Disenjatori Festim Isufi, më 9 maj, u gjet pa shenja jete në banesën e tij. Me të marrë lajmin tronditës, diçka e brendshme më tha: “Festimin e kanë vrarë”, ndonëse as policia ende nuk kishte bërë ndonjë deklaratë. Vendosa të besoj në raportin fillestar të policisë, e cila e konsideroi rastin si vetëvrasje.
Vdekja e tij u konstatua nga një ekip mjekësor në vendin e ngjarjes. Sipas autoriteteve përkatëse, viktima dyshohet se fillimisht e ka therur me thikë bashkëshorten e tij, Rina Malokun, dhe më pas e ka goditur veten. Dyshimeve fillestare u shtohet edhe fakti i të dhënave nga raporti mjekësor, ku thuhet se Festim Isufi kishte shtatë plagë në trup.
Në raportin e autopsisë, që i është dorëzuar gjyqtares së rastit, thuhet se “fatale për të ishin plagët e shkaktuara në zonën e qafës, të cilat dyshohet se janë shkaktuar nga një mjet i mprehtë – thikë”.
Pa dashur të akuzoj askënd, është e vështirë të besohet se një njeri që ka bërë vetëvrasje mund të jetë therur shtatë herë me thikë. Për këtë rast është marrë në pyetje edhe bashkëshortja e të ndjerit, ndonëse nuk dihet çfarë ka deklaruar apo në çfarë cilësie është pyetur. Edhe vetë vëllai i të ndjerit ka theksuar se nuk e fajësojnë Rinën dhe se ajo është pjesë e familjes së tyre.
Duhet pritur raporti përfundimtar i prokurorisë për të parë se çfarë do të shpërfaqet. Do të ishte e habitshme dhe krejtësisht dyshuese nëse rezultati përfundimtar do të jetë vetëvrasje. Ajo që duhet theksuar është se askush nuk bindet se një person mund të kryejë një akt të tillë vetë, pasi edhe në aspektin praktik, kjo duket e pamundur.
Gjithsesi, mbetet të zbardhet e vërteta e plotë: a qëndron dikush pas vrasjes së Festim Isufit, apo vërtet bëhet fjalë për vetëvrasje me shtatë plagë?