Çfarë doni sonte për darkë?

Opinione

Çfarë doni sonte për darkë?

Nga: Kimete Berisha Më: 4 tetor 2025 Në ora: 23:31
Kimete Berisha

- Të flas pak për dashurinë, për xhelozinë, për dialogun… apo për opozitën?

- Për Albin Kurtin, për paqen në botë, apo ndoshta për melankolinë…

për vajzat e djemtë e varfër që s’mund të ikin nga Kosova?

- Për shpresën e humbur, apo për shpirtin?

- T'ju tregoj pse s'jemi të lumtur?

- Apo të flas për lutjen që shëron mendjen, e për bestytninë e unazës së humbur?

- Ndoshta për çmimet dhe absurdin...

për artin pa publik...

apo për aktorin që u varros si kryehoxhë me dhjetë hoxhë,

pasi kori i burrave këndoi Sinatrën 'I did it my way'...

anipse feja e ndalon aktrimin, e konsideron shtirje.

- Anipse, s’ka ‘I did it my way’ me fe…

Zoti e shkruan rrugën tënde, e jo ti.

(Jo, këtë temë s’e dua...po e tërheq. Zgjidhni një tjetër).

- Për pangopësinë, a doni…

për krijimin e bukurisë me thikë.

- Për atë se si e kemi harruar qetësinë e shpirtit...dhe që kur nuk ekziston qetësia, ajo e shkatërron çdo bukuri.

- Për zgjedhjet lokale… s’besoj se dëshironi t’ju flas.

Ato i ka pushtuar apatia, sepse ne jemi veç për tema qëndrore…për tema të mëdha.

- Dëshironi të flas pak për ambasadorin italian, që ka filluar të ndjehet i gjallë, e t’u japë leksione partive shqiptare…

Oh, Maurizio.

- Lakmi po i merr edhe ai suedez...ka filluar të shpurdh ngapak.

- Dëshironi t'ua përshkruaj se si do të ishte dukur ambasadori i Kosovës në Izrael nëse do t'i mbledhte partitë atje e t'u tregonte si të vepronin?

- Apo t'u pëshpëriste në vesh gjyqtarëve, siç bëjnë ambasadorët e huaj në Kosovë!

(Kjo temë bajate, shpresoj se nuk e zgjedhni).

- Apo doni një parodi nga unë për dialogun me Serbinë:

atë që e vajton opozita, e qajnë se ka vdekur klinikisht....

T'ju tregoj se duke dashur ta 'mbysin' politikisht Albin Kurtin padashje e ngjallin Millosheviçin nga varri, a çka...

sepse nuk e shohin Kosovën të ndarë nga Serbia?

- Për ta s'bën pa bla-bla me Vuçiçin.

- E shohin Kosovën pa Serbi..., por duan të çlirohen nga Albin Kurti, e kur e humb njeriu pushtetin e humb shpirtin.

- Çka doni nga unë?

Unë jam e ngrohtë, mund t'ju flas pak edhe për romantikë.

- Mund ta mashtroj kë të dua, por nuk e praktikoj.

- Nëse doni, mund ta përqesh pak edhe vetveten?

T’ju tregoj se si një ditë, një punëtore krahu ma bëri tetë me dy, me një leksion të saj për politikë?

- Apo t’ju tregoj drejt se si ndjehem unë pak para perëndimit të diellit, kur ndalen dritat e qiellit…

Se si s'më pëlqen askush dhe gati gjithmonë e aktroj mirësjelljen!

- Kam shumë vese, zgjedhni cilat doni t'ua zbuloj!

- Nga të gjitha temat, mos e zgjedhni dëshminë e zëvendësit të Kushnerit në Hagë...

Më mërziti kur tha se Rugova vuante nga 'depresioni klinik'.

- Ishte shpirt poeti...E tash shqiptarët vuajnë me bark e jo me shpirt...vuajnë për 'miluna'!

(Për këtë temë nuk pranoj të flas, se kjo temë zbulon se kam ndjenja më shumë seç dua t'i shfaq).

- Çka doni tjetër?

Zgjedhni, nëse dini të zgjidhni, se unë, për vete, nuk kam ditur kurrë…

P.S. Vërejtje: Komentet “Të duam ty për darkë!” janë të ndaluara.

Zgjidhni një temë tjetër… ose fantazoni pak më thellë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat