Është një vend, ku babai mbushet në lot në momentin që djali i tij i vetëm rreshtohet në Forcën e Sigurisë. Ky vend është Kosova – Dardania!
Është një vend tjetër, ku babai qan e mbushet lot, nëse djalin e tij nuk e çojnë në misione speciale jashtë vendit, p.sh në Afganistan, sepse prej kësaj fitohen pak lekë më shumë. E, ky vend është Shqipëria!
Është një vend, ku ushtari dhe polici nuk mbahen dhe nuk ndalen në luftën kundër organizatave terroriste, siç ndodhi në Banjskë. Kjo është Kosova-Dardania.
Është një vend i saj fqinjë, ku polici e ushtari, bashkë me oficerin “fshihen prapa gaxhoit”, kur përballen me krimin mafioz. Madje bashkëpunojnë me bandat e krimit për përfitime personale. Kjo është Shqipëria.
Është një vend, ku njerëzit turpërohen, nëse dikush i nëpërkëmb, i poshtrën, ose i dhunon. Për pasojë ata reagojnë dhe protestojnë me ngulm për ta mposhtur dhunën e nënshtrimin. Edhe ky vend është Kosova.
Por është një vend, të cilin ata në Kosovë e quajnë “nanë”, në të cilin njerëzit i festojnë në tallava me poshtëruesin. I përulen dhunuesit deri te sholla e atleteve. Dhe e shohin veten të mëshiruar prej tij. Ky vend është sërishmi Shqipëria.
Është një shtet, në të cilin nuk ka njësh. Por ka ligj dhe drejtësi. Ky shtet e ka emrin Kosovë-Dardani. Por ka dhe një vend tjetër ngjit me Dardaninë, që ligji është “mbreti” dhe drejtësia është kamxhiku i dhunës së varfërisë, skamjes, mjerimit. Edhe ky shtet lidhet me Shqipërinë.
Është një vend, ku njerëzit ngrihen në orën 05 të mëngjesit për të mbushur enët me ujë. Se atëherë i është mbush mendja shtetit ta hapë rubinetin e tubave të ujësjellësit. Ose ku ka qytete, si Kruja, që njëherë në dy ditë vjen uji në çezma. Kjo është padyshim Shqipëria jonë, e cila “lulëzon” nga turizmi dhe ka emër të mirë sfilatash e samitesh politike.
Ndërkohë është një vend tjetër, i cili para 25 vitesh ishte “Hiroshima e Europës” (Frankfurter Rundschau, 4 qershor 1999), ndërsa sot nuk njihet e as dallohet nga Gjermania e Zvicra. Me infrastrukturë rrugore e ujësjellës deri te lagjet më të largëta. Kjo është Kosova.
Është një vend i dashuruar me diktatorë e diktatura, me intelektualë e historianë që tradhtarit i thonë patriot dhe patriotit – tradhtar. Që dinë ta justifikojnë bashkëpunimin e idhullit të tyre me armikun dhe qëmtojnë një gabim të thjeshtë të kundërshtarit për ta akuzuar për kolabaarocionizëm. Ky vend është Shqipëria, e cila bart ende pas 35 vitesh të njëjtën doktrinë si në diktaturë.
Por është një vend tjetër përtej Morinës që ndajnë meritat sipas meritës. P.sh ndërsa këta tanët në Tiranë deshën ta linçojnë dhe ta denigrojnë Ibrahim Rugovën, ishin qytetarët e Kosovës që e mbrojtën dhe e ngritën liderin e tyre në piedestal.
Është një vend, ku një pikerinë me 30 copë vezë blihet me dy euro, (Kosova) dhe është një vend tjetër, ku 10 kokrra vezë kushtojnë 4 euro. (Shqipëria). Është një vend, i cili e shet një litër karburant me 1.17 euro (Kosova) dhe një vend në kufi të saj, me çmimin më të lartë të karburantit në Europë, 1.8 euro litri (Shqipëria)!
Pra, dy vende, me një gjuhë e një traditë, por me dy kultura.
Lista e dallimeve midis këtyre dy vendeve është e pafund. Mjafton këto, që lexuesi të kuptojë se ku jeton integriteti dhe dinjiteti e ku vegjeton injoranca, servilizmi, padija dhe kultura e totalitarizmit!