin dhe nuk u dalin të tilla në xhepa, kuleta, shtëpi...! Apo krejt SHQIP: kur janë më shumë "fitore propagandistike", për të mbushur gazeta dhe ekrane dhe për t’ua bërë trutë e mendjet edhe më tepër “të majta” e “të verbëra”, sa “mos të shikojnë” as të mirën e vet të sotme e të nesërme, sa më shumë shqiptarëve. Duke i fryrë fort hapat tanë e punët tona të mira mashtrojmë veten e kur na pëlcasin mund të zhgënjehemi tepër! Popullorçe: ngopemi ose me lugë krejt boshe, ose as tamam tek gjysma! Edhe më popullorçe: të mos fluturojmë për “suksese e fitore historike” propagandistike, me presh në...b...apo në gojë! Një aeroport i standardit të atij të Vlorës nuk është si ata të standardeve të Frankfurtit, Berlinit, Mynihut, Parisit, Londrës, New York- ut, Vienës, Budapestit, Varshavës, Moskës...! Do t'u shërbejë sidomos qytetarëve të Vlorës, Fierit, Beratit, Himarës, Sarandës..., por nuk i bën shqiptarët e këtyre qyteteve të pasur si zviceranët, austriakët, gjermanët, francezët, belgët, holandezët, danezët, suedezët, norvegjezët...!

3-

ditë para zgjedhjeve e me shumë gjase edhe para gjëmës personale dhe kopeore apo tufaore për atë, u parapri dhe po shoqërohet me reklamë të madhe, thuajse si ngjarje historike, edhe ardhja për 4 ditë e “Tur d’Italia” në Shqipëri. Për më tepër, falsiteti i kësaj zhurmënaje propagandistike zbulohet nga fakti se Shqipëria nuk është e para në Evropë për Nisjen e Madhe(Grand Partenza) të Giro d’Italia!? Gjatë ditëve të kësaj veprimtarie ( edhe më 11 maj, ditën e zgjedhjeve) trafiku në Tiranë u bllokua apo u kufizua në disa rrugë, çka solli shqetësime për shoferë e këmbësorë e lehtësira për “bandat e hajdutëve të votave”! Duke e zgjeruar vështrimin, nuk ka se si të mos shqetësohemi nga fakti se shteti dhe populli më i varfër në Evropë, paguan 7 milionë euro ose fish më shumë se në vetë Italinë dhe në vende të tjerë për të njëjtin eveniment, thjeshtë për efekt dhe interes elektoral nga Rama- qeveria. Gjatë dy ditëve kur Giro d’Italia u zhvillua në Tiranë, me mijëra viktimave të vështirësive dhe shqetësimeve nga bllokimi nga ora 10.00-18.00 i rrugëve isha edhe vetë, krahas edhe qindra të moshuarve të tjerë si dhe dhjetëra të pamundurve për të bërë me këmbët e tyre as 200-500 metra rrugë, nga shtëpitë e tyre deri në kafenetë dhe tregtoret më të afërta. Pikërisht, për këtë arsye, pa u joshur nga efekti i reklamës dhe propagandës, shtete fqinj me Italinë dhe qytete të tyre nuk i kanë pranuar kërkesat dhe faturat financiare të organizatorëve apo nga individë e shoqata sportive çiklistike, për ta zgjeruar këtë rreth ndërkombëtar çiklistik edhe në vendet e tyre! Ndërsa, nga Shqipëria e varfër organizatorët patën lutje përgjëruese!?

4-

Më 16 maj 2025, nënkuptohet me lutjet përgjëruese të kryeministrit Edi Rama, për të fituar edhe ca pikë e vota të tjera si individ, institucion, ekip, parti, në Tiranë u mblodh Samiti i gjashtë i Komunitetit Politik Europian, me 47 liderë shtetesh. Meqenëse është samiti i parë i këtij komiteti në Ballkanin Perendimor, nuk u humb rasti nga mikpritësi kryesor, domethënë kryeministri Edi Rama, që të vlerësohet shumë më tepër se sa është në të vërtetë, si “ngjarje historike për Shqipërinë dhe gjithë rajonin”! Thjeshtë për informacion apo arkiv, Samiti i Parë i Komunitetit Politik Evropian (KPE) u organizua në Pragë, më 6 tetor 2022. Samiti i dytë i Komunitetit Politik Europian u mbajt në Moldavi në 1 qershor 2023! Samiti i tretë i komunitetit politik evropian u mblodh më 5 tetor 2023 në qytetin spanjoll të Granadës, duke mbledhur liderët e 47 vendeve evropiane. Samiti i Katërt i Komitetit Politik, me pjesëmarrjen e 47 liderëve europianë u zhvillua në Oksford të Britanisë së Madhe më 18 korrik 2024. Ndërsa samiti i pestë është mbledhur në Budapest, më 7 nëntor 2024. Por, ndryshe nga në Tiranë, në kryeqytetet dhe qytetet e tjerë ku janë organizuar, samitet janë pritur e mbyllur si ngjarje të rëndësishme për BE-në dhe për qeveritë e tyre, sidomos ministritë e punëve të jashtme, por jo si historike për vendet dhe popujt e tyre. Nuk janë bllokuar për 12 orë qendrat e qyteteve nga forca të shumta policore e civile, nuk janë mbyllur ditët e samitit zyrat dhe shkollat, si në ditë festash zyrtare, shtetërore e kombëtare. Po të vepronin kështu si në Tiranën e Edi Ramës, Brukseli me samite të shpeshta nga BE e NATO, New York-u me mbledhje të shumta në kullën e OKB-së..., do të paralizoheshin shpesh herë, sa të ngriheshin qytetarët në protesta masive. Por, në këto vende samitet janë ngjarje të gëzueshme apo të rëndësishme e jo festa kombëtare brenda për brenda ambienteve të kufizuar. Sepse, sipas traditës së moçme të samiteve, liderët marrin dieta të majme, mblidhen, mbajnë fjalime dhe rrahin mendime, jo rrallë si ujët në havan, shtrojnë detyra të reja e të moçme dhe caktojnë afate pa afate...! Natyrisht, hanë edhe dreka e darka të rënda e me pije të shtrenjta...! Pas mbylljes së samitit largohen me kujtime dhe fotografi të bukura! Edhe me dhurata për gratë e fëmijët, pse jo edhe për ndonjë sekretare e këshilltare, nga qytetet dhe salla e organizimit të samitit. Të fituarit më të mëdhenj nga Samiti i 16 e 17 maj 2025, vetëm pse u zhvillua në kryeqytetin e Shqipërisë apo vetëm për nga interesi politik, sidomos për të mbuluar me gjethe fiku lakuriqësinë e zgjedhjeve shumë larg të standardit evropiano-perendimor të 11 majit, janë kryeministri Edi Rama dhe ministri i Punëve të Jashtme, Igli Hasani! Prandaj, logjikshëm, nuk meriton të festohet dhe reklamohet si “historik” apo si “fitore e madhe politike” për Shqipërinë dhe mbarë shqiptarët! Sepse, përveç disa frazave lavdëruese me “sinqeritet diplomatik” as nuk u fol me siguri të padiskutueshme dhe as nuk do të ketë në të vërtetë përshpejtim apo përafrim të ndjeshëm të afatit të anëtarësimit të plotë të vendit tonë në BE, ndoshta aty nga viti 2035 apo fund dekada 2030, domethënë më 2035, 2038, 2040...!? Sepse samitet, sidomos këto vitet e fundit, janë bërë si simitet! Apo si samunet me një shtresës të hollë dhe rrenëse gjize! Edhe më popullorçe, si pemë të thara nga rrënjët e pa kokrra...!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat