Koha e formimit të qeverive të Dragodanit dhe zgjedhja e presidentëve përmes “kovertave” ka përfunduar

Opinione

Koha e formimit të qeverive të Dragodanit dhe zgjedhja e presidentëve përmes “kovertave” ka përfunduar

Hafiz Shala Nga Hafiz Shala Më 17 shtator 2025 Në ora: 10:09
Albin Kurti, Lumir Abdixhiku, Bedri Hamza e Ramush Haradinaj

Pezullimi pa afat i “Dialogut Strategjik” mes SHBA-së dhe Dardanisë – (e vendosa në thonjëza sepse asgjë nuk është e precizuar, e shkruar apo e miratuar në Parlament dhe nuk ka njohuri të sovranit, i cili është i vetmi kompetent për të votuar lirshëm) – është në të vërtetë një “non-paper”. Ishte një “bombë” e hedhur për të trazuar opinionin shqiptar të Dardanisë, si një mesazh se “Amerika po heq dorë nga ne”, ndërsa nga ana tjetër, Serbia po inkurajohet, çka u vërejt edhe nga deklaratat e ambasadorit serb në SHBA, Gjuriq, i “ledhatuari” i DASH-it. Serbia, jo vetëm që nuk pranon të dialogojë, por e fuqizuar nga Rusia dhe Kina – kundërshtare të SHBA-ve – po forcon marrëdhëniet me këto dy shtete, madje edhe përmes ushtrimeve të përbashkëta ushtarake, duke treguar “muskujt” edhe ndaj fqinjëve të saj. Kushdo që kërkon paqe, sipas saj, duhet t’i pranojë a priori kërkesat e saj, përfshirë edhe ato rreth aneksimit të veriut të Mitrovicës – një plan i stisur nga mercenarët shqipfolës: Hashim Thaçi, Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiq që nga viti 2016 në Nish.

Kjo kaptinë fatale për Dardaninë dhe paqen në Ballkan është e mbyllur. Nëse dikush sheh ëndrra të tilla dhe mendon se do të ketë paqe afatgjatë dhe stabilitet në Ballkan, Evropë dhe më gjerë, atëherë, sa më shpejt të kthjellet, aq më mirë për të dhe për paqen.

Këto janë “ethet” që kanë kapluar udhëheqësit dhe popullin shqiptar të Dardanisë. Prandaj, një “bombë” amerikane e hedhur hapur është shqetësuese për një popull ndër më proamerikanët në botë.

Pse sulmohet udhëheqja aktuale dardane – Kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe Presidentja Vjosa Osmani?
Kjo e fundit është njëra ndër presidentet më të kualifikuara, më të reja dhe më proamerikane në botë – dhe kjo është për habi.

A janë veprimet e z. Kurti në kundërshtim me Kushtetutën, ligjet dhe demokracinë e brendshme, krahasuar edhe me standardet më të avancuara në botë?

Si mund të akuzohet ekzekutivi me në krye Albin Kurtin, i cili, pas 26 vitesh, çliroi veriun e okupuar nga grupet terroriste si “Lista Serbe” dhe formacionet si “Rojet e Urës”, “Brigadat e Mbrojtjes Territoriale”, të udhëhequra nga kryeterroristi Milan Radoiçiq – njëherësh nënkryetar i kësaj partie fantome? Në vend që ai të ekstradohej nga Serbia për veprat terroriste dhe sulmin ndaj një shteti sovran të njohur nga 119 vende të botës, ai sot është i lirë dhe madje u pa si truproje e Vuçiqit gjatë demonstratave studentore në Serbi.

Këto formacione paramilitare të organizuara nga Lista Serbe, që edhe pas kërkesave për të mos u certifikuar si subjekt normal politik në KQZ, u ndihmuan nga partitë opozitare shqiptare – sepse vetëm përmes saj mund të realizojnë ardhjen në pushtet. Kjo u vërtetua edhe në zgjedhjet e fundit nacionale. Këto formacione politike, të maskuara si organizata terroriste dhe të përdorura si vegla të Vuçiqit, veprojnë me synim të qartë: të pamundësojnë funksionimin normal dhe demokratik të Republikës së Dardanisë – që nga sulmi në Banjskë me qëllim aneksimin e veriut, deri te sulmi terrorist-diversionist në Kanalin Ibër-Lepenc, duke ndalur furnizimin me ujë të pijshëm për më shumë se gjysmën e popullsisë, si dhe pamundësimin e ftohjes së turbinave, çka do të thotë edhe ndalje e funksionimit të termoelektranave. Për këtë, as Serbia, as Bashkësia Ndërkombëtare – përveç vërejtjeve formale – nuk ndërmorën asnjë hap konkret.

Ky është rezultati i sjelljes së Serbisë, e cila thjesht tallet me Evropën dhe tani edhe me Amerikën – nëse i lejohet.

Regjistrimi i Listës Serbe si parti e zakonshme paraqet rrezik dhe destabilitet për Republikën. Nëse ajo merr pushtetin në komunat veriore në zgjedhjet e ardhshme, të cilat paraprakisht i kishin bojkotuar me direktiva nga Vuçiqi, do të fillojnë formimin e strukturave të ashtuquajtura policore dhe mbrojtëse “civile”, gjoja si pjesë e Policisë së Dardanisë. Kam frikë se do të inskenohet një konflikt mes policëve shqiptarë dhe atyre serbë, për të krijuar një gjendje kaotike me viktima civile të pafajshme, që pastaj do t’i shërbejë Serbisë si pretekst për ndërhyrje – qoftë edhe në prani të KFOR-it.

Kjo do të çonte në një dialog të imponuar “pas një gjendjeje të re të jashtëzakonshme”, e për të cilën duhet ta kemi të qartë se nuk ka udhëheqës shqiptar që ka guximin të vëjë nënshkrim mbi një marrëveshje të tillë.

Duke e njohur mentalitetin serb dhe filozofinë e saj politike të bazuar në gënjeshtër, ky është skenari më i mundshëm i radhës.

Këtë e dëshmon edhe fakti se, në një tubim elektoral të Listës Serbe, janë bërë thirrje të hapura kundër Kurtit dhe janë inkurajuar veprime për destabilizimin e veriut, duke u shprehur publikisht:

“Ne do ta formojmë ushtrinë tonë që do të drejtohet nga komandanti ynë, Aleksandar Vuçiq.”

Çdo mbështetje ndaj këtij formacioni politiko-terrorist është mbështetje për destabilitetin, që populli shqiptar – shumicë në Dardani – nuk mund ta pranojë.

Pse duhet të presim të bindemi për këto fakte, kur duhet të reagojmë sot – para se të jetë shumë vonë?

Këta janë pasardhësit e atyre që, më 2004, në një veri të “çliruar”, vranë në mënyrë mizore tre fëmijë shqiptarë – Egzon Deliun, Avni Veselin dhe Florent Veselin – në fshatin Çabër, duke i ndjekur me qentë dhe duke i detyruar të hidheshin në lumin Ibër. Ata humbën jetën mizorisht, ndërsa serbët hidhnin valle dhe këndonin.

Këta janë të njëjtët njerëz që, gjatë luftës së fundit, vranë mbi 1600 fëmijë shqiptarë, disa prej tyre në djep. Edhe sot e kësaj dite nuk dihet për fatin e shumë prej tyre – trupa që ende mbahen peng në varreza masive nga regjimi i Vuçiqit si mjet shantazhi për përfitime territoriale e politike.

Ku është Bashkësia Ndërkombëtare që nuk bën presion mbi Serbinë, ndërsa nga ne kërkon vetëm tolerancë dhe “lëshime”? “No pasaran!” – nuk kalon!

Zotërinj të nderuar, unë nuk besoj siç thonë disa të tjerë se kjo është fundi i marrëdhënieve me SHBA-të. Sepse, SHBA-të kanë interes gjeostrategjik në vend të parë, me theks të veçantë në Ballkan dhe Evropë. Dhe asnjë vend në rruzullin tokësor nuk është më i sigurtë për ushtarin, qytetarin dhe investitorin amerikan se sa Dardania.

A nuk është ky momenti kyç për të reflektuar?
Pozita gjeostrategjike e Dardanisë – e bashkuar me Shqipërinë – përbën një konglomerat sigurie strategjike, duke pasur parasysh lidhjet tokësore dhe detare përmes Shqipërisë. Kjo pozitë e përcakton qartë rëndësinë që ka rajoni ynë për SHBA-të.

Kjo mund t’i “tërheqë veshin” Albin Kurtit që të zmbrapset nga veprimet “jo të koordinuara”, por jo të sjellë ndonjë prerje cezariane në raportet mes Dardanisë dhe SHBA-së. Sepse një hap radikal ndaj një lideri që është më i votuari në historinë e Republikës së Dardanisë, mund të prodhojë reagime fillimisht paqësore, por edhe radikale.

Ky është i vetmi lider që e disiplinoi Serbinë, që ndaloi provokimet e saj ndaj një populli me plagë ende të freskëta nga lufta e përgjakshme, me karakter gjenocidal dhe tentim për dëbim kolektiv.

Prandaj, çdo tentativë për ndryshime radikale në veri, në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e vendit, pas ardhjes në pushtet të kësaj partie terroriste, do të rezultojë me reagime shtetërore deri në mobilizim të përgjithshëm të popullatës shqiptare në pjesën veriore të Mitrovicës.

Rreziqet që i paralajmërova më lart, bazohen në planin ogurzi të kësaj partie terroriste.
Nëse do të kishte vullnet nga institucionet, ishte më mirë që Prokuroria e Shtetit të niste hetime të thelluara ndaj saj për pjesëmarrje në veprime terroriste, që nga bllokadat rrugore, sulmet ndaj KFOR-it – ku pati të plagosur e të gjymtuar – sulmet ndaj civilëve, gazetarëve, fotoreporterëve etj.

Vetëm këto prova do të mjaftonin që kjo parti të mos regjistrohej kurrë si subjekt politik.

Përvoja ime personale – dëshmi nga historia që nuk duhet harruar

Si njohës i mentalitetit të tyre luftënxitës, edhe në kohë paqeje, kam pasur rastin të punoj që në fillim të karrierës sime – fillimisht si praktikant, më pas si përcjellës trenash dhe instruktor shkollor për përgatitjen e kuadrove ekzekutive në Organizatën Transportuese Hekurudhore në Fushë Kosovë.

Që atëherë, kjo organizatë njihej si bastion nacional-shovinist serb, me lidhje direkte me Beogradin. Pas diplomimit në Fakultetin e Komunikacionit Hekurudhor në Beograd (sepse një fakultet i tillë nuk ekzistonte në Prishtinë, as atëherë e as sot), përgatita për herë të parë dy gjenerata në gjuhën shqipe – gjë që nuk ishte bërë kurrë në historinë e hekurudhave të ish-Jugosllavisë apo të Dardanisë deri në vitin 1974.

Pas reformave kushtetuese të vitit 1974, filluan të emërohen kuadro shqiptare në poste udhëheqëse. Në atë kohë u caktova komandant i njësisë territoriale, pasi kisha përfunduar edhe shkollimin për oficer rezervë. Para meje në atë pozitë ishte njëfarë Bozhidar Bullatoviq, i njohur për sjelljet e tij skandaloze.

Kur ndodhën demonstratat e vitit 1968, ai me një grup shovinistësh serbo-malazezë, në restorantin e hotelit “Bozhur”, i kushtëzonin myslimanët që për të hyrë brenda, duhej së pari të kryqëzoheshin. Madje, një kamerier shqiptar që shërbente aty, u poshtërua publikisht kur ata i kërkuan “kokë shqiptari për meze”. 

Kur ndodhën demonstratat e vitit 1981, u shpall gjendje e jashtëzakonshme në të gjithë Jugosllavinë. Me urdhër të Komandës Ushtarake, u mobilizuam brenda natës për të ruajtur rendin.

Në një moment të caktuar, ushtarë të komunitetit serb morën informacion se një grup studentësh po marshonin drejt Fushë Kosovës, afër udhëkryqit të rrugës Prishtinë–Pejë. Ata u panikosën dhe kërkuan me ngulm armatim për t’u konfrontuar me “separatistët” që, sipas tyre, po i sulmonin familjet serbe.

Refuzova t’u shpërndaja armë dhe për t’i qetësuar, i futa në sallë. Por, as urdhrave të mi nuk iu bindeshin. Njoftova eprorët e Komandës nga Prishtina, por edhe ata nuk arritën t’i frenojnë. Gjendja u përshkallëzua deri në pikën sa m’u desh të ndërhyja me Policinë Ushtarake.

I suspendova 7 ushtarë arrogantë, u hoqa uniformat dhe – për shkak se ishte orë policore – i vendosa si civilë në hollin e stacionit hekurudhor derisa të vinte mëngjesi.
Nëse do t’u ishin dhënë armët, mund të kishim përjetuar një masakër ndaj studentëve shqiptarë.
Fushë Kosova e atëhershme ishte një Mitrovicë Veriore në miniature – e tensionuar dhe e mbushur me urrejtje etnike të organizuar.

T’i kthehemi çështjes kryesore: “Dialogu Strategjik SHBA-Dardani”

Ndërprerja e këtij dialogu – aq e papritur dhe e pazakontë, duke pasur parasysh marrëdhëniet historikisht miqësore mes dy vendeve – ka krijuar panik dhe shqetësim të thellë. Kjo ka bërë që në kokën e shumë shqiptarëve të lindë një ide, sado hipotetike të duket:
A duhet të mendohet seriozisht për një status të veçantë të Commonwealth-it nën SHBA – sikurse Puerto Riko, për shembull?

Ndoshta kjo i duket dikujt si absurde, por në realitetin tonë të rrezikuar, ku territori dhe identiteti janë ende të pasigurt, është një zgjidhje që garanton mbijetesë dhe siguri të përhershme.

Evropa e përçarë nuk ka arritur as sot të bindë katër shtete anëtare ta njohin Dardaninë. E aq më pak ta detyrojë Serbinë që të njohë shtetin tonë të pavarur. Kjo nuk do të ndodhë.

Në këto rrethana, garancia e vetme për mbrojtje, siguri, zhvillim dhe integritet është përkrahja e përhershme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Hebrenjtë dhe roli i tyre në përkrahjen ndaj shqiptarëve

Nga përvoja ime mbi tri dekada në lobim dhe marrëdhënie ndërkombëtare, po e them me bindje:
Miku ynë i vërtetë dhe i sinqertë janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kjo përkrahje nuk ka qenë e rastësishme.
Ka qenë rezultat i ndikimit të hebrenjve në poste të larta vendimmarrëse – në Kongres, Senat, në Departamentin e Shtetit, të Mbrojtjes dhe të Inteligjencës.

Pse?

Sepse shqiptarët kanë qenë ndër të vetmit popuj në Evropë që nuk ia dorëzuan asnjë hebre nazistëve të Hitlerit gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Kjo mirënjohje nuk është harruar. Hebrenjtë nuk harrojnë kurrë ata që u kanë qëndruar pranë në ditët më të vështira.

Emrat e figurave hebraike më eminente që ndihmuan Dardaninë në vitet '90 janë të njohur. Ishte përkrahja e tyre që ndihmoi në ndërhyrjen e NATO-s, në shpëtimin e popullit shqiptar nga shfarosja dhe në krijimin e një shteti të ri.

Përmbyllje

Prandaj, këtë mesazh dua t’ua lë brezave që vijnë:

Të jenë mirënjohës përjetësisht ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Të mos e harrojnë kurrë kush ishte me ne, kur gjithë bota heshti.

Dhe, të mos kenë kurrë iluzione tek ata që historikisht kanë dashur vetëm copëtimin dhe zhdukjen tonë.

Hafiz Shala

New York,

17 Shkurt 2025

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat