Zëri i ri i Kosovës që sfidon elitën

Opinione

Zëri i ri i Kosovës që sfidon elitën

Nga: Nijazi Halili Më: 20 gusht 2025 Në ora: 23:00
Nijazi Halili

Në jetën politike e shoqërore të Kosovës është krijuar një boshllëk i dukshëm ndërmjet elitave intelektuale e politike dhe qytetarisë së gjerë. Elitat, të cilat historikisht kanë pasur rolin e udhërrëfyesit kombëtar e shtetformues, në rrethana të tranzicionit pasluftës shpesh kanë treguar paaftësi për të artikuluar vizione të reja, duke u zhytur në përçarje ideologjike, rivalitete personale apo kapje nga interesa të ngushta. Kjo ka bërë që në horizontin politik të shfaqet nevoja për një zë të ri, i cili nuk vjen nga trashëgimia e elitave të konsumuara, por nga kërkesa e qytetarëve për ndryshim real.

Elitat intelektuale dhe politike shqiptare në Kosovë kanë qenë faktorë vendimtarë në fazat historike të rezistencës kombëtare dhe të shtetformimit. Megjithatë, pas shpalljes së pavarësisë, shumë nga këto elita e humbën lidhjen organike me qytetarin. Politika u fragmentua në interesa të pushtetit, ndërsa mendimi intelektual shpesh mbeti i mbyllur në botën akademike pa ndikuar realisht në proceset politike. Kjo distancë krijoi krizë besimi, duke bërë që qytetari i zakonshëm të ndjehet i papërfaqësuar.

Në këtë kontekst, lindja e një subjekti politik që mendon ndryshe dhe që sfidon elitën nuk është vetëm dëshirë, por domosdoshmëri. Një subjekt i tillë do të vendoste qytetarin në qendër, duke e parë si burim legjitimiteti dhe jo thjesht si votues pasiv. Ai do të ndërtonte një moral politik të ri, ku përgjegjësia dhe transparenca janë parime bazë, dhe do të artikulonte një vizion kombëtar modern, duke e lidhur Kosovën me proceset euro-atlantike pa rënë në kurthin e rivaliteteve të brendshme. Ky subjekt do të duhej të ishte më shumë se një parti klasike: do të përfaqësonte një lëvizje emancipimi politik që ringjall energjinë qytetare dhe sfidon strukturat e ngurta të elitave të djeshme.

Sigurisht, një zë i ri përballë elitave të konsoliduara do të hasë në rezistencë. Elitat ekzistuese kanë në duar instrumente të fuqishme të diskursit publik, kontroll mbi institucionet dhe ndikim në media. Por në shoqëritë në tranzicion si Kosova, legjitimiteti i vërtetë fitohet përmes besimit qytetar. Nëse një subjekt i ri arrin të krijojë identifikim emocional e politik me shumicën e qytetarëve, ai mund të shndërrohet në faktor përcaktues të së ardhmes politike të vendit.

Kosova sot ka nevojë për një politikë të re që sfidon elitën. Kjo nuk nënkupton përjashtimin e elitave intelektuale, por krijimin e një dinamike të re ku mendimi i lirë, përgjegjësia politike dhe qytetaria aktive të bëhen shtylla të rendit demokratik. Zëri i ri i Kosovës nuk është vetëm metaforë, por shprehje e një realiteti që po troket: kërkesa për një alternativë që tejkalon dështimet e së shkuarës dhe hap horizonte të reja për një shtet dinjitoz, demokratik dhe të drejtë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat