Erion jam me ty

Opinione

Erion jam me ty

Nga: Ilir Levonja Më: 24 korrik 2025 Në ora: 20:42
Ilir Levonja

Jo politikisht, jo ushtarakisht, jo verbërisht si fantazmë pa sy dhe memorie pas një lideri, pasi unë nuk të shoh të tillë edhe pse e ke luajtur mendsh Enverin, madje nuk të kam parë të tillë asnjëherë, të kam parë dhe kuptuar si shumë individë në shërbim të Njëshit nga historia politike e shtetbërjes shqiptare, një mjet fort i përshtatshëm për pyka a intriga në dobi të Njëshit, një lloj mashe për të plasur kongjijtë në vatër etj., prandaj përmenda punën e memories në krye të kësaj lëçitje. Jam me ty thjesht njerëzishëm, në atë vetminë njerëzore ku beftas e gjen veten robi, aty ku e ke gjetur edhe ti tani, aq sa i tradhtuar, aq i përçmuar, përdorur, por edhe menderosur familjarisht, sidomos kur e shoqërojnë gjithë ditën me kamera televizive hyrje apo daljen në Gestapo gruan tënde, kur përmendin ato rrobat e brendshme e të shtrenjta etj. Eshtë manjakllëku shqiptar për të denigruar familjarisht, jo se po punon drejtësia, apo po punon shtypi, jo se i shërben informacionit. Jam me ty pasi bash ky shtypi të është kthyer si ironi e fatit, ky të bëri lapidar, ky po të bën gjëmën, jo gropën. Ku ta gjesh gropën, por këta nuk ngopen me të të denigruar, ndaj e ndjekin me kamera gruan tënde. Jemi thuajse një shoqëri psikopate që masivisht vdesim për të rrënuar së pari moralisht dhe së dyti gjoja ligjërisht. Këtë po e bëjnë më së miri edhe me ty tani, prandaj jam me ty, me të rrëzuarin, aty po vlon tani përplasja e miliona emrave, hatërllëqeve, surretërve që të reklamonin dhe të ripnin të gjallë. Tani janë zhdukuar dhe nga sallonet e resorteve në Maldive, Kemerit, çojnë sms redeaksive, kameramanëve, kronikanëve, ndiqni Ajolën, gjeni një bashkëpunëtor. Kanë gjetur edhe denoncues nga brenda, fare brenda, është bërë historike tashmë dëshmia e Fiqerete Sanxhaktarit kur pohonte se armiq të partisë ishin jo vetëm ajo dhe i shoqi, por edhe fëmijët e saj. Dhe ajo që është më e tmerrshmja, njerëz me mendje kallamoqi nga fushat e Bedatit besojnë se këtë po ta bëjnë njerëzit e Berishës brenda Spakut a Gestapos shqiptare. Nga ana tjetër ka edhe nga ai soj me tru kallamoqi nga fushat e Maliqit se këtë po e bën drejtësia e reformuar e Enver Hoxhës, ashtu siç ka edhe të tjerë me tru kallomoqi nga fushat e Zadrimës të cilët besojnë fort se ti je një armik i i rrezikshëm i partisë dhe popullit, një kryetar i radhës i grupit 99, grup armiqësor. Jam me ty ta dish, njerëzisht pasi ata që me urdhër të Enverit të bën lapidar, sot po me urdhrin e tij po të denigrojnë. Vasalët i ka pasur me shumicë Shqipëria, me keqardhje por i tillë ke qënë edhe ti. Them me keqardhje pasi përpiqem të të kuptoj tensionin e nervave që të ka përpirë, stresin, depresionin, pritshmëritë e mbytura përpara syve. Diktatorët nuk i kanë bërë vet bëmat, nuk kanë sunduar pa ndihmën e vasalëve. Në internet vlojnë edhe ca video nga koha ku ti e krruaje pak me Enverin, punë lekësh dhe gjoja pa dijenie nga shefi i madh për vjedhjet po të mëdha. Të rroj partia Erion, por me shefin e madh nuk e krrun dot kush. Ti fitoje me mbi 20 mijë vota diferencë, pse të hodhën kaq shpejt poshtë? Më saktë pse të hodhi shefi poshtë? Eshtë fare e thjesht, kërkon karriken e tij. Ndofta duke parë pa rruar, kokën plot ekzema, e mendove se po e bluan diabeti? Megjithatë jam aty me ty, në përgjithësi unë jam me njerëzit, qofshin këta, kuqalash, të verdhë, të zinj, të bardhë, qofshin larashë etj., kur u cënohet dinjiteti, fëmija, gruaja, familja, jam me ata, me njerëzit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat