Si qytetar i Mitrovicës dhe specialist toksikolog me dy doktorata, me shqetësim të madh konstatoj se në këtë fushatë zgjedhore asnjë kandidat për kryetar komune nuk ka ngritur çështjen e helmimit të qenve endacak me substanca jashtëzakonisht të rrezikshme, si Furadan (Carbofuran) por edhe mjete tjera. Këto helme nuk jan vetëm mizori ndaj kafshëve, por edhe një kërcënim i drejtpërdrejtë për fëmijët, qytetarët dhe mjedisin
Qentë shpesh helmohet edhe me: Rodenticide (warfarin, bromadiolon, brodifakum), që shkaktojnë gjakderdhje të brendshme, të rrezikshme edhe për fëmijët në rast kontakti aksidental. Stricninë, një helm shumë potent që shkakton ngërçe fatale, i pranishëm ende në tregje të paligjshme. Organofosfate e karbamate të tjera, insekticide me toksicitet të lartë akut që dëmtojnë sistemin nervor. Përzierje të improvizuara, si ushqime me qelqe, gozhda ose pluhur helmesh – praktika të egra dhe jashtë çdo kontrolli.
Pra, problemi është shumë më i gjerë se një substancë e vetme. Ai dëshmon mungesë të plotë të kontrollit institucional mbi qarkullimin e helmeve, duke e ekspozuar shëndetin publik ndaj rrezikut të përhershëm. Kontakti aksidental me trupat e kafshëve të helmuara ose me zonat e kontaminuara mund të shkaktojë helmime fatale. Trupa të ngordhur nëpër rrugë dhe hapësira publike janë rrezik i drejtpërdrejtë për qytetarët dhe fëmijët tanë. Çfarë duhet bërë? Pushteti lokal duhet të dalë me plan konkret për menaxhimin human të qenve endacakë: ndërtimin e strehimoreve komunale, programe të sterilizimit dhe vaksinimit, ndalimin e përdorimit të helmeve të ndaluara, sensibilizimin publik për adoptim dhe kujdes. Heshtja politike përballë këtij problemi është e papranueshme.
Çdo kandidat duhet të deklarohet qartë: a janë për vazhdimin e helmimeve të fshehta, apo për një zgjidhje humane dhe të qëndrueshme? Pse është ky helm i rrezikshëm? Carbofurani, i njohur tregtarisht si Furadan, është një pesticid shumë toksik që është ndaluar në BE dhe në Kosovë, por fatkeqësisht ende hyn ilegalisht nga Shqipëria dhe Turqia. Në sasi shumë të vogla është vdekjeprurës, sulmon sistemin nervor, shkakton paralizë muskulore dhe vdekje të shpejtë. Përveç kësaj, është kancerogjen, mutagjen dhe teratogjen, pra dëmton edhe gratë shtatzëna dhe fetuset.
Statistikat tregojnë se mbi 75% e rasteve të helmimeve me qëllim në botë prekin qentë, rreth 15% macet, ndërsa pjesa tjetër gjitarë dhe zogj të egër. Helmimet masive në Mitrovicë janë një fakt monstruoz dhe tmerrues. Kemi trupa kafshësh në dekompozim nëpër rrugë, që fëmijët i kalojnë çdo ditë pranë tyre, ndërsa institucionet kompetente heshtin. Shteti është i detyruar të parandalojë dhe të sanksionojë këto praktika barbare, duke bashkëpunuar përmes policisë, inspektorateve veterinare dhe prokurorisë. Zoti e krijoi botën jo vetëm për njeriun, por edhe për qenie të tjera të gjalla dhe askund nuk është shkruar se njeriu ka të drejtë të bëhet shfarosës i tyre.