Grushti që na tregoi kush jemi

Opinione

Grushti që na tregoi kush jemi

Nga: Nazmi Elezi Më: 25 tetor 2025 Në ora: 18:25
Nazmi Elezi

“Ty t’lumtë dora o Selman o Kadria”, është vargu i një kënge patriotike që madhëron trimërinë e Selman Kadrisë, burrit që kishte vrarë kryeçetnikun serb të Istogut.

Këtë refren ma kujtuan postime e reagime në rrjete sociale, jo vetëm nga militantë partiakë, por edhe nga gazetarë e opinionistë, që jo vetëm normalizojnë, por përkrahin e lavdërojnë “dorën” e deputetit Armend Zemaj, pasi ky goditi me grusht një qytetar në një shesh të kryeqytetit.

Sigurisht, nuk mund të arsyetohet gjesti i qytetarit që e quajti rrenc deputetin, ndërsa ky i fundit po jepte intervistë para kamerave. Sado që më vonë Zemaj kërkoi falje, reagimi i tij mbeti jo vetëm i dhunshëm, por edhe i turpshëm, një shpërthim i verbër i egos dhe sedrës personale.

Dikush mund të thotë se deputeti reagoi “në afekt”. Mirëpo, le të pyesim veten: a do t’i qepej Zemaj pas kalimtarit, nëse ai do të ishte i shoqëruar nga ndonjë burrë tjetër?

Përgjigjja është e qartë: JO.

Dhe pikërisht këtu del në pah ligështia e karakterit të deputetit. Edhe sipas traditës shqiptare, kur familjet ishin në hasmëri, nuk merrej hak nëse hasmi qëllonte të jetë me grua a fëmijë.

E keqja e grushtit të Zemajt nuk mbaron me kaq.

Kulmi i turpit tonë si shoqëri është kur lexon deklaratën nga shtëpia politike "rugoviste" e deputetit, postime e deklarime në studio nga përkrahës politikë, gazetarë e analistë, që jo vetëm e arsyetojnë dhunën, por e përgëzojnë deputetin për grushtin në fytyrën e qytetarit dhe sharjet si akt trimërie.

Sipas përkrahësve, qytetari paskësh fyer rëndë deputetin duke e quajtur “rrenc”. Por, duan të harrojnë se rrenc është epiteti ma i butë që dëgjojmë çdo ditë në sallën e Kuvendit, aty ku deputetët para miliona qytetarëve i thërrasin njëri-tjetrit hajn, kriminel, spiun i Serbisë e tradhtar, pa u skuqur as etiketuesi as i etiketuari, apo ruana zot të kërcasin grushtat.

Tē njëjtat "komplimente" në adresë të politikanëve, deputetë, ministra e kryeministër i dëgjojmë e lexojmë çdo ditë nga gazetarë, analistë e opinionistë në rrjete sociale e media.

Pra, problemi nuk është vetëm në grushtin dhe sharjet e Zemajt, por në përkrahjen dhe lavdet që ai mori.

Për sa kohë përgëzojmë grushtin e deputetit ("përfaqësues i popullit") dhuna do të mbetet modeli ynë i "trimërisë e burrnisë". Ky është turpi ynë kolektiv.

"O t'lumtë dora o Armend Zemaj o", se i tregove jo veç atij që e hangër grushtin, por krejt qytetarëve se kush e ka mandatin dhe paguhet nga populli për të sharë e shitur trimni para grave e fëmijëve.

Prej kur krisi grushti, nga kampet opozitare krisën akuzat se Kurti - Vetëvendosja e paska instalue dhunën dhe janë fajtori kryesor për polarizimin e shoqnisë. Me demek krejt na paskemi ra në kurthin e Kurtit dhe duke qenë të pafuqishëm me i rrezistue kësaj të keqje të madhe, i kemi përvjelë mëngët ta luftojmë me grushta. Çonu burra të gjithë në sheshe, ta bëjmë betejën politike si burrat.

Veç mos thuani që edhe kjo ka të bëjë me filozofinë rugoviane. Mos ia turpëroni vorrin, aman!

Nejse. Do të vazhdojnë të jenë të shumtë ata që do ta shohin grushtin e turpit si heroizëm.

Kjo është e bukura e demokracisë dhe fjalës së lirë, ku turpit mund t'i thuhet trimni.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat