Intervista e gazetarit Adriatik Kelmendi me Hashim Thaçin nga paraburgimi në Hagë nuk e kishte për qëllim ndriçimin e figurës së ish-presidentit të Kosovës, por më shumë për ta shfrytëzuar atë si mjet simbolik në funksion të vetë-ngritjes së intervistuesit dhe të tjerëve që qëndrojnë pas këtij formati. E dinë mirë se kthimi i Thaçit në politikë është i pamundur. Por pikërisht përmes rikujtimit emocional të një epoke tashmë të perënduar, përpiqen të rindërtojnë veten mbi rrënojat e asaj që ka mbetur nga emri i tij.
Nuk është Thaçi që u intereson – është vetja e tyre ajo që kërkojnë ta rilindin përmes tij. Është një përpjekje e dëshpëruar për të shpëtuar nga kriza e mungesës së alternativës politike dhe morale, duke shpresuar se diçka nga hija e dikurshme mund të ndriçojë errësirën e sotme. Thaçi, i vetëdijshëm për këtë qëllim, ua ofroi hapësirën. Por pa ua dhënë thelbin. Ai nuk dha dramë, nuk tregoi rrëfim personal, nuk i dha intervistës shijen e rrëfimit të sinqertë. Ai e ruajti metodën e tij të njohur: të përfitojë sa më shumë duke dhënë sa më pak.
Duke shmangur me kujdes çdo dramatizim personal – pikërisht atë që intervistuesi përpiqej ta provokonte – Thaçi e hoqi nga Kosova barrën e konfliktit me Amerikën dhe me vetë Gjykatën Speciale. Ai refuzoi ta trajtojë këtë përvojë si çështje personale. Në vend të kësaj, qëndroi në nivelin e simbolit institucional: i qetë, i përmbajtur dhe politikisht i disiplinuar. Në këtë mënyrë, u tregua i paarritshëm për ata që donin ta përdornin. Ai nuk ua dha atë që kërkonin. Dhe për këtë, intervista – ndonëse e zhurmshme në promovim – mbeti e zbrazët në përmbajtje
. Përpiluesit e saj nuk morën as për së afërmi atë që kishin paraparë si përfitim. Sepse Hashim Thaçi, edhe në qeli, mbeti mjeshtër i narrativës së vet. Dhe ata që duan ta përdorin sot, janë pikërisht ata që kontribuan në ndërtimin e mekanizmit që e burgosi. Në fund, intervista nuk ishte për Thaçin. Ishte për ta. Dhe ajo çfarë nuk morën nga ai, flet më shumë se gjithçka që u tha.