Përsiatje...

Opinione

Përsiatje...

Nga: Agron Shabani Më: 27 korrik 2025 Në ora: 12:57
Autori Agron Shabani

Gafat dhe shakatë e mia, zonja dhe zotërinj, natyrisht që lënë një shije të keqe, të thartë, ngatërruese, plot cen, mungesë dhe mburrje të pakuptimtë. Por kjo, natyrisht, vjen ngaqë unë nuk kam respekt për ata që kanë më shumë respekt për të tjerët sesa për vetveten, për njerëzit, për popullin, për kombin dhe për familjen e tyre.

(Fjodor Dostojevski, “Shënime nga nëntoka”)

Sidoqoftë, unë shkruaj ndryshe nga sa flas, flas ndryshe nga sa mendoj, mendoj ndryshe nga sa them, dhe gjithashtu ndryshe nga mënyra se si do të duhej të mendoja apo gjykoja... Kështu që gjithçka procedon dhe interferon në thellësinë më të errët shpirtërore, emocionale, mendore ose psikologjike të palës tjetër, kundërshtare në domenin (kontekstin) e njohur antropofetar, antropokulturor, antropolitik, etj.

(Prelud nga një metaforë e njohur nga Franz Kafka)

Njeriu është një udhëtar i ndërgjegjshëm dhe i përkohshëm në kohë dhe hapësirë, i cili mund të kalojë rrugën e tij jetësore ose profesionale me më pak ose më shumë sukses, kënaqësi, famë apo lumturi – qoftë ajo objektive apo subjektive – në varësi të fatit, inteligjencës, intelektualitetit dhe profesionalizmit të tij.

Jemi tepër të vegjël për t’i paragjykuar, stigmatizuar, përqeshur, injoruar, demonizuar apo satanizuar fenë dhe kulturën e lashtë arabe ose islame. E aq më pak shqiptarët me besim islam.

Kush je ti për këto punë!?

Robert Briffault, ndër të tjera, thotë:

“Është më se e qartë se civilizimi botëror nuk do të arrinte aty ku ndodhet sot, po të mos kishte kaluar më parë nëpër fazat e zhvillimit dhe evolucionit, bashkë me sekretet dhe gjenialitetin e ligjeve dhe fenomeneve të ndryshme natyrore dhe mbinatyrore – të cilat ishin të fshehura apo të maskuara nga arsyeja dhe logjika e njeriut."

Një ndër çështjet dhe qëllimet themelore të filozofisë së përgjithshme, përveç fuqisë së saj nxitëse dhe stimuluese në kërkimet shkencore dhe humaniste, është edhe fryma hulumtuese, eksploruese dhe inovative, së bashku me metodat e reja të shqyrtimit: induktive, deduktive, diskursive dhe analogjike.

Prandaj, e vetmja fuqi e njohur, natyrore dhe mbinatyrore, që mund të na ndihmojë dhe të na mbrojë përveç Zotit (Hyjit), është fuqia e mendjes (intelektit), shpirtit dhe besimit. Mendimi i thellë, si një kopsht apo thesar shpirtëror, mendor, shkencor, intelektual dhe kulturor i njeriut të ditur, të përkushtuar, besimtar dhe inovator, është dritë dhe udhërrëfyes.

Të nxitur nga dëshira për të zgjeruar horizontet e dijes, sidomos në fushën e shkencës, teknologjisë dhe industrisë, studentë, akademikë dhe ekspertë nga e gjithë bota çdo vit u drejtohen universiteteve dhe akademive më të njohura për të kërkuar formulën e njohur: "Nuk ka Zot tjetër, përveç Zotit tonë – të përbashkët dhe universal."

Gjithashtu, filozofia fetare na mëson dhe udhërrëfen për lidhjen shpirtërore, emocionale, transcendentale, të brendshme dhe të jashtme logjike mes njeriut dhe Krijuesit.

Në instancë të fundit, kultura fetare është ndërtuar përmes "institucioneve mendore dhe shpirtërore" të të Dërguarve të Zotit, dhe përmban në vetvete atë që është më e mira për shkencën dhe religjionin.

Ndërkaq, arsimi, shkenca, teknologjia, edukimi, kultura, morali dhe emancipimi i gjithëmbarshëm botëror ishin triumfi i shoqërisë së re njerëzore, e cila kishte (dhe ka) rrënjët në parimin e lirisë së ndërgjegjes, arsyes dhe besimit – themel mbi të cilin qëndron madhështia e vërtetë e çdo kombi dhe shteti.

Duhet të njohim, kuptojmë dhe vlerësojmë njësoj si “kulturën ekskluzive” të Perëndimit, edhe “kulturën ekzotike” të Lindjes.

Ndryshe nga kjo, me rastin e revolucionëve dhe reformave shkencore, industriale, kulturore dhe politike në Evropë, u ndërthurën në sfond të përbashkët kombet, shtetet dhe kulturat me të gjitha dallimet dhe veçantitë e tyre.

Rezultati ishte shpirti krijues dhe inovativ, i bashkuar me vullnetin, guximin dhe kurajën reformuese dhe revolucionare.

Nga përplasja dhe bashkimi frytdhënës i këtyre parimeve, lindi dhe u zhvillua arti, shkenca, kultura, industria, teknologjia e lartë dhe energjitë krijuese të reja.

Në fakt, shkenca dhe feja nuk janë në konflikt me njëra-tjetrën, përveçse për ata që nuk i njohin, i keqkuptojnë ose i keqinterpretojnë. Aq më pak feja islame dhe ajo kristiane apo katolike. Absolutisht jo!

Kur’ani thotë:

"Ata që ecin në kërkim të dijes, Zoti ua lehtëson rrugën drejt kopshteve të parajsës."

Ungjilli thotë:

"Të mençurit janë trashëgimtarë të bekuar të engjëjve dhe profetëve. Kush angazhohet në fushën e dijes, merr bekimin e Zotit."

Një besimtar i vërtetë dhe një dijetar i madh nuk ngopen kurrë së kërkuari dritën e madhe të dijes dhe besimit, deri në çastet e fundit të jetës.

Shkenca dhe feja, në fund të fundit, janë në përputhje dhe harmoni të plotë.

Në histori dhe teologji, faktet janë kokëforta.

Kur shikojmë dhe mësojmë për historinë dhe kulturën arabe ose muslimane, kuptojmë se arsimi, shkenca dhe kultura lindën paralelisht me shpalljen e Kur’anit.

Thuhet se Profeti Muhamet (s.a.v.s.), pas çdo faljeje të mëngjesit, lutej:

"O Zot i dashur dhe i madhërishëm, të lutem për dije të dobishme, për mendje pjellore, shpirt të pastër, vepra të mira dhe furnizim të lejuar dhe të begatë."

Me ardhjen e Kur’anit dhe përhapjen e Islamit, bota arabe njohu ngritje të madhe në të gjitha fushat e jetës – duke vënë në qendër rëndësinë e dijes dhe duke zbatuar me përkushtim urdhërimet e librit të shenjtë.

P.S.

Sipas Aristotelit:

Së pari duhet të kemi një ideal dhe qëllim të qartë.

Së dyti, duhet të gjejmë mjetet për ta arritur atë qëllim.

Së treti, duhet të harmonizojmë mjetet me qëllimin.

Friedrich Nietzsche thotë:
"Shumë janë kokëfortë në rrugën që kanë zgjedhur. Nëse faktet dhe teoritë tuaja nuk përputhen me realitetin, atëherë ndryshoni faktet."

Ai shton se në marrëdhënie martesore, fetare, politike apo ushtarake, shpesh nuk ka miqësi dhe dashuri të sinqerta, por seks, frikë, interes dhe interpretime të ndryshme.

Një grua e mençur dhe inteligjente, ndaj djallit vendos para buzëve të saj një lugë mjaltë – që ta bëjë të vuajë djallin. Ndryshe, ajo që jep buzët, i jep më pas edhe gjithçka tjetër, thotë një proverbë arabe.

Xhakomo Kazanova ka thënë:

"O Zot i Madh dhe ju dëshmitarë të vdekjes sime, dua të bëj të qartë se gjatë gjithë jetës sime kam jetuar si dashnor, artist dhe filozof, por dua të vdes si i krishterë."

Claude Lévi-Strauss, në “Anthropologie Structurale Deux”, pohon:
“Nuk ka asnjë dobi nga ajo fe, kulturë apo politikë që na mëson të urrejmë, injorojmë ose shfarosim tjetrin për shkak të ndryshimeve apo diversitetit të tij.”

Zoti, feja, edukata, kultura dhe gruaja e bukur – nuk plaken kurrë, thonë spanjollët.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat