Garë dramatike në Drenas: Kush fiton, Ramiz Lladrovci apo Petrit Hajdari?

Opinione

Garë dramatike në Drenas: Kush fiton, Ramiz Lladrovci apo Petrit Hajdari?

Nga: Faton Mehmeti Më: 8 tetor 2025 Në ora: 14:28
Autori Faton Mehmeti

Zgjedhjet lokale në Drenas më 12 tetor pritet të jenë ndër më dramatiket që kjo komunë ka parë në dy dekadat e fundit. Për herë të parë që nga paslufta, Partia Demokratike e Kosovës rrezikon seriozisht të humbasë bastionin e saj më të fortë politik.

Arsyeja? Një përçarje e brendshme që ka dalë në pah me përmasa të dukshme. Në njërën anë qëndron Ramiz Lladrovci, ish-kryetar i komunës dhe figurë e njohur e luftës, i cili, pasi nuk u kandidua nga PDK-ja, ka vendosur të garojë me iniciativë qytetare. Lladrovci shihet si kandidat i pavarur që sfidon “klanin e vjetër” të partisë, duke u prezantuar si zëri i qytetarëve të zhgënjyer nga pazaret e brendshme.

Në anën tjetër, Petrit Hajdari, kandidati zyrtar i PDK-së dhe i afërt me Sami Lushtakun, përfaqëson strukturat tradicionale të partisë, të cilat po përpiqen me çdo kusht ta ruajnë kontrollin mbi komunën, simbol të dominimit të tyre politik për vite me radhë.

Gara është kthyer në një përplasje frontale midis dy botëve politike: ajo që kërkon t’i japë fund monopolit të një grupi brenda PDK-së dhe ajo që lufton për të ruajtur pushtetin me çdo çmim.

Në terren, Lladrovci ka përparësi për shkak të kontaktit të drejtpërdrejtë me qytetarët, karizmës personale dhe kapitalit politik të krijuar ndër vite, ndërsa Hajdari mbështetet te strukturat partiake dhe te mbështetja e fortë e zyrës qendrore të PDK-së.

Nëse gara mbetet vetëm midis tyre, gjasa më e madhe për fitore i takon Ramiz Lladrovcit, i cili perceptohet si “i padrejtësuar” dhe po fiton simpati për guximin e treguar ndaj ish-partisë së tij. Por nëse opozita në Drenas arrin të unifikojë votën e zhgënjyer, mund të ndodhë befasia e madhe – rrëzimi i bastionit të PDK-së pas më shumë se 20 vitesh.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat