Nxënësit e kombësisë serbe të një shkolle të mesme në Mitrovicën e Veriut, të veshur me bluza të bardha të njollosura me ngjyrë të kuqe dhe të pajisur me flamuj serbë, u paraqitën si viktima të një incidenti të inskenuar, me qëllim manipulimin e opinionit ndërkombëtar e të brendshëm. Ishte një skenë e mirë-menduar për të sensibilizuar botën perëndimore dhe për t’u dhënë municion aleatëve të Beogradit në Lindje kundër Kosovës. Nuk funksionoi ndoshta siç e kishte menduar skenaristi në presidencën e Serbisë. Por ama qëllimi ishte makabër! Djallëzor! I një lloj fantazie, që edhe dreqi do ta kishte zili. Por që nuk ka ndodhur për here të parë.
Më 21 janar 2011 para kryeministrisë së Shqipërisë, gjatë protestës së opozitës socialiste, u ngjye një burrë me të kuqe. Nga koka deri te këmbët. Ishte diku rreth të 60-ve. E mbajmë mend ende të gjithë ne. U shfaq në të gjitha ekranet me duart në kokë. Dhe të gjithë njerëzit thanë se protesta e Edi Ramës u përgjak. Ndodhi para se të vriteshin katër demonstruesit e tjerë të po asaj proteste. Ishte vërtetë makabre ajo që pamë atëherë! Mesazhi: - Shteti i “malokut” Sali Berisha gjakos njerëzit.
Por ngjarja u sqarua më vonë. Dikush e kishte filmuar Erion Veliajn duke ia hedh bojën e kuqe demonstruesit pa bojë. Erioni vazhdoi i qetë dhe i patrazuar. Nuk shërbeu kjo ngjarje as për të iniciuar një hetim pse dhe nga kush u vranë katër protestuesit e asaj dite. Kaloi ajo provë djalli atëherë dhe u përsërit po nga Erion Veliaj në rastin e Griseldës. Për ata që nuk e dinë po përpiqem t’u kthej memorien. Një vit më vonë Erioni mbushi gjithë medien ndërkombëtare me lajmin e rremë se “Shteti i “malokut” Sali Berisha kishte dhunuar një grua shtatzënë, me emrin Griselda Roshi. Ishte përzgjedhur në skenar gruaja e kryetarit socialist të Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi. Bota u trondit. Si ishte e mundur që policia dhe SHIK-ku i Sali Berishës të dhunojë një grua shtatzëne, vetëm se ajo ishte gruaja e një sfidanti të partisë në pushtet në Kavajën bastion të PD-së?! Erioni e kishte vizatuar shumë bukur ngjarjen dhe e kishte nis lajmin përmes e-mailit në të gjitha kancelaritë e gazetat e mëdha të Perëndimit.
E para herë që politikanë nga Tirana bëhen mësim dhe model për Beogradin dhe Serbinë është rasti i nxënësve të shkollës së mesme “Car Llazari” të Mitrovicës së Veriut, të cilët u bojatisën para disa ditësh gjatë një manifestimi. Të udhëzuar nga erionët e Serbisë e të listës Srpska ata u konfliktuan ose bënë sikur po konfliktohen me forcat e rendit. Pastaj hodhën ca pika boje të kuqe në mjekër, në qafë e ku e di unë se ku tjetër. Dolën e thanë “Na ka dhunuar policia e Kosovës”! Për t’i thënë botës së qytetëruar se “Shihni se si ju ua keni dhënë shtetin njerëzve mizorë”! Mizorinë serbe donin ta transferonin te shqiptarët! Njësoj si edhe Erioni, Edi e të tjerë socialistë të sojit ideologjik të sllavëve donin që “malokun” e Tropojës ta shisnin si “kanibal”!
Rasti në Mitrovicën e Veriut me serbët e bojatisur me trukun e viktimizimit të sprovuar serb është i njëjtë me rastin e bojatisjes nga koka te këmbët të viktimës së Erion Veliajt. Ai burri i kuq i Veliajt u shfaq në surratin e viktimave adoleshentë të një shkolle të serbëve të veriut si përpjekje djallëzore e njëjtë për mashtrim. Fatmirësisht në rastin e përskuqjes me bojatisje në Kosovë rrena i pati këmbët shumë të shkurtra. Nuk ngjiti. Nuk shkruajtën gazetat e mëdha e prestigjioze të SHBA-ve apo të vendeve europiane. Sepse tashmë ato e kanë mësuar faktin se “politikanëve serbë nuk ju besohet”! Presidenti Vuçiq shihet si njeri i pabesë, mashtrues dhe dredharak e intrigant i një lloji krejt të veçantë, ndoshta i pa hasur në historinë njerëzore. I vijnë afër në dredhi dhe intriga vetëm Edi Rama dhe Erion Veliaj. Kësisoj akti i shkoi huq, siç shkon huq pushka e qorrit!
Megjithatë drejtuesit dhe institucionet e Kosovës duhet ta nxjerrin mësimin e duhur. Nuk mundet që të qëndrojnë indiferentë. Policia veproi me profesionalizëm të rrallë. Në vend ta mbërthenin të riun e bojatisur, policët e ledhatuan atë. Nuk ranë në kurthin e regjisorit të intrigës së radhës. Por edhe politika duhet të veprojnë me të njëjtën përgjegjësi dhe të njëjtin profesionalizëm. Ashtu siç vepron policia.