1.
Nuk di se nga më erdhi në mendje shprehja pyetëse “ç’ujë i ke dhënë gomarit?”. Në fëmijërinë tonë të munguar luanim shpesh një thuajse si lojë, ku zakonisht ai që ishte pak më i madh dhe më i fortë se të tjerë, i drejtohej atij më të dobëtit:
- Ç’ujë i ke dhënë gomarit, të nxehtë apo të ftohtë? Sido që të përgjigjej ai, tjetri do t’ia tërhiqte veshin, shoqëruar gjithnjë me fjalët:
- Po ti e paske djegur! - kur përgjigja ishte se ai i kishte dhënë ujë të nxehtë, apo:
- Ti e paske ftohur! - kur tjetri thoshte se i kishte dhënë ujë të ftohtë. Edhe ndonjë më i shkathët ndër ne që e dinte pasojën e që përgjigjej se nuk i kishte dhënë fare ujë, veshi do t’i tërhiqej patjetër se “e kishte lënë gomarin të thahej etit…”.
“Hip se të vrava, zbrit se të vrava!”, ky është varjanti i sotëm mes të rriturve i kësaj “loje”, që vazhdon të luhet rëndom edhe sot e përditë, sidomos kur mundohesh për t’iu bashkangjitur politikës sonë, që vetëm politikë nuk mund të quhet.
2.
Sjellja politike e Berishës me shtetin, ngjan pikë përpikë herë me “lojën fëminore” të sipërtreguar, “ç’ujë i ke dhënë gomarit?”, e herë tjetër me varjantin e saj “për të rritur”, “hip se të vrava, zbrit se të vrava!”. Kur ishte në pushtet, ai nuk e njihte opozitën dhe me të gjitha mjetet e delegjitimonte atë, e shpërfillte, e bullizonte, e rrehte dhe e burgoste. Kështu bëri sapo erdhi në pushtet në vitin 1992, nxori ligjin për largimet politike nga administrata e çdo punë tjetër, të kujtdo që ishte “i kuq”, të njejtën bëri në të gjithë rrugëtimin e tij kur qe në pushtet edhe në vitet 1996 - 1998, 2005 e 2009, po të njejtën do të bënte sa herë t’i jepej mundësia, sepse kjo sjellje e tij nuk është rastësi, por bindje e mendësi e trashëguar ndoshta që nga koha kur drejtonte organizatën e ish - PPSH në Fakultetin e Mjekësisë, e ku ishte i zëshëm e i zellshëm kundër bartësve të “shfaqjeve të huaja”, që nuk përputheshin me ideologjinë e partisë shtet.
Nga ana tjetër, sa herë është në opozitë, ai nuk e njeh pushtetin. Shpik e sajon çdo lloj mënyre e manovre për t’a tërhequr pushtetin drejt rrugës, aty ku e gjen veten gjithnjë komod me “revolucionet” e tij permanente, denigruese e shkatërruese. Kështu bëri edhe pas zgjedhjeve të para pluraliste në vitin 1991, pas zgjedhjeve të vitit 1997, pas atyre të vitit 2001, pas vitit 2013 e kështu vazhdon edhe sot, pas zgjedhjeve të sapombyllura të vitit 2025.
Sa herë fiton ai, ligji është i mirë dhe e mbron atë teorikisht e praktikisht me fanatizëm, ndërkohë që sa herë humb ai, ligji është i keq, antikushtetues dhe zgjedhjet janë vjedhur nga pushteti. Kur fiton ai, populli është “i zgjuar” dhe e përkrah ndryshimin, ndërsa kur nuk fiton, populli është i indoktrinuar e i manipuluar nga banditët e patronazhistët. Kjo vijë sjellje daton që nga zgjedhjet lokale të vitit 1992, tek referendumi për Kushtetutën i vitit 1994, tek zgjedhjet e zhvilluara në pragluftë të vitit 1997-të. Ai ra dakort me kundërshtarin politik për ndryshimin e kushtetutës në vitin 2008, e bashkë me të edhe të sistemit zgjedhorë, ai ra dakort edhe për ndryshimet në Kodin Zgjedhorë pikërisht para zgjedhjeve të këtij viti, ku jo vetëm votimi i emigrantëve, por edhe modalitetet e këtij votimi u reflektuan sipas mides së Berishës, por votën e emigrantëve ai ishte i gatshëm t’a përjashtonte nga numërimi, madje bëri të gjitha përpjekjet për këtë. E tani, është po ky personazh që as legjitimitetin e zgjedhjeve nuk e njeh.
Kurrë nuk i ka njohur zgjedhjet kur ka humbur, e kurrë nuk ka përfillur asnjë kërkesë të opozitës kur ai ka qenë fitues.
Kujtojmë vitin 2009 kur opozita e kohës sakrifikoi edhe me grevë urie vetëm për të hapur disa kuti të materialeve zgjedhore (për rinumërim, as që bëhej fjalë!) dhe ai nuk pranoi kurrsesi, por urdhëroi beniaminin e tij ne KQZ t’i digjte materialet e fletët e votimit në mënyrë demonstrative e spektakukare, duke dëshmuar forcë deri në kufijtë e diktaturës. E bëri këtë duke i bërë karshillëk edhe të gjithë botës, që përkrahte çdo kërkesë për transparencë maksimale, dhe ajo i ktheu shpinën, ndërsa sot bën çmos “t’i mbushë mendjen” asaj, se Shqipëria është i vetmi narkoshtet në Evropë.
Po tash? E pranoi kodin zgjedhor, e kërkoi dhe pranoi votimin e diasporës, futi komisionerë dy në një (për vete e një për Lirin e Metajve), trumpetoi gjithë kohën se zgjedhjet i “kishte të fituara”, deklaroi se “vetëm një i çmendur mund t’a mendoje Edi Ramën edhe një mandate të katërt në pushtet”, përfaqësuesit e tij në administrimin zgjedhorë firmosën çdo procesverbal votimesh pa vërejtje, por… perseri avazi vazhdon. Ujku qimen e ndërron, por zakonin s’e harron! – thotë populli. Nuk e njeh rezultatin, kërkon hapjen e kutive dhe prapë s’ka për t’i njohur ato, ndonëse kërkesat e tij po përmbushen me shumë bujari, ndonjëherë edhe më shumë se pritshmëritë e tij, sepse “me ujë të nxehtë digjet, ndërsa me ujë të ftohtë, ftohet”, e fajin gjithnjë e ka dikush tjetër, jashtë tij e të tijëve. Kur organizmat prestigjize evropiane rekomandojnë depolitizimin e administrimit zgjedhor, Berisha gërthet në kupë të qiellit për administrim politiko - partiak, ndërsa tash s’u beson as të vetëve dhe “e pret” rezultatin e rinumërimit nga administrata e KQZ. Nuk ka për t’a njohur kurrë as atë rezultat nëse është (s’kam asnjë dyshim se i tillë do të jetë!) në disfavor të tij! E ç’i mbetet pastaj? Rruga e udhës! Vetëm atë njeh ai për të vetmin pushtet. Ani se shkatërrohet vendi, se prishet imazhi, se vriten edhe njerëz, se… Berishës i intereson pushteti personal e familjar, asgjë tjetër!
3.
Që të rihapen kutitë e votimit dhe të rinumërohen votat, qoftë edhe në të gjithë Shqipërinë, asgjë të keqe nuk ka. Është demokratike që gjithshka të bëhet transparente, por përtej kësaj gjithshka është në dem të procesit. A i duhet vendosur kufi këtij individi politikisht të çmendur, në dëmet që i sjell vendit? Apo duhet vazhduar të llastohet e të lejohet “t’i tërheq veshin” kujtdo, sa herë i ngrohet apo i ftohet “gomari” mbi të cilin rri e nuk di t`zbresi kurrë ai.
Berisha është i llastuar, e një i llastuar nuk njeh kufi. Llastimi apo shpërblimet për “shërbimet e posaçme” e kanë shoqëruar atë gjithë jetën. Ai shkoi nga Tropoja për të studjuar për mjekësi dhe, pa ia mohuar rezultatet, ndryshe nga shumë të tjerë, mori shpërblim të qenit pedagog, mjek i udhëheqjes së lartë, u specializua edhe jashtë shtetit, sub ë ekretar partie për 25 vite etj, privilegje të rralla për kohën. Shërbimi ndaj diktaturës iu shpërblye edhe nga thirrja e Ramizit për të qenë vijimësia e tyre në kohë e rrethana të tjera, duke e katapultuar në krye të Partisë Demokratike të formuar nga studentët trima e liberatorë, shërbimi ndaj individëve të caktuar të sistemit të drejtësisë “e shpërblen” edhe sot me akuza bajate, që rezultojnë tallje e madhe me popullin, e shpërblejnë me mosgjykim e ndëshkim sipas ligjit, ndërkohë që ai luan teatër në dyert e SPAK - ut e të Gjykatës Speciale. Ndoshta shërbime të hershme kundër vendit dhe kancelarive të botës e mbajnë akoma gjallë të cilat, ndonëse e njohin mirë, ia hedhin nga një “karamele - rezolutë” herë pashere. Askush tjetër veç tyre nuk mund t’i përballojë shpenzimet e tij financiare që s’ka llogari normale që i mban, veç “llotarisë së tij” shpërblyese për ato çfarë i ka bërë vendit në favor të djallit e të djalit... Askujt tjetër si atij nuk i rri para e mbrapa e ashtuquajtura Drejtësi e Re, aq sa t’a zvenit çdo shpresë se ky vend do të bëhet ndonjëherë. Për çfarë? Sa duket pret që të shprehet përpara saj “drejtësia hyjnore”, pastaj të japë ajo ndonjë verdikt të sajin…
4.
“Shqipëri n’zjaaaarrrrrrr!”, është një shprehje e Berishës e lëshuar publikisht në parlament në një nga ato seancat ku ai drejtonte revolucionin e tij bajat. E transneton me zë e figurë thuajse çdo ditë këtë thirrje një nga televizionet shqiptare, krahas një kolazhi shprehjesh të nxjerra nga intervistat e politikanëve të tjerë. Nuk ka shprehje tjetër më përfaqësuese që t’a plotësoje thelbin e mendimit dhe të veprimit politik të Berishës se sa kjo. Ai e do Shqipërinë në zjarr, e ka çuar deri aty disa herë dhe nuk ngopet përsëri derisa t’a shkrumboje atë. Veç ky zjarr e ngroh atë, anipse vendi digjet… - Zot na e hiq qafe të keqen, - thonin dikur të vjetrit.
Lezhë, më 10 qershor 2025