Limaj në pikën vendimtare: Qeveri apo zgjedhje?

Opinione

Limaj në pikën vendimtare: Qeveri apo zgjedhje?

Nga: Xhevdet Mazrekaj Më: 21 korrik 2025 Në ora: 18:45
Xhevdet Mazrekaj

Sot, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i ka bërë një ofertë të drejtpërdrejtë vetëm Nismës Socialdemokrate, për të hyrë në qeveri. Ky veprim shënon një moment kyç në përpjekjen për formimin e një shumice parlamentare, pasi partitë e tjera të mëdha opozitare – PDK, LDK dhe AAK – kanë refuzuar çdo mundësi bashkëqeverisjeje me Vetëvendosjen.

Në këtë rrethanë të pazakontë, Nisma e Fatmir Limajt, me vetëm 3 deputetë, ka për herë të parë pas shumë vitesh një peshë vendimtare në skenën politike të vendit. Një parti që rrezikoi të mbetej jashtë Kuvendit, sot ka në dorë formimin ose rrëzimin e qeverisë së re.

Rreziku i zgjedhjeve të reja

Refuzimi i ofertës nga ana e Limajt do të rihapte mundësinë e zgjedhjeve të reja, ku rrethanat do të ishin shumë më të pafavorshme për Nismën. E vetme në garë, pa një aleat si AAK-ja, dhe me elektoratin e tkurrur, kjo parti vështirë se do ta kalonte pragun zgjedhor, çka do të nënkuptonte një fund politik të paralajmëruar.

Dilema është e qartë: të hyjë në qeveri tani, kur kërkohet dhe vlerësohet, apo të presë një raund të ri zgjedhjesh ku mund të zhduket nga skena?

Historia i njeh këto momente

Në këtë pikë, ia vlen të kujtojmë fjalët e Winston Churchill, të thëna në një periudhë krizash të mëdha:

“Të kapësh një mundësi është shumë më e vështirë sesa ta shohësh atë.”

Fatmir Limaj tashmë e ka parë mundësinë. Pyetja është: a do të ketë guximin ta kapë, pavarësisht kostove që mund të ketë në raport me opozitën e sotme dhe aleancat e së kaluarës?

Kritika, sfidat dhe perceptimi publik

Përballë kësaj oferte, opozita ka reaguar ashpër, duke e konsideruar çdo marrëveshje të mundshme si pazare për pushtet, dhe jo si marrëveshje parimore. Ka zëra që thonë se një bashkëpunim i tillë do ta vendoste Nismën në shërbim të një pushteti që e ka kritikuar më herët.

Por Limaj nuk gjendet më në një pozitë komode për të bërë zgjedhje ideale. Çdo vendim ka çmimin e vet – dhe ndonjëherë, në politikë, çmimi më i madh është ai i hezitimit.

Në politikë, nuk janë gjithmonë numrat ata që përcaktojnë fuqinë – por pozicioni në kohën e duhur.
Për Limajn, kjo kohë është sot.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat