Në jetën politike shqiptare, dy figura dallohen qartë: burri i shtetit dhe agjenti. I pari është ndërtues, i dyti shkatërron. Burri i shtetit e lidh emrin e tij me të ardhmen e kombit; agjenti e shet kombin për të shpëtuar të tashmen e tij personale.
Ky kontrast është themelor për të kuptuar pse shqiptarët kanë ecur ngadalë drejt shtetformimit dhe pse shpesh kanë qenë peng i interesave të huaja.
Burrat e shtetit janë vizionarë. Ata nuk e masin politikën me afate zgjedhore, por me përmasa historike.
Ndër cilësitë e tyre kryesore numërohen: vizioni afatgjatë, që u mundëson të marrin vendime që i shërbejnë gjeneratave, jo xhepave të tyre; morali politik, që u mundëson të qëndrojnë mbi korrupsionin dhe nuk lejojnë që interesi personal të zëvendësojë interesin kombëtar; sakrifica personale, që u mundëson të jenë të gatshëm të humbin pushtetin, rehatinë dhe madje jetën për t’i qëndruar besnik kombit; kanë autoritet shpirtëror – domethënë, nuk janë thjesht politikanë, por udhërrëfyes që masa kombëtare i sheh si shembuj; dhe shquhen për vendimmarrje burrërore – në kohë krize ata nuk fshihen pas justifikimeve, por marrin përgjegjësi.
Në historinë shqiptare, figurat që i afrohen këtij modeli janë të pakta, por të paharrueshme. Ata ndërtuan themelet e pavarësisë, mbrojtën jetën, territorin, gjuhën dhe kulturën, dhe sakrifikuan për lirinë kombëtare.
Në anën tjetër, politika shqiptare është e mbushur me agjentë: individë që luajnë rolin e politikanëve, por në thelb janë përfaqësues dhe ndërmjetës të interesave të huaja.
Ndër cilësitë e tyre dalluese janë: servilizmi – nuk kanë dinjitet personal, sepse e kanë zëvendësuar atë me nënshtrim ndaj ambasadave e shërbimeve të huaja; korrupsioni i shfrenuar – tregues i të cilit është pasuria e tyre që rritet në përpjesëtim të kundërt me varfërimin e popullit; maskimi patriotik – flasin me slogane kombëtare për të mbuluar marrëveshjet e errëta që bëjnë në prapaskenë; i shquan pragmatizmi i ulët – që vërtetohet me vendimet që nuk synojnë të ardhmen e kombit, por të sotmen e tyre: tenderët, privilegjet, sigurinë personale; njihen si fragmentarë – sepse për interesa të huaja shpikin ndarje të reja mes shqiptarëve, duke dobësuar unitetin kombëtar; dhe kanë varësi psikologjike të rëndë – janë aq të lidhur me qendrat e huaja të fuqisë, sa nuk dinë të marrin vendime pa “urdhër” apo “bekim” nga jashtë.
Fatkeqësisht, historia jonë moderne është kryesisht një histori e dominimit të agjentëve mbi burrat e shtetit.
Kjo shpjegon më së miri pse shteti shqiptar shpesh duket i brishtë, pse Kosova mbetet nën trysni të vazhdueshme dhe pse bashkimi shpirtëror e politik i kombit ende është i vonuar.
Çdo herë që burra shteti janë ngritur, ata janë sabotuar, përbaltur apo eliminuar, sepse agjentët, si zgjatime të fuqive të huaja, kanë pasur përkrahje të madhe ndërkombëtare dhe një aparat të brendshëm propagandistik për t’i goditur burrat e shtetit.
Prandaj: kush sakrifikon për kombin është burrë shteti; kush fiton mbi kurrizin e kombit është agjent.
Pa këtë ndarje, politika shqiptare do të mbetet peng i sharlatanëve që, në emër të demokracisë dhe integrimit, kanë shitur sovranitetin dhe dinjitetin kombëtar.