Askush nuk po mendon dhe as nuk po sinjalizon se thatësia ekstreme, e cila po mbretëron që nga muaji maj në Republikën e Kosovës dhe më gjerë, ka ndikuar që kulturat bujqësore – misri, pemët, perimet dhe shumë struktura të tjera të sektorit t bujqësisë dhe pemtarisë – të dështojnë pothuajse në tërësi. Situata më alarmante qëndron te mungesa e ujit në fushat dhe kullosat gjithandej Kosovës.
Natyra është shndërruar në një hapësirë të djegur nga temperaturat e larta, të cilat po mbretërojnë pandërprerë prej më shumë se tre muajsh. Nuk mbahet mend një periudhë kaq e gjatë, kur toka të mos ketë marrë as pikën e shiut dhe lagështinë e nevojshme për zhvillimin e vegjetacionit, sidomos të misrit dhe kulturave të tjera. Përjashtim bën vetëm kultura e grurit, e cila mund të thuhet se dha rendimente të kënaqshme në pjesën më të madhe të Kosovës. Por të gjitha të mbjellat e tjera kanë dështuar pothuajse 100% për shkak të thatësisë.
Në pozitë më të vështirë, madje emergjente, ndodhen fermerët dhe familjet që mbajnë bagëti, pasi kullosat dhe livadhet janë shkrumbuar nga të nxehtit. Për shkak të kësaj gjendjeje, Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Bujqësisë, duhet ta shpallë vitin 2025 si *vit emergjent* për bujqësinë, duke ndërhyrë me projekte dhe fonde shtesë për të ndihmuar sektorin në sigurimin e ushqimit për kafshë. Natyra po përballet me fenomene të jashtëzakonshme të ndryshimit klimatik, i cili po e godet pa mëshirë planetin Tokë.
Vetë fakti që gjithandej Kosovës, gjatë kësaj vere, kanë shpërthyer zjarre që shkaktuan dëme të konsiderueshme në pyje, fusha dhe vendbanime, dëshmon seriozitetin e situatës. Sektori i bujqësisë është ndër më jetikët – pa të nuk mund të mbahet jeta. Këto janë ligje të natyrës, të cilat Qeveria e Kosovës duhet t’i parashohë dhe menaxhojë me kohë, për t’i dalë në ndihmë popullatës që po përballet me këtë fenomen jashtëzakonisht të rrezikshëm. Përmes këtij shkrimi, sinjalizojmë Ministrinë e Bujqësisë dhe Qeverinë e Kosovës që urgjentisht të shpallin gjendje emergjente në sektorin e bujqësisë për vitin 2025, ne menyre qe të pengohet rritja e qmimeve të prodhimeve bujqësore dhe atyre te mishit të cilat janë jetike për nevojat e qytetarëve të Kosovës.