Premtimet për të ardhmen, nëse ata/ato vijnë më pushtet nuk janë të lehta për t'u deshifruar, sepse aty hyjnë edhe gjëra të tjera të cilat nuk kanë ndodhur, por premtohet se do të ndodhin!
Megjithatë koha ecën shpejtë, dhe resultatet dalin në shesh, nëse premtimet e së ardhmes janë përmbushur apo jo. Krijimi i imazheve të rrejshme të mbështjellura me pozitivitet në politikën tonë, është i njëjtë me formën e tullumbaceve të fryra, të cilët nga mbrenda janë të zbrazëta!
Këta nuk ngjiten lartë, pa admirimin dhe përkrahjen e simpatizuesit me gjepa të thellë dhe votuesit i cili ëndërron ditë më të mira!
Pozitiviteti toksik (me rrena) i partive të opozitës, sulmi i turpshëm ndaj njëri tjetrit, është duke shkaktuar dëme të mëdha në marrëdhëniet tona shoqërore dhe shtetërore! Si është e mundur të ecim përpara si shtet, dhe si shoqëri, me të gjitha këto gënjeshtra nëpër të gjitha frontet e vendit?
Kam lexuar dikund se, studiuesit amerikanë, duan të regjistrojnë gënjeshtrën me një diagnozë patologjike, prandaj është e mundëshme, që në të ardhmen të befasohen shumë njerëz kur të kuptojnë se vujnë nga kjo sëmundje patologjike!
Sot për sot jemi në një situatë të turbullt politike dhe mediatike, sepse edhe aty gënjehet ç’lirshëm dhe pa fije turpi e në dobi të kobit për vendin!
Pra, për opinionin tonë dhe atë ndërkombëtarë, jemi shëndërrue në një shoqëri të qullavtë pa shije, sepse nuk kuptohet se kush han dhe kush paguan për vendin!
Kush duhet të ndajë shapin nga sheqeri në shoaërinë tonë?
Duket sikur askush nuk dëshiron të ngarkohet me këtë përgjegjësi morale mbi politikën e grupeve politike dhe mediumet, të cilat përhapin gënjeshtra të qëllimshme ndaj shtetit dhe qeverisë në detyrë.
Gënjeshtrat janë bë pjesë e një loje strategjike për të arritur majet e pushtetit me çdo kusht!
Vërtetë, të gjithë gënjejmë herë pas here, por në politikë gënjeshtra është fatëkeqësi për shtetin, shoqërinë dhe ardhmërinë!
Pse shumica e njerëzve të politikës, gënjejnë në mënyrë të drejtpërdrejtë, përpara votuesve dhe përpara mediumeve të ndikuara nga politika ditore?
Ndoshta e përbashkëta për të gjithë, bëhet nga nevoja e maniakut për të bindur veten (grupin) se janë më të mirët, dhe se janë shumë më të mirë se të gjithë të tjerët. Kjo sëmundje, ka diagnozë, por nuk shërohet, përderisa miu kalëron lirshëm nëpër mustaqet e Kushtetutës tonë!
Gjëja më e keqe që mund të ndodhë me këtë mentalitet jofunksional në politikën tonë është frika, se një ditë, do të turpërohen dhe do të dënohen, prandaj vazhdojnë dhe nuk ndalojnë me gënjeshtrën, duke ua hedhë fajin dhe turpin të tjerëve.
Nëse është e lirë të gënjejsh edhe përpara kamerave, nëse gënjeshtrat duartrokiten nëpër platforma online dhe media të tjera masive, atëherë do të kemi një shoqëri në të cilën askush nuk do e dallon rrenën nga e vërteta!
Paramendoni sikur të jemi në një situatë krize ose të luftës, dhe njerëzit nuk i besojnë qeverisë dhe shtëpive kryesore mediatike në vend, të cilat ishte dashtë të mbajnë anë të drejtë ndaj të vërtetës!