Lufta e lavdia e UÇK, kurrsesi jo “mbulesë e zezë”...!

Opinione

Lufta e lavdia e UÇK, kurrsesi jo “mbulesë e zezë”...!

Nga: Xhevat Mustafa Më: 17 tetor 2025 Në ora: 09:13
Autori Xhevat Mustafa

Padyshim shtetas nga Shqipëria, Kosova e shqiptarë pro UÇK nga Dispora Shqiptare kanë të drejtë të protestojnë në mbështetje të Hashim Thaçit dhe liderëve të tjerë të burgosur edhe në Tiranë, siç kanë bërë edhe në Prishtinë, Hagë, duke e fshehur motivin personalizues pas emrit të madh e të lavdishëm UÇK! Jo për mburrje, por për dëshmi respekti dhe sinqeriteti ndaj saj, UÇK-së i kam kushtuar edhe romanin”Dashuri në detin e urrejtjes”, botuar nga Shtëpia Botuese “BUZUKU” në shkurt 2024, me subjekt ngjarje në një fshat serbo-shqiptar në Mirtovicën e Vderiut, në mars-qershor 1999 . Këto protesta demokratike e paqësore nuk kanë cenuar e nuk cenojnë rend dhe siguri. As koniunkturën e brishtë politike në Kosovë e në Ballkan. Sepse protestuesit shqiptarë janë mbledhur e do të mblidhen sipas bindjes së tyre politike, partiake, qytetare..., duke pasur mbi të gjitha Kosovën, mbrojtjen e çdo cope tokë të saj, të pavarësisë e të sovranitetit të shtetit të saj dhe lidhur fort e pazgjidhshmërisht me to, emrin, imazhin, historiken dhe të sotshmen, legjendaren dhe konkreten, UÇK!

Por, vëllazërisht, do t’u kujtoja pjesëmarrësve në protestën e radhës, këtë të Tiranës, që të mos vetë mashtrohen nga pandehma apo iluzioni se numri i fytyrave të pjesëmarrësve, parullave e portreteve te të arrestuarve; volumi i thirrjeve për drejtësi dhe lirimin e tyre, do të kenë ndikim në bindjet dhe vendimet e anëtarëve të Gjykatës Speciale të Hagës. Edhe mbështetja nga Edi Rama, një nga autorët e kolumbializimit të Shqipërisë dhe të nëpërkëmbjes të drejtësisë në vendin e tij, që jo më shumë se një ditë më parë, me votat e kukullave të tij në parlament rrëzoi përsëri rezolutën nga opozita për dënimin e gjenocidit serb në Kosovë, më shumë i dëmtojnë ish liderët e UÇK së sa u bëjnë mirë!? Njëherazi shpreh edhe formalizim ose kotësim, shfrytëzim për hipokrizi, demagogji, propagandë të pasinqertë..., të kësaj proteste prej kryeministrit të Shqipërisë dhe strukturave të tij vartëse, deri në servilizëm skandaloz e në antikombëtarizëm.

Edhe idealizimi dhe hyminizimi prej tyre i Hashim Thaçit dhe shokëve në Hagë, përmbytja me epitete në superlativa, si "komandantë legjendarë", "heronj", "martirë për Kosovën", kur Hashim Thaçi në mbrojtjen e tij e ka kufizuar dhe ulur rolin e tij në UÇK vetëm si "drejtues politik të saj", çojnë ujë më shumë në mullirin e Gjykatës Speciale se sa të të gjykuarve prej saj! Sipas gjykimit tim krejt subjektiv, ç'ka të ban koka, nuk ta ka fajin bota! Hashim Thaçit, ashtu si Enver Hoxhës, i janë shtuar pa meritë e padrejtësisht vlera e kontribute të sajuara nga propaganda politike enveristo- edramiste në Kosovë e Shqipëri si dhe në Diasporë! Në të kundërt, u janë "harruar" apo anashkaluar mangësi në arsimim dhe në formim; gabime, dështime, krime, vepra antikombëtare...!?

Në Holandë e Hagë, si kudo në vende të Perëndimit, gjykatat janë të pavarura e nuk ndikohen nga kryeministra, presidentë, ministra të drejtësisë...si dhe nga protesta turmash partiake e popullore në rrugë e sheshe! Për ata mbi gjithçka janë ligjet dhe faktet, të vërtetat dhe të drejtat! Është në të mirë të Kosovës, vetë PDK-së, vetë UÇK-së dhe të shumicës së veteranëve të saj, që meritojnë respekt e mirënjohje, edhe më të madhe financiare, sa t’u rrahin zemrat, të binden e pranojnë, pas një analize të thellë në vetvete, se pas luftës më 1999 e deri më sot, nuk ka pasur më vepra e punë të lavdishme për të treguar për UÇK. Pra, epopeja e dikurshme, nuk duhet të shërbejë si mbulesë për gabimet, korrupsionin, krimet e më pastajme e të sotme.

Shumica e shqiptarëve në Kosovë e kanë parë me sytë e veta se pas çlirimit nga ushtria e NATO-s, së pari nga SHBA, nën hijen e flamurit të lavdishëm të UÇK-së, nga shumica e pushtetarëve të qeverive të pas qershorit 1999, u plaçkit Kosova dhe u pasuruan ata, u shkatërruan besimi publik, u shtuan papunësia, varfëria, emigracioni. Për më rëndë, u rikthye edhe vetë Serbia brenda Kosovës, në Veri të saj, sidomos në Veriun e Mitrovicës, duke u lënë strukturave të pushtetit vendor në komunat me shumicë serbe, të drejta që juridikisht dhe faktikisht, dëshmonin vetëqeverisje thuajse të plotë e lidhje vartësie vetëm nga Beogradi shtetëror!? Nuk është mirë të harrohet se edhe Gjykatën Speciale, që i mban në burg në Hagë, janë po viktimat e saj, që me apo pa mendjen e vet, me këshilla edhe nga Edi Rama nga Tirana, e krijuan dhe e mbështetën në hapat e parë. Kështu bëhet e kuptueshme se përdorimi i emrit të UÇK-së dhe i luftës dhe sakrificave të saj, i lavdisë së saj në këto protesta, shërben më shumë për ta mbuluar krimet dhe turpin.

Kryetari i Shoqatës "Tirana", Nderi i Kombit, Ruzhdi Keçi u ka bërë ftesë në faqen e tij në Facebook anëtarëve të kësaj shoqate, ku bëj pjesë edhe unë, për të qenë të pranishëm në këtë protestë. Pas përjetimit të habisë dhe mospajtimit në vetvete, iu përgjigja kryetarit me këtë tekst! Më vjen keq, miku im, por unë nuk vij në protestë kundër një Gjykate Ndërkombëtare për Hashim Thaçin, sepse e njoh shumë mirë! Nuk do të vij për këto arsye: -E kam njohur Hashim Thaçin në javën e dytë të qershorit 1999, kur së bashku me kolonelin francez, Jacques Hogard, "ia fali" Serbisë Mitrovicën e Veriut! -E kam njohur 3-4 vite më parë, edhe kur pinte kafe e fliste vesh më vesh me Fatos Klosin dhe bashkëpunëtorë të tij të afërt në Rogner e lokale të tjerë të Tiranës, ndërsa vritej Ahmet Krasniqi dhe "vdiste" Ibrahim Rugova... -Edhe kur endej trotuareve të Bernës dhe Zurichut...!?

Edhe kur villte vrerë ndaj Ibrahim Rugoves... -Më mirë e njoha, kur për pak e firmosi me Vuçiçin marrëveshjen e asociacionit e të faljes Serbisë të Mitrovices së Veriut, shtyrë jo vetëm nga Richard Grenell dhe Edi Rama...!? -Po e njoh edhe në seancat gjyqësore! Sa ishte president e kryeministër dhe pa u arrestuar, për gati rreth 20 vjet, mbahej, mburrej, përfitoi jo pak si komandanti suprem i UÇK! Në seancat gjyqësore në Hagë thotë pa sinqeritet, me gojën e vet e të disa dëshmitarëve që i ka paguar mirë, kur i kishte në shërbim të tij, se ka qenë pakkush, vetëm udhëheqës politik apo komisar! Apo, edhe për t'u gajasur më shumë: vartës ose thjeshtë këshilltar i Adem Demaçit!? -E kam njohur edhe si një nga mbështetësit më të flaktë të sajesës Vuçiç- Rama të "Open Balkan" apo të"Ballkanit të hapur", në të vërtetë, të "Serbisë së madhe"!?

-E njoha edhe më mëngjesin e dt. 10 qershor 2007, kur isha në zyrë, në ambasadën e Shqipërisë në Kosovë, me detyrën e zv. ambasadorit. Ndërsa Xhorxh W.Bush në Tiranë deklaronte se "SHBA do të mbështeste pavarësimin e shpejtë të Kosovës, se pavarësia e saj duhet të jetë rezultati përfundimtar...", kryeministri Hashim Thaçi, nuk kishte shkuar në Tiranë e as po e ndiqte live këtë vizitë. Deri nga ora 11.00 ai ishte në krevatin e tij bashkëshortor në Prishtinë e në gjumë. Sali Berisha, duke e njohur mirë këtë praktikë masive në Kosovë ditëve të pushimit, sapo Xhorxh W Bush bëri këtë deklaratë apo shpallje de facto të pavarësisë së Kosovës, iu shkëput disa sekonda zotit Bush e më telefonoi që t'i lajmëroja Hashimin me shokë e shoqe në Prishtinë për këtë deklaratë historike. Kur ma hapi telefonin dhe pasi i urova “Mirëmëngjesi!”, e kuptova se i kisha prish gjumin Hashimit. Prandaj, i kërkova falje, me një dozë ironie. - A po e sheh vizitën e Bushit në Tiranë? - e pyeta! -

T' them të drejtën qesh në gjumë...Njitash po e hap...- më tha ai, ndoshta duke më sharë me vete që i kisha prish gjumin. E mbylla telefonin, për të njoftuar të tjerë...!? -E kam njohur mirë Hashim Thaçin edhe nëpërmjet marrëveshjes së tij me sekretarin e NATO- s në ato vite, Anders Fogh Rasmussen, në prill 2013. Sipas kësaj marrëveshjeje plotësisht në përmbushje të synimeve dhe interesave të Vuçiçit e të Serbisë së tij e në dëm të rëndë të integritetit dhe sovranitetit të shtetit të Kosovës, çka e shpreh mos njoftimi për të as në qeverinë e as në Kuvendin e Kosovës, "njësitë ushtarake të FSK të nuk kanë të drejtë, për një periudhë pa afat, që të futen në territorin e Mitrovicës së Veriut", pa marrë miratim paraprak nga KFOR- i?! Besoj se këto arsye e bëjnë të justifikueshme mungesën time! A doni më fakte për të njohur më mirë se kujt i ka shërbyer më shumë Hashim Thaçi!? Edhe për t'u bindur se protesta e 17 tetorit në mbështetje të tij është një investim e konsumim politik, juridik, financiar i pamerituar prej tij! Apo se kjo protestë do të ngjajë më shumë me një manifestim patriotizmi folklorik apo enverian!?

Nënkuptohet, nga kjo protestë Hashim Thaçi dhe shokët e tij në Hagë do të ndjejnë qoftë edhe një dozë të lehtë ngushëllimi dhe qetësimi prej mesazhit se Tirana zyrtare, domethënë Rama- parti- qeveria, nuk i harron dhe braktis, sepse janë shokë ideali, skenarësh, prapaskenash, misionesh..., të përbashkët!? Edhe një përkim jo i rastit. Ndërsa të premten, më 17 tetor pozita apo Rama-parti-parlament-qeveria...,do të mbështesë për propagandë protestën ndaj Tribunalit të Hagës, për mbështetjen e figurave drejtuese të UÇK, më 16 tetor, në ditëlindjen e Enver Hoxhës, grupi parlamentar i PS, me 72 vota kundër, rrezoi rezolutën që dënonte genocidin serb ne Kosovë! Ky akt mbart e shpreh edhe mesazhin se edhe pas 81 vitesh është gjallë tek trashëgimtarët e sotëm "vëllazëria" e Enverit me "shokët jugosllavë" apo serbë!? Domethënë, me Vuçiçin dhe çiça të tjerë, të përgjëruar jo më pak se Edi Rama për "Ballkanin e hapur"!?

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat