Kosova - shtet unik

Opinione

Kosova - shtet unik

Nga: Rexhep Hasani Më: 12 korrik 2025 Në ora: 09:23
Rexhep Hasani

Për të evituar paralizën e plotë të sistemit deri në anarki totale, duke qenë se nga Kuvendi burojnë të gjitha institucionet, agjencitë dhe trupat tjerë të pavarur, liderët tonë partiak duhet gjithmonë të kenë parasysh se Kosova me Kushtetutën e saj është përkufizuar si shtet unik (ang. unique state) e jo shtet unitar (ang.unitary state). Kjo nënkupton shtetin me demoraci konsociacionale, që ngërthen në vete elemente të theksuara të asimetrisë dhe federalizmit, të tilla që për sa kohë ekzistojnë, mekanizma institucionalë për të rregulluar ndarjet kryesore, nuk është i nevojshëm për demokracinë kohezioni i plotë shoqëror. Pra, kemi të bëjmë me sistem të tillë shtetëror me shpërndarje demokratike të pushtetit, stabiliteti i të cilit konsiston në konsultime dhe kompromise me qëllim të arritjes së një koncensuesi të nevojshëm, por shpesh edhe të domosdoshëm. Kjo është theksuar edhe në Aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese KO124/25. Pjesë tjetër e asimetrisë janë 20 vende të rezervuara për deputetët e pakicave kombëtare.

Përveç kësaj, vështirësi gjatë formimit dhe vendimmarrjes në Kosovë paraqiten edhe për shkak të faktit se sipas sitemit tonë zgjedhor, pragu zgjedhor për parti, koalicione dhe kandidatë të pavarur është 5% e votave të përgjithshme, ndërkohë që për partitë që përfaqësojnë pakicat kombëtare nuk ka prag zgjedhor.

Ka edhe elemente tjera që Republikën e Kosovës e bëjnë shtet unik, por u ndala vetëm në këto që u theksuan më lart, për të dhënë kontributin tim modest në evitimin e kësaj bllokade në Kuvendin e Kosovës. Shpresoj se liderët tonë më në fund do reflektojnë, sepse jam i bindur se edhe ju jeni të vetëdijshëm se ironizimet, sarkazmat, por edhe disa forma të gjoja protestës të deputetëve në Kuvend janë jokreative dhe të pashije. Kreativitetin liderët kanë hapësirë ta dëshmojnë me propozime konkrete për të evituar këtë bllokadë, ndërsa deputetët, në seanca parlamentare pas konstituimit të Kuvendit, ku mund të dëshmoni rolin, konstruktivitetin dhe kreativitetin tuaj në cilësi të pozitës dhe opozitës.

Edhe ju e dini se Kryesuesi i seancës i përmbahet rigorozisht dispozitës sipas të cilës nuk lejohet diskutimi. Kjo dispozitë nuk është paraparë rastësisht nga përpiluesit e saj, dhe këtë e kam theksuar edhe në Letrën tim të hapur të botuar në Bota Sot me 20. 06. 2025. Në të njëjtën gazetë, më 9 gusht, e keni Opinionin tim në lidhje me rastin KO119/14. Fundja, ju këtë e kishit parasysh për verifikimin e mandateve pas dy tentimeve të pasuksesshme, kur bëhej fjalë për njëfarë vetëverifikimi ose verifikim të vetëvetes. Është e paqartë pse nuk veproni njësoj për vendin tuaj të punës, ku nuk do tu mohoej e drejta e diskutimit, dhe do të mund të arsyetonit pagën e deputetit.

Sa për freskim të memories, por edhe për theksim të rolit shumë të rëndësishëm tuajin si përfaqësues të zgjedhur të popullit, po e citoj në këtë rast thënien e Abraham Lincoln-it: “Vota është më e fortë se plumbi. Me plumb mund ta vrasësh armikun tuaj. Me votë mund të vrasësh të ardhmen e fëmijëve tuaj. ”

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat