Protesta “Liria ka emër” në Prishtinë mblodhi shqiptarë nga të gjitha trevat, për të protestuar kundër Gjykatës Speciale për krime lufte në Kosovë. Protesta, e organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u paraqit si një akt në mbrojtje të luftës çlirimtare, por në thelb mbart një prapavijë politike, të nxitur nga parti politike në Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Kosovë dhe Shqipëri. Këto parti, përmes figurave të tyre më të larta, kërkojnë lirimin e ish-luftëtarëve të UÇK-së.
Në fakt, protesta fsheh një të vërtetë tjetër: kërkohet rrëzimi i Albin Kurtit, dhe kjo mbështetet edhe nga Serbia. Ky është një rrezik real për destabilitetin e Kosovës dhe të gjithë rajonit.
Pushteti në Serbi është nën presionin e protestave, por Serbia e pasqyron kopjen e saj në Kosovë në emër të "lirisë". Megjithatë, liria pa drejtësi nuk ka vlerë – qoftë në Kosovë apo në Serbi.
Drejtësia ka vendosur dënimin e kriminelëve që vranë shqiptarët e Kosovës, me në krye kasapin e Ballkanit, Sllobodan Millosheviç. Sot janë mijëra varre të humbura, ende të pagjetura në Kosovë – viktima të gjenocidit serb ndaj shqiptarëve.
Akuzat ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së mund të jenë të stisura, të fabrikuara nga Serbia, të montuara prej saj, por është drejtësia ajo që përcakton të vërtetën – jo protestat, turmat apo “gjykatat popullore” të komunizmit në Shqipëri dje.
Protestat kundër drejtësisë janë një kthim pas, një nacionalizëm folklorik me boshtin bolsheviko-komunist – një refren që na kujton partizanët në Shqipëri dhe shëmtinë e së shkuarës.
Në protestë u hodhën parulla, u ngrit flamuri kombëtar, u kërkua bashkimi kombëtar – një protestë folklorike që në thelb fsheh një të vërtetë të madhe. “Liria ka emër”, por tradhtia, çfarë emri ka? Po drejtësisë, çfarë emri t’i vëmë?
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000. Kjo gjykatë do të hetojë dhe gjykojë çdo rast, pavarësisht protestave, pas të cilave fshihet qëllimi ogurzi i ndarjes së Kosovës.
Edhe Ramush Haradinaj u hetua dhe doli i pafajshëm, por nuk protestoi askush.
Pra, protestat nuk janë për drejtësinë, por kundër Albin Kurtit dhe në favor të paktit për ndarjen e Kosovës. Ky është kori i fundit i bolshevikëve në Ballkan, që e përdorin nacionalizmin për pushtetin e tyre dhe jo për interesat e Kosovës. Ilir Vata