Pse lindin konfliktet?

Opinione

Pse lindin konfliktet?

Nga: Nijazi Halili Më: 8 shtator 2025 Në ora: 21:19
Nijazi Halili Nijazi Halili

Që nga lindja e njerëzimit, konfliktet kanë qenë pjesë e pandashme e jetës shoqërore. Nga ndarja e pasurisë dhe territoreve, deri te përplasjet etnike, fetare dhe ideologjike, mosmarrëveshjet kanë shoqëruar çdo hap të historisë. Por pse lindin konfliktet dhe si mund të shmangen ato?

Konfliktet nuk janë shpikje e kohës sonë. Ato janë po aq të vjetra sa vetë njerëzimi. Që nga momenti kur njerëzit nisën të jetojnë së bashku, të ndajnë hapësira, pasuri dhe ide, lindi edhe nevoja për komunikim, por bashkë me të edhe përplasjet. Mosmarrëveshjet janë pjesë e pandashme e jetës njerëzore, ashtu si frymëmarrja dhe vetë ekzistenca.

Arsyet që nxisin konfliktet janë të ndryshme: herë është pasuria, herë territori, herë dallimet etnike e fetare, e herë ideologjitë që përplasen mes tyre. Nuk mungojnë as rastet kur shkelja e të drejtave të njeriut bëhet shkak për rebelime dhe luftëra. E përbashkëta e të gjitha këtyre është fakti se, nëse nuk adresohen me kohë, ato rriten, forcohen dhe kthehen në kriza që mund të përfshijnë jo vetëm individë, por edhe shtete e rajone të tëra.

Historia ka treguar se konfliktet mund të menaxhohen dhe madje të zgjidhen, por kurrë duke i lënë pas dore. Negociatat, ndërmjetësimi, arbitrazhi apo ndërhyrja e një pale të tretë kanë dhënë shpeshherë rezultate. Por gjithçka varet nga vullneti i palëve për të dëgjuar njëra-tjetrën dhe nga aftësia e ndërmjetësuesve për të krijuar besim.

Një element që shpesh përcakton fatin e konflikteve është koha. Nëse reagimi vjen herët, në fazën e mosmarrëveshjes, ka shanse të mëdha që tensioni të shuhet. Por nëse lejohet të zgjasë, konflikti shndërrohet në plagë të përhershme që hap rrugë për përplasje të reja, shpesh duke u përshkallëzuar deri në luftëra

Rasti i Ballkanit Perëndimor; Ballkani Perëndimor është një shembull i qartë se pse konfliktet lindin dhe shpesh zgjasin me dekada. Ky rajon është përshkuar nga një histori e gjatë perandorish, ndarjesh territoriale, luftrash çlirimtare dhe përplasjesh etnike e fetare. Trashëgimia e kësaj historie ka krijuar një terren të ndjeshëm, ku mosmarrëveshjet e së kaluarës shpesh ringjallen në të tashmen.

Kosova, një rast tipik; Nga të gjitha konfliktet në Ballkanin Perëndimor, Kosova paraqet një nga rastet më tipike të përplasjes së zgjatur. Në thelb, konflikti kosovar ka qenë territorial, etnik dhe politik. Popullsia shqiptare, shumicë dërrmuese, iu nënshtrua një politike diskriminuese dhe represive nga Beogradi gjatë viteve ’80 dhe ’90. Heqja e autonomisë, shkelja e të drejtave të njeriut dhe përpjekja për të asimiluar identitetin shqiptar, e shndërruan Kosovën në vatër të një konflikti të përhershëm.

Rezistenca paqësore e udhëhequr nga Lidhja Demokratike e Kosovës nuk solli zgjidhje. Përkundrazi, represioni çoi në formimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe përshkallëzimin e dhunës, që kulmoi me intervenimin e NATO-s në vitin 1999. Shpallja e pavarësisë më 2008 ishte një moment historik, por refuzimi i Serbisë dhe tensionet në veri tregojnë se konflikti mbetet i hapur.

Rasti i Kosovës: dëshmon se konfliktet e pazgjidhura në kohën e duhur prodhojnë pasoja afatgjata. Pa dialog, pa pranimin e realitetit dhe pa integrim në mekanizma ndërkombëtarë, rreziku i rikthimit të konflikteve mbetet i lartë.

Për fund të kuptosh pse lindin konfliktet nuk është vetëm një çështje historike apo teorike. Është një mësim i gjallë për të tashmen dhe të ardhmen. Konfliktet lindin nga mohimi i të drejtave, mungesa e dialogut, dallimet etnike e ideologjike dhe përplasjet territoriale. Por ato mund të menaxhohen dhe zgjidhen nëse veprohet me kohë, me dialog të hapur dhe me ndërmjetësim efektiv.

Kosova dhe Ballkani Perëndimor tregojnë se konflikti nuk është një fat i pashmangshëm; ai mund të shmanget ose të zgjidhet, nëse vendimet historike dhe strategjitë politike marrin parasysh respektin për identitetin, të drejtat dhe aspiratat e të gjitha palëve. Vetëm kështu mund të ndërtohet një e ardhme paqësore dhe e qëndrueshme.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat