Guxojmë për shtetin

Opinione

Guxojmë për shtetin

Nga: Ramiz Spahiu Më: 25 tetor 2025 Në ora: 22:43
Ramiz Spahiu

Nëse për të qeverisur shtetin, demokracia nuk njeh rrugë me të pranueshme se votën e lirë, atëherë do të ishte joracionale mospërfillja e votës se popullit.

U bë shumë kohë nga mbajtja e zgjedhjeve demokratike në Kosovë dhe te zgjedhurit e popullit mezi arritën ta bejnë Kuvendin. U bë si u bë, por skena politike nuk u shtensionua fare. Mediat e ‘’pavarura’’ vazhduan avazin e dominimit nga analistët, poashtu të ‘’pavarur’’ dhe të paanshëm qe flasin veç për (pa)mundsinë e bërjes së qeverisë e të koalicioneve, domosdonë e mbajtjes se zgjedhjeve tjera e kështu me radhë çdo ditë e çdo natë me një monotoni dyshuese që ngjall veç armiqësi, dhe qe besa edhe të frikson.

Dhe, duke e parë gjithë ketë vjellje vreri kudo ndër ne, kam dro se shërbimet armike janë bashkëdyzuar pashkoqshëm me inatet tona primitive dhe kryeneqësinë rrenuese, kinse demokratike të liderve, partive, gazetarëve, analistëve dhe mediave kudo ndër ne.

E pse të mos bëhet thirrje për tolerancë, pse t’mos bëhet thirrje për bashkëpunim si një hap i domosdoshëm drejt së mirës se përgjithshme. Pse t’mos bëhën marrveshtje, pse t’mos bëhen koalicione. Deputeti duhet ta di se popullit i duhen institucione, i duhen marrveshtje racionale, ku secili duhet të sillet sipas fuqisë se tij elektorale, sipas mandatit nga vota e lirë, duke mos guxuar të bëhet pazar me shtetin. Pse kurrë nuk shohim kah demokracia perëndimore, kah popujt e qytetruar, por gjithnjë e më shumë duam të përngjasojmë me modelet diktatoriale të lindjes. Dhe kështu, pa menduar fare, sikur të ishim shpirtshitur ua bëjmë qejfin armiqve tanë. Ndryshe si mund të spjegohet tendenca për ti anatemuar e përjashtuar nga partia heretikët e guximshëm edhe sot sikur në të kaluaren.

Unë nuk besoj që populli e ka votuar dikën për tu betonuar pas një lideri a grupacioni politik të papërgjegjëshëm. Qytetarëve ju duhen deputet mbipartiak e institucionalist, guximtar e sakrifikues, patriot e shtetndërtues.

I zgjedhuri i popullit duhet të jetë vetja racionale, duhet të jetë i përgjegjëshëm ndaj besimit të popullit. Populli sigurisht që nuk i do deputetët heshtak e qyqar, hileqar e inatqor, shpirtngushtë e frikacak, kryeneq e rrënues.

Në mbyllje, të kujtojmë guximin intelektual e mbipartiak të grave deputete qe me votën e tyre kanë shmangur kriza institucionale. Të shpresojmë se në Kuvendin e së Dielës do të dalin edhe të tjera gra e burra që do të guxojnë mbi partinë, për shtetin.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat