Në një vend të vogël, por me shumë ego të mëdha, koha politike po trajtohet si lojë pazari. Shteti ka hyrë në një periudhë ku institucionet duhej të merrnin jetë të re, por në vend të kësaj, janë futur në ngrirje të qëllimshme.
Përfaqësuesit që dalin nga vullneti i popullit nuk po e lexojnë këtë vullnet si përgjegjësi, por si kalkulim pushteti. Disa refuzojnë të ecin përpara sepse nuk janë në krye. Të tjerë presin që t’u vijë radha, pa e shtrirë dorën drejt marrëveshjes. Ndërkohë, zëri që duhet të jetë më i prerë dhe më kërkues, po zgjidhet të mbetet formal dhe ceremonial.
Në këtë udhëkryq, nuk është legjitime të fajësohet vetëm njëra anë. Por është shumë e padrejtë që qytetari, i cili pret vendime për rroga, për politika sociale, për siguri, të mbetet i bllokuar për shkak të hesapeve politike.
Shteti nuk është luks, është nevojë. Dhe kur shteti nuk funksionon, nuk është politika ajo që dëmtohet është jeta e qytetarit ajo që ngadalë, por sigurt, varfërohet, lodhet dhe zhgënjehet.
Nuk ka më kohë për qëndrime të ngrira. Kuvendi nuk është trofe. Është mjeti i parë i një demokracie funksionale. Nëse nuk i japim jetë këtij institucioni, atëherë s’kemi më asnjë të drejtë të ankohemi për krizë, sepse ajo është bërë zgjedhja jonë e heshtur.