Ka raste kur fjala “turp” është e vogël për të përshkruar një realitet që të lë pa fjalë. Fotografia e Fatmir Shehollit, të dyshuar për spiunazh kundër Kosovës, krah një ish-komandanti të Betejës së Koshares, duke bërë simbolin e shqiponjës, është një nga ato momente që trondit ndërgjegjen kombëtare.
A ka poshtërim më të madh për gjakun e dëshmorëve sesa një komandant i luftës që pozon me dikë që dyshohet se ka shitur vendin?
A ka ironi më therëse sesa “shqiponja” që ngrihet nga duar që përfaqësojnë dy botë të kundërta – njërën që luftoi për liri dhe tjetrën që dyshohet se punoi për ta nëpërkëmbur atë? Ky imazh nuk është thjeshtë një foto është simboli i degradimit moral, i mungesës së kujtesës dhe i shuarjes së ndjenjës së dinjitetit kombëtar.
Një komandant i vërtetë nuk bën “selfie” me spiunë; ai mban distancë, sepse di çfarë përfaqëson gjaku që ka derdhur dikur në front. Por, kur heronjtë bëhen spektatorë, kur disa ish-komandantë harrojnë kufirin mes armikut dhe mikut, atëherë spiuni bëhet patriot me mikrofon, e patrioti i heshtur mbetet në hije.
Kjo është drama jonë kombëtare sot: heronjtë e rremë në ekrane, dhe të vërtetët të harruar në varre. Rasti Sheholli duhet të shërbejë si zgjim kolektiv, sepse nëse sot bëjmë shqiponjë me spiunët, nesër do të harrojmë edhe pse ajo shqiponjë ka dy koka një për lirinë dhe një për kujtesën. E nëse e humbim kujtesën, humbim gjithçka.