Enver Hoxha, pjellë Shqipërie apo...?

Opinione

Enver Hoxha, pjellë Shqipërie apo...?

Nga: Xhevat Mustafa Më: 16 tetor 2025 Në ora: 08:33
Autori Xhevat Mustafa

Enver Hoxha ka “ditëlindjen”, datë e imponuar prej tij në dokumentet identifikuese personale e familjare. Në të vërtetë, siç shkruhet edhe në gazetën “Panorama” të dt.19 korrik 2013 nga historiani, dr. Vasfi Baruti, ai ka pasur edhe data të tjera ditëlindjeje. Sipas librit biografik “Enver Hoxha në optikë të re, të këtij autori, ”Ditëlindja e 16 tetorit 1908, është publikuar për herë të parë më 4 tetor 1947, në gazetën “Bashkimi”. Ndërsa ditëlindja zyrtare e vërtetë, që dokumentohet në AQSH dhe në Bashkinë e Gjirokastrës, është më 12 maj 1908. Në Montpelje, Enveri u regjistrua me ditëlindjen 3 tetor 1908...

” Nuk është bërë e qartë as nga ai vetë sa qe gjallë përse Enver Hoxha i ndryshoi datat e lindjes...Përgjigja e kësaj pyetjeje mund të bëhet më e besueshme në fund të këtij opinioni të zgjeruar... Sipas opinionit tim e të shumë SHQIPTARËVE Enver Hoxha ka hyrë e do të mbetet në histori si diktatori më monstruoz, më antishqiptar, më pervers dhe më mashtrues në historinë rreth 113 vjeçare të shtetit shqiptar dhe pas idhujve të tij, Stalin dhe Tito! Enveristët e moçëm apo të sotshëm, prej mbi 80 vitesh, vazhdojnë ta shikojnë, gjykojnë dhe vlerësojnë krejt ndryshe nga sa ishte dhe veproi në të vërtetë. Për hyjnizimin dhe mbrojtjen e idhullit të tyre ata kapen fort dhe palogjikshëm tek “veprat dhe kontributi i tij” qysh me Grupin Komunist të Korçës dhe nga themelimi i PKSH-së. Në të vërtetë, sipas shumë dokumente arkivore dhe dëshmitarëve okularë, ai mund të quhet ose jo i pranishëm, ose spektator në veprimtaritë e Grupit Komunist të Korçës e në themelimin e PKSH-së, akt që u krye nën drejtimin e misionarit të Titos dhe “tutorit” të Enver Hoxhës, komunistit malazez Miladin Popoviç.

Vazhdohet me “meritat” e tij gjatë Luftës ANÇL...Edhe në Konferencat e Pezës, të Mukjes, Labinotit, në Kongesin e Përmetit, Plenumin e Beratit..., ai ishte as drejtues dhe as kryesor, por në krah të të dërguarve jugosllave Miladin Popoviçit, Dushan Mugoshës, Bllazho Jovanoviçit, Vuk-manoviç Tempos, Njaz Dizdareviçit... Në shenjë mirënjohjeje për këtë mbështetje të madhe për t’u bërë “mbreti i dytë” i Shqipërisë, Enver Hoxha, nuk u ndje fare kur Jugosllavia “nënë” apo “motër” i rimori Shqipërisë Kosovën!? Pas këtij akti, e përmbyti Titon me kërkesa me gojë e me shkrim që Shqipëria të bëehej Republikë e shtatë e Jugosllavisë. Pas çlirimit të vendit, enveristët e idealizojnë Enver Hoxhën për rolin si Kryetar i PKSH-së dhe si Kryeministër(nënkuptueshëm zgjedhur në këto poste me mbështetjen vëllazërore të misionarëve të Titos) në fushat e industrisë minerare, të naftës, ushqimore dhe tekstile; mekanike; të mbrojtjes; për zhvillimin arsimit, kulturës, arteve, e tj. Por, tregojnë primitivizëm, bajraktarizëm, kult individi, imitim të stalinizmit; mungesë emancipimi demokratik, qytetar, kulturor; mohim kolegjialiteti dhe pune ekipore, të personalizohet gjithçka e mirë tek një individ i plotfuqishëm politik dhe qeverisës! Njëherazi, edhe të mos pranosh se është krejt e pamundur dhe e pabesueshme që gjithçka të bëhet nga një njeri, për më tepër nga një shkollë mesëm e jo një intelektual elitar?!

Edhe më keq, që t’i veshë mbi supe atij vetëm meritat e mos t’ia “shikosh” dhe njohësh edhe gabimet, dështimet, fajet, krimet, përgjegjësitë... Më shqip: nuk është as e saktë, as e drejtë dhe as e logjikshme t’i atribuohen të gjitha sa u bënë në Shqipëri në periudhën 1945-1985 Enver Hoxhës individualisht. Sepse ai nuk i bëri këto vetëm me kokën e vet. Në vartësi dhe dispozicion të tij kishte ministri dhe ministra, këshilltarë, institute studimore e shkencore. Në këto drejtonin dhe punonin njerëz me diploma universitetesh prestigjioze nga vende perëndimore e të ish kampit socialist dhe me nivel intelektual dhe shkencor më të lartë se të Enver Hoxhës. Duke ia dhënë të gjitha meritat Enver Hoxhës u bëhet një padrejtësi dhe u hahet haku krahëve të tij të djathtë e të majtë, Mehmet Shehut, Hysni Kapos, Abdyl Këllezit, Koço Theothosit...

Nga ana tjetër, dihet se kombinatet, uzinat dhe fabrikat e asaj kohe, nuk u bënë as me paratë individuale apo familjare të Enverit, por me miliardat e lekëve nga buxheti i shtetit, që mbushej me punën, djersën, gjakun, jetët e popullit...Për kaq shumë kohë sa mbretëroi Enver Hoxha, edhe Haxhi Qamili, sikur të ishte në vendin e tij, ndoshta nuk do të bënte më pak. Enveri ishte i detyruar të bënte disa punë për vend e popull, industri e ekonomi; në arsim, shëndetësi, kulturë, mbrojtje, sepse përndryshe populli “i tërbuar” nga uria e vet dhe e fëmijëve, nuk do ta duronte gjatë, do t’i futej mu në kabinet apo në dhomën e gjumit, për ta mbytur me thonj, sfurqe, sopata, lopata...Fitimet më të mëdha apo më të shumta nga veprat industriale dhe nga pasuritë nëntokësore u shfrytëzuan kryesisht për mbrojtje e ushtri, për tunele dhe bunkerë; për financimin e “partive marksiste-leniniste...

Çmendurisht apo kriminalisht, pjesa më e vogël e të ardhurave prej pasurive të mëdha mbi e nëntokësore, shkoi për të rritur nivelin e jetesës së shumicës së popullit, që punonte dhe mbijetonte vetëm për bukën e gojës dhe një menu të përditshme tejet të varfër, me shumicën e artikujve ushqimorë me tollona e raciona si dhe me sipërfaqe strehimi shumë të vogla, apartamente 1+1 ose 2+1 (me vlerën e një bunkeri të madh) e me pajisje mobilimi dhe gatimi shumë të pakta, përfshirë edhe gatimin me furnela me vajguri në wc, shumica turke ...!? Jo pak të tjerë shqiptarë, nostalgjikë ndaj Enverit dhe diktaturës së tij, thonë se "Enveri bëri shtet!" Po, nuk thellohen në analizën se çfarë lloj shteti ishte ai, pa liri fjale e lëvizjeje; pa demokraci e drejtësi...! Me nivel jetese shumë larg atij minimal në vendet e Perëndimit Kapitalist, me shumicën e ushqimeve me tollona e rradhë të gjata pak pas mesnatave?!

Që të mbyllte në burgje edhe për një fjalë goje dalë prej shpirtit apo për një spiunim me akuzë të sajuar nga një njeri i lig?! Me të drejtë janë shtruar pyetjet: përse duhej ndërtuar një mur i padukshëm kinez apo Berlini edhe mes shqiptarëve me lidhje gjaku e barku në të dy anët e kufirit, duke i ndërprerë për rreth 25 vjet thuajse tërësisht takimet mes tyre dhe duke i kontrolluar imtësisht deri në trup edhe femrat në pikën doganore të Morinit, Muriqanit, në Qafë Thanë, Kapshticë, Kakavijë dhe në Aeroportin e Rinasit...? Ndërsa prishja e marrëdhënieve politike dhe shtetërore me BS dhe Kinën, me sebep ndryshimin e qëndrimeve të tyre me SHBA-në dhe Perëndimin Kapitalist, shpreh megallomani, çmenduri dhe delirantizëm të shkollë mesmit Enver Hoxha, deri në absurdin që t’u jepte mend e t’u imponohej politikisht dy prej shteteve dhe fuqive më të mëdha të botës e të kohës. Çmenduria enveriane arriti kulmin kur Enveri pandehte dhe nuk kursehej për t’i mbushur mendjen shumicës së popullit se Shqipëria e vogël dhe e varfër mund t’i përballonte ushtarakisht dy superfuqitë, NATO-n dhe Traktatin e Varshavës???!!!

Nga veprime dhe deklarime të Enver Hoxhës ishte bërë e qartë prej kohësh se, i prekur fort nga “virusi i narcizizmit”, ai nanurisej nga ëndrra e çmendur për t’u bërë lider i lëvizjes botërore marksiste-leniniste, e tejfryrë dhe investuar tmerrësisht shtrenjtë nga ne më të varfrit e Evropës, më së shumti për propagandë dhe imazh të rremë. Shprehur edhe më “shqip”: për t’u bërë klasiku i pestë, për së gjalli, pas Marksit, Engelsit, Leninit dhe Stalinit. Pas këtyre “divorceve politike” të njëanshme, nga Enver Hoxha varfëria u bë edhe shumë më e madhe si sasi e shtrirje. U vendosën sistemi i tollonave dhe i radhëve qysh nga mesnata për shumicën e artikujve kryesorë të ushqimit të përditshëm! U intensifikua rrënimi ekonomik i vendit; sidomos nga ulja e ndjeshme e nivelit të eksporteve dhe të importeve, kryesisht në formën e kleringut.

Në këto kushte, kur duhej të zgjidhte si opsion shpëtimtar vetëm ndryshimin e mendjes së vet dhe hapjen e vendit, Enver Hoxha, me shumë gjasa me mendjen dhe gojën e Ramiz Alisë dhe me “këshilla” apo “urdhra” nga Beogradi, bëri marrëzitë e radhës apo të fundit, tufëzimin ekstrem të bagëtive në fshat!? Edhe kundërshtimin e dorës së zgjatur për ndihmë nga RFGJ, nëpërmjet Franz Josef Shtrauss-it, kur ky erdhi për vizitë në Tiranë më 18 gusht 1984, me ide e projekte për ta shpëtuar Shqipërinë nga ferri komunist e për ta bërë shembull apo model për popujt e tjerë në vendet me qeverisje komuniste e socialiste dhe me nivele shumë të ulët zhvillimi, demokracie, drejtësie, jetese, emancipimi politik, arsimor, kulturor...!?

Logjikshëm mund të shtrohen edhe pyetjet: përse i bëri Enver Hoxha gjithë ato "gabime katastrofike"? Nga padituria apo me logjikë të ftohtë? Nga idealizmi apo mercenarizmi? Kujt tjetër, përveç Jugosllavisë dhe Greqisë, i shërbyen vendimet autoritariste, eksperimentet e pelivanllëqet e tij ekonomike e politike si dhe gabimet e dështimet e tij të shumta në të gjitha fushat e zhvillimit dhe të jetës së vendit? Ka shqiptarë, edhe të ish burgosur e të përndjekur politikë gjatë diktaturës komuniste, që mendojnë dhe shprehen se “Enveri nuk ka vrarë me duart e tij”, por më shumë me duart e Miladin Popoviçit e të Dushan Mugoshës, të Mehmet Shehu Shehut dhe të Bedri Spahiut, të Koçi Xoxes, të Nevzat Haznedarit, Kadri Hazbiut, Fiçor Shehut, Mihallaq Ziçishtit...!? Këtyre viktimave të enverizmit, shumëkush ka arsye e të drejtë t’u shtrojë pyetjet: Po pse, nuk i llogarisni si vrasje të pjesshme vitet e rinisë suaj në burgjet e ferrshme të Enver Hoxhës? Përse nuk i llogaritni si viktima të tij edhe ata, që vdisnin nëpër galeritë e minierave e në tunele; në tentativat për t’u arratisur nga kufiri tokësor, detet, liqene, lumenj...?

Për ta njohur dhe vlerësuar sa më saktë Enver Hoxhën dhe diktaturën e tij ndihmojnë edhe disa shifra nga një reagim i mikut dhe kolegut tim, Elmaz Leci! Janë 5.577 të pushkatuar me gjyqe e pa gjyqe, mes tyre 450 gra dhe rreth 600 intelektualë dhe specialistë të shquar me diploma dhe doktoratura nga universitet më të njohur të Turqisë, Greqisë, Italisë, Francës, Austrisë, Gjermanisë, BS, Polonisë, Hungarisë...Të burgosur politikë 10.133 burra dhe 7.367 gra, nga të cilët 1.065 kanë vdekur në burgje. 408 të tjerë kanë humbur aftësinë mendore nga torturat...20 mijë familje u internuan për motive politike, nga të cilët kanë vdekur kryesisht nga trajtimi çnjerëzor dhe sëmundjet rreth 7.022 persona... Shkurt e SHQIP: trashëgimtarët familjarë të Enver Hoxhës e nostalgjikët e diktaturës së tij, enveristët e moçëm e të sotshëm, sidomos ata që guxojnë ta nderojnë edhe në tetor 2025 si “figurë kombëtare”, duhet t'i jenë mirënjohës këtij populli, deri në 75% enverist si dhe dy partive kryesore që kanë qeverisur në këta 34 vjet gjase demokraci, që nuk "u kujtuan" të vepronin me diktatorin Enver Hoxha dhe me enverizmin dhe me mbështetësit e përhapësit e tij, siç veproi Gjermania me figurën dhe emrin e Hitlerit e me nazizmin!?

Apo, siç vepruan me diktatorët e tyre vendet e tjera ish socialiste, si Rumania, Çekia, Polonia, Hungaria...!? Kjo tolerancë jo e vështirë kuptueshme lejoi mbijetesën deri më sot të enverizmit e vazhdimin e nderimit të figurës së tij!? Kjo vazhdon deri në atë nivel sa mund të thuhet: kockat e Enverit janë në varr e shpirti i tij në ferr, ndërsa enverizmi vazhdon prej afro 81 vitesh në pushtet! Më e keqja, me këtë parti e qeverisje në pushtet, kjo mund të vazhdojë, ndoshta deri sa të kenë jetë Edi Rama, me shoqe e shokë dhe ky popull me shumicë trutë e Enverit në kokë!? Enveristët në Shqipëri, Kosovë, MV, Mal të Zi, diasporë..., që nuk pranojnë se Enveri i tyre i zemrës ishte demon i së keqes dhe antishqiptar i tërbuar, për deri sa e katandisi dhe e la Shqipërinë, ndoshta vendin më të pasur në Ballkan dhe Evropë, në izolim të egër edhe ndaj gati gjysmës së vet, Kosovës si dhe në gjendje mjerane ekonomiko-sociale, ose janë të verbër nga sytë e nga trutë, ose janë të ligj nga shpirtrat, si Enveri i tyre i zemrës, mendjes, votës…!?

Nga analiza objektive, pa syza partiake, “të majta” e “të djathta”, e veprave dhe mosveprimeve të tij, sidomos e gjëmave të shumta që i ka bërë vendit, popullit, Kosovës, Kombit..., “janë dhuruar nga vetë Enveri”, arsye të shumta për të dyshuar edhe për gjakun dhe kombësinë e tij. Përgjigjen mund ta jepte edhe qeveria Rama, duke vendosur një analizë ADN- je të kockave të tij! Natyrisht, më parë nga trashëgimtarët e Enverit, kërkohet t'u tregojnë specialistëve që mund të ngarkohen për këtë punë, se ku ndodhet varri i tij, me kockat e vërteta e jo të ndonjë sozie, në Shqipëri, Zvicër...?!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat