Takimi i fundit mes presidentit rus Vladimir Putin dhe Donald Trump në Alaskë u paraqit para botës si mundësia e re për “paqe” në Ukrainë. Por kushdo që lexon mes rreshtave kupton shpejt se fjala “paqë” në këtë rast nuk është një realitet i afërt, por një instrument politik.
Çfarë ofron Putini? Një paketë në dukje kompromisi: Ukrainës i kërkohet të dorëzojë plotësisht Donbasin, të heqë dorë përjetë nga NATO, dhe të garantojë se asnjë ushtar perëndimor nuk do të vendoset brenda saj – as edhe si paqeruajtës. Në këmbim, Rusia thotë se “ngrin” frontin në jug, në Zaporizhia e Kherson, dhe madje lëshohet pak nga pak në rajone periferike si Kharkiv apo Sumy. Një ofertë që në sipërfaqe duket si shtrirje dore, por në realitet është rivendosje e kërkesave maksimale të Moskës, vetëm me një ambalazh më të butë.
Nga një këndvështrim investigativ, këtu shfaqen disa pyetje thelbësore:
• A është ky vërtet kompromis, apo thjesht legjitimim i pushtimit me një marrëveshje të re?
• A mban Putin fjalën kur vendos “ngrirje frontesh”, apo thjesht blen kohë për një raund tjetër agresioni?
• Dhe mbi të gjitha: kush fiton më shumë politikisht nga ky skenar – Ukraina, Rusia apo vetë Trump që dëshiron të mbahet mend si “president i paqes”?
Kievi, të paktën deri më tani, nuk lë hapësirë për paqartësi. Presidenti Zelensky e ka quajtur Donbasin jo vetëm territor, por edhe “fortesë mbrojtëse” e shtetit. Dorëzimi i tij do të ishte jo kompromis, por kapitullim. Ndërkohë, kërkesa për heqjen dorë nga NATO bie ndesh me Kushtetutën e Ukrainës, e cila e ka të shkruar synimin strategjik për integrim euroatlantik.
Nga ana tjetër, Trump përpiqet të shfaqet si “negociatori historik”. Por për shumë analistë, hapësira mes kushteve të palëve është aq e madhe, sa retorika e tij rrezikon të mbetet thjesht shfaqje politike. Është e lehtë të thuash “dua t’i jap fund gjakderdhjes”, por shumë më e vështirë të përballesh me realitetin që ky konflikt nuk është për territorë të zakonshëm, por për vetë identitetin e një shteti dhe rendin ndërkombëtar.
Europa, në heshtje por edhe me skepticizëm, shikon nga larg. Britania, Franca e Gjermania kanë dyshim të thellë nëse Putini synon vërtet t’i japë fund luftës apo kërkon vetëm një “pauzë taktike”. Sepse negociatat e ngjashme kemi parë më parë: Marrëveshja e Minskut (2014, 2015), traktati i Stambollit (2022) – dhe në të gjitha rastet, armët u pushuan përkohësisht, por lufta nuk mbaroi kurrë.
Në këtë mes, viktima kryesore mbetet populli ukrainas, që nuk i intereson as fjalët e mëdha për “neutralitet”, as lojërat e diplomacisë. Mbi ta, çdo marrëveshje e imponuar është thjesht një tjetër formë dhimbjeje.
Nëse analizojmë etapat e konfliktit, duket se Putini nuk po heq dorë nga asgjë thelbësore. Bisedimet e tij për paqe janë më shumë një mjet për të ndarë partnerët perëndimorë, për të fituar kohë dhe për të treguar para opinionit botëror se “ai qenka pala që ofron kompromis”. Mirëpo, një kompromis që për njërën palë është humbje e të drejtës për ekzistencë, nuk është paqe – është diktat.
Nga ky samit, mësimi më i rëndësishëm ndoshta është ky: fjala “paqë” nuk ka të njëjtin përkufizim për të gjithë. Për Putinin, është një marrëveshje që konfirmon fitimet territoriale. Për Trumpin, është një imazh politik që e rikthen si figurë të botës. Për Zelenskyn, është betejë për mbijetesën e shtetit të tij. Dhe për qytetarët e thjeshtë në Kharkiv, Odesa apo Lviv – është vetëm një dëshirë, e thjeshtë dhe njerëzore: që fëmijët të mos zgjohen nga sirenat e bombardimeve.