Mafia mediale: Exit Poll-et e errësirës!

Opinione

Mafia mediale: Exit Poll-et e errësirës!

Nga: Kimete Berisha Më: 13 tetor 2025 Në ora: 23:16
Kimete Berisha

1. Propaganda votoi e para.

- Mafia lokale zgjidhet me vota,

por mafia mediale, i zgjedh vetë votat.

- Në Kosovë, propaganda nuk është as e ftohtë si ajo ruse, as e heshtur si ajo perëndimore, është burimore, emocionale, e zjarrtë, gazmore, e mbushur me ndjenja hakmarrëse, dhe me buzëqeshje!

- Gazetarët shqiptarë nuk e fshehin kënaqësinë kur duan ta “mbysin” armikun politik...sepse në këtë vend, hakmarrja ende quhet opinion.

- Propaganda e tyre nuk të detyron të bësh asgjë.

Të lodh.

- Dhe lodhja është vdekja më e ngadalshme, ajo që ta shuan shpresën pa ta marrë shpirtin.

2. Sugjestioni si armë.

- Inxhinieria mediale nuk e ndalon askënd të votojë, thjesht të bind se s’ia vlen.

- Në orët e fundit para mbylljes së kutive, ekranet shpallnin “rezultate dramatike”, me exit-pollet e frikës.

- Sugjestioni ishte masiv, helmues, shpërndanin rrena si ujin me shllaf syve të votuesve: gjithçka ka mbaruar, vota jote s’ka më kuptim.

- Gazetarët nuk e matën opinionin, e krijuan atë, me porosi.

- Sondazhet u kthyen në armë psikologjike, një lojë për të prodhuar ndjenja e jo lajme.

- Në çdo studio, kutitë u hapën para kohe: një “ekspert”, një “tronditje”, një “rezultat dramatik”.

- Dhe për një çast, edhe unë ndjeva sugjestionin: ekranet e mbushura me grafika dhe “burime konfidenciale” ma krijuan ndjesinë e një lufte të humbur që s’kishte nisur ende.

3. Frika prej leshi!

- Iluzioni i projektuar nga mediat

bëri që të ndihemi të panevojshëm:

se gjithçka ka mbaruar që në

mëngjes, se vota jote... është vonë tash.

- Në orën 15:00, një titull i vetëm e përshkroi gjendjen kolektive:

“Dihet fituesi… kush doli, doli.”

- Kjo është formula e propagandës shqiptare, të lodhë derisa të dorëzohesh vetë.

- Do të ishte forma më e butë, më e sofistikuar e manipulimit politik, nëse gazetarët do të përmbaheshin nga lumturimi.

- Ata dukeshin euforikë dhe patetikë, sepse nuk e fshihnin lumturinë e tyre për humbjen e Mitrovicës së Jugut nga dushmani i tyre shqiptar, e asnjëherë nuk u mërzitën që nëntë komuna të veriut i morën serbët!

4. Orakujt e frikës.

- Që janë exit pollet e orkestruara dhe të paguara nga sponsorët e vjetër, s'ka dert, se u del duçi, ata e dinë, por ne s'e ditëm se qëllimi i tyre nuk ishte të krijonin fituesit,

por të hutonin votuesit, që të mos dilnim në votime...

- Fati i zgjedhjeve u transmetua “live”, me komente dramatike.

- Recetat psikologjike të gazetarëve

tingëllonin si parashikime tarot të gazetarisë, për fundin e palavdishëm të një epoke dhe për një Pavarësi të Re të Kosovës....

...me intonacione që ngjallnin ndjenjën e një frike misterioze, sepse dy karta Tarot, karta: i ekzekutuari me varje (Hanged man) dhe karta e vdekjes (Death), i ishin ndarë Vetëvendosjes:

- 'Rezultati është katastrofik për ta...më shumë s'mund të themi...'...

dhe pastaj ia jepnin një rend 'ha ha ha'.

5. Plogështia shpirtërore fitoi.

- Rezultati?

Vetëm 32% votues.

Propaganda fitoi pa vjedhur vota, thjesht duke vjedhur ndjenja.

- Apatia shqiptare s’është rastësi, është produkt.

- Një shpikje e re që të jep iluzionin e zgjedhjes, por jo dëshirën për të zgjedhur.

- Në një vend ku vetëm një në tre del në votime, propaganda nuk ka nevojë të bindë askënd, mjafton të lodhë shumicën.

- Ndoshta apatia kolektive është produkt i lodhjes, i nënvetëdijes që çdo “ndryshim” është vetëm rotacion i mjerimit.

6. Lodhje a dorëzim!

- Kështu vdes demokracia:

jo nga dhuna, por nga çasti kur njerëzit ndalen së besuari se vota e tyre ka kuptim.

Në fund të natës, një komb i tërë mbetet me të njëjtën ndjesi: atë të dorëzimit, si mënyra më e re e rehatisë shqiptare.

- Mafia që kontrollon komunat, kontrollon edhe lajmin.

Vjedh edhe tenderë, edhe ndjenja.

- Dhe më e rrezikshme se mafia lokale është mafia mediale, që e krijon realitetin përpara se të ndodhë

7. Sevdalinjtë e apatisë!

- A e kanë zbuluar këto zgjedhje apatinë komode të shqiptarëve. ..

A u bë apatia për shqiptarët si melankolia për Victor Hugo: Sevda, 'Sevda për t'u ndjerë i pikëlluar'!

- Apo, ndoshta është një...diçka tjetër, e nuk është apati, se kur ndodh që shqiptari e jep një golë, të gjithë dalin nga apatia për t'u kthyer prap në apati deri në golin e ardhshëm.

- Si ndodhi që futbolli u bë sport patriotik e zgjedhjet dhe çlirimi i Veriut nga kriminelët serbë u bën të panevojshme!

- Nëse do të pyeteshin shqiptarët, do t'u mjaftonte zbavitja, kotësia dhe bjerrakohësia,

do t'u mjaftonte çdo gjë që 'e vret kohën'...e zgjedhje s'do të mbaheshin kurrë.

- Pra, duket se apatia vlen veç për politikë, se në lojë e në dashuri s'ka ankesa..gjaku vlon...nganjëherë... aty-këtu.

P.S. Kur gazetarët na treguan rezultatin para votës tonë, ata na e vodhëm votën pa na kërkuar asnjë dokument....!

(Dhe kështu, edhe propaganda ka Asociacionin e saj… që s’ka të bëjë më me gazetarinë, por me artin e dorëzimit kolektiv).

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat