Masat dhe Procedurat e Sigurisë në Përdorimin Profesional të Armëve

Opinione

Masat dhe Procedurat e Sigurisë në Përdorimin Profesional të Armëve

Nga: Prof. Dr. Muhamet Racaj Më: 22 tetor 2025 Në ora: 06:38
Autori Prof. Dr, Muhamet Racaj

Hyrje

Siguria gjatë përdorimit të armëve përbën një nga fushat themelore të arsimit ushtarak dhe policor. Çdo neglizhencë, mungesë vigjilence apo shkelje e protokolleve mund të rezultojë në pasoja tragjike. Përvoja shumëvjeçare në ligjërimin e lëndës Përdorimi i Armëve në Akademinë Ushtarake të Shkupit, Universitetin e Tetovës, Universitetin “Fon” dhe Universitetin “Nënë Tereza” dëshmon se edukimi sistematik i kuadrove për trajtimin e sigurt të armëve është çelësi për parandalimin e aksidenteve.

Nisur nga një sërë ngjarjesh fatkeqe, që kanë përfshirë gjuetarë, ushtarakë, policë apo qytetarë civilë me përvojë, është e qartë se nevojitet një qasje e vazhdueshme edukative, një kulturë e sigurisë që mbillet dhe rritet çdo ditë.

Pjesa Kryesore

1.Parimet Bazë të Sigurisë

Postulati themelor i trajtimit të armëve në çdo manual ndërkombëtar është:

“Trajtoni çdo armë sikur të jetë e mbushur, e kurdisur dhe gati për të qëlluar.”

Nga analiza e qindra aksidenteve të njohura del përfundimi i pakundërshtueshëm se “arma e zbrazur është ajo që gjithmonë qëllon njeriun”. Prandaj, respektimi i katër rregullave universale të sigurisë është bazë për çdo përdorues, pavarësisht nivelit të tij profesional:

● Çdo armë trajtohet si e mbushur.

● Tytën e mbajmë gjithmonë të drejtuar në një drejtim të sigurt.

● Gishti qëndron larg këmbëzës derisa të shënjestroni objektivin.

● Para çdo të shtënë, vlerësoni atë që ndodhet prapa dhe përreth cakut.

Këto parime janë thelbësore në çdo formim ushtarak, policor apo civil dhe duhet të përvetësohen si instinkt profesional.

2.Procedurat e Sigurisë në Përdorim

Siguria gjatë përdorimit të armës fillon përpara se ajo të ngarkohet dhe përfundon vetëm pas pastrimit dhe ruajtjes së saj.

Procedurat e miratuara ndërkombëtarisht përfshijnë disa faza:

1. Kontrolli vizual dhe fizik:

Kontrolloni gjithnjë tytën, folenë e fishekut dhe karikatorin për mbetje, lecka, papastërti, borë apo baltë.

2. Ngarkimi në kushte të sigurta:

Mbushja e armëve lejohet vetëm në poligonet e qitjes ose në vendet e përcaktuara të gjuetisë, nën mbikëqyrje.

3. Përdorimi i frenës së sigurisë:

Frena është një ndihmë, por jo garanci absolute. Mos mbështetni kurrë sigurinë vetëm te ajo.

4. Komunikimi i sigurisë:

Në poligon apo gjueti, çdo përdorues duhet t’i informojë të pranishmit kur arma është e zbrazur, përmes shenjuesve vizualë (p.sh. flamur në folenë e fishekut).

3.Edukimi i Kulturës së Sigurisë

Një ndër gabimet më të rënda është edukimi i të miturve në përdorimin e armëve luftarake. Kjo praktikë jo vetëm që është moralisht e rrezikshme, por krijon predispozita për trauma, sjellje impulsive apo aksidente të rënda. Edukimi për siguri duhet të fokusohet te përgjegjësia, kontrolli emocional dhe vetëdija për pasojat.

Sjellja profesionale ndaj armës përfshin tri virtyte themelore:

● Përgjegjshmëri e plotë për çdo veprim.Kujdes maksimal në çdo hap.

● Mungesë vetëbesimi të tepërt dhe respekt i plotë për procedurat.

4.Menaxhimi i Riskut dhe Parandalimi i Aksidenteve

Në kontekste ushtarake dhe civile, koncepti i rikoshetimit ka rëndësi të veçantë. Devijimi i projektilit pas goditjes në një sipërfaqe të fortë (shkëmb, akull, dru) mund të shkaktojë pasoja tragjike në distanca të paparashikuara. Prandaj, qitësi duhet të vlerësojë terrenin, këndin e të shtënës dhe materialin e objektivit përpara çdo veprimi.Po ashtu, përdorimi i syzeve mbrojtëse dhe antifanëve është obligim profesional gjatë çdo seance qitjeje. Në mjedise të mbyllura, stresi akustik i përsëritur rrezikon dëgjimin dhe përqendrimin.

5.Sjellja Etike dhe Ligjore në Transportim dhe Ruajtje

Në përfundim të çdo veprimtarie (gjueti, garë, trajnim), armët duhet të zbrazen plotësisht, të kontrollohen nga përgjegjësit dhe të vendosen në kuti ose valixhe me bravë sigurie. Sjellja e një arme të mbushur në makina, shtëpi apo ambiente civile është shkelje e rëndë e etikës profesionale dhe e ligjit.Alkooli, droga apo lodhja fizike janë faktorë të papajtueshëm me përdorimin e çdo arme. Përdoruesi i armatosur nën ndikimin e këtyre substancave është potencialisht i rrezikshëm për veten dhe të tjerët.

Përfundime dhe Rekomandime

Në çdo nivel profesional të përdorimit të armëve – nga kadetët deri te oficerët e lartë – rregulli themelor është konsistenca dhe disiplinimi. Asnjë përjashtim nuk lejohet në zbatimin e procedurave të sigurisë. Në garat ndërkombëtare të qitjes praktike, përjashtimi menjëherë i garuesit për shkeljen më të vogël të sigurisë dëshmon seriozitetin e këtij parimi.

Mesazhi përfundimtar: ● Konsideroni çdo armë sikur të jetë e mbushur e gati për të shkrepur. ● Mos drejtoni kurrë armën drejt dikujt apo një pjese të trupit tuaj ● Vendosni gishtin në këmbëzën vetëm kur synoni të qëlloni ● Gjithmonë analizoni çfarë ndodhet përpara, pas dhe rreth objektivit.

Vetëm përmes edukimit të vazhdueshëm dhe ndërgjegjësimit profesional mund të garantohet siguria individuale dhe kolektive në përdorimin e armëve.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat