Në rrethana kur siguria dhe stabiliteti në rajon përballen me sfida të shumta – përfshirë luftën hibride dhe ndikime politike, dezinformuese dhe diskurse të polarizuara – është detyrë qytetare dhe profesionale që të ruajmë e forcojmë themelet e institucioneve shtetërore.
Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) - "Ushtria e Republikës së Kosovës", si institucion i lartë i mbrojtjes dhe garant i integritetit territorial dhe rendit kushtetues, meriton mbështetje të pakushtëzuar, respekt institucional dhe qëndrim të përbashkët ndaj çdo përpjekjeje për ta politizuar, relativizuar apo minuar autoritetin e saj.
● FSK është institucion shtetëror – jo subjekt polemikash ditore.
FSK-"Ushtria e Republikës së Kosovës" nuk i përket asnjë subjekti politik, dhe nuk duhet të trajtohet si platformë ideologjike. Ajo është themeluar mbi sakrificën e brezave që dhanë gjithçka për lirinë e vendit, dhe funksionon mbi baza profesionale, në përputhje me standardet më të avancuara ndërkombëtare.
Çdo diskurs që përpiqet të relativizojë këtë realitet apo të përdorë FSK-në në narrativa politike ditore, cenon jo vetëm funksionimin e ushtrisë, por edhe vlerat mbi të cilat është ndërtuar Republika e Kosovës.
● Rreziku i banalizimit dhe i keqinterpretimeve
Është e rëndësishme të theksohet se komentimi i papërgjegjshëm dhe i paautorizuar mbi çështje që lidhen me mbrojtjen, në veçanti përmes platformave sociale, krijon mjegull informuese që nuk i shërben as interesit publik dhe as sigurisë shtetërore të Kosovës.
Diskutimi mbi çështjet ushtarake kërkon dije, përgjegjësi dhe maturi – jo interpretime të shpejta dhe joprofesionale.
● Thirrje për përgjegjësi institucionale dhe qytetare.
FSK është aset i përbashkët i të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës. Mbrojtja e saj morale dhe institucionale është përgjegjësi kolektive.
Në këtë kuadër, ne si shoqëri kemi për detyrë që ta:
• Respektojmë FSK-në si institucion profesional,
• Mbrojmë integritetin e saj nga çdo formë e keqpërdorimit,
• Ndërtojmë besim të qëndrueshëm dhe të informuar ndaj rolit të saj në shoqëri.
● Reflektim për peshën e profesionit ushtarak.
Ushtria është institucion që mbart peshën e detyrës, sakrificës dhe përkushtimit.
Në çdo vend demokratik, respekti ndaj uniformës nuk është çështje simbolike, por tregues i pjekurisë shtetërore dhe përgjegjësisë qytetare.
● Porosi për përçmuesit e uniformës.
“Mos i nënçmoni, mos i fyeni dhe mos i nëpërkëmbni ushtarakët, sepse vetë profesioni i tyre është sakrificë, është përballje me rrezikun, është gatishmëri për të dhënë jetën për ju – edhe kur ju i fyeni.”
Më fjalë të thjeshta "Vetë profesioni i ushtarakëve dhe policëve është fatkeqësia e tyre".
Kjo porosi apo mesazh është thirrje për maturi dhe vetëdije. Sepse kushëdo që ofendon një ushtarak apo polic ofendon vetë qytetarinë dhe aspiratat e vendit për liri e siguri afatgjate.
● FSK – larg retorikave, afër misionit
• FSK është ndërtuar mbi doktrinë të qartë mbrojtjeje dhe nuk vepron mbi baza ideologjike apo preferenca politike.
• Misioni i saj strategjik është i pandikuar nga zhvillimet e përkohshme politike dhe bazohet në ligjshmëri, profesionalizëm dhe bashkëpunim ndërkombëtar.
• Çdo tentim për ta reduktuar këtë institucion në diskutime të thjeshta publike, përbën nënvlerësim të institucioneve shtetërore.
● Drejt unitetit, jo ndasive
Në vend të ndasive apo skepticizmit publik, është koha për t’i dhënë përkrahje reale institucioneve që garantojnë sigurinë. Kjo përkrahje duhet të bazohet në:
• Transparencë,
• Edukim qytetar mbi rolin e mbrojtjes shtetërore,
• Nxitje të besimit përmes komunikimit të qartë dhe profesional.
● Nderim për ata që dhanë gjithçka për shtetin.
Sakrifica e të rënëve për liri, kontributi i veteranëve të UÇK-s dhe puna e përditshme e pjesëtarëve të FSK-së janë themeli mbi të cilin ndërtohet çdo ditë siguria e vendit.
Respekti për FSK-në është edhe respekt për trashëgiminë tonë historike dhe vizionin për të ardhmen e sigurt dhe të qëndrueshme të Kosovës.
Konkludim
FSK është institucion i shtetit, jo i debatit politik.
Të gjithë kemi përgjegjësi ta ruajmë dhe forcojmë atë.
Respekti për ushtrinë është respekt për shtetin.