Shteti nuk është fontanë dëshirash!

Opinione

Shteti nuk është fontanë dëshirash!

Nga: Agim Vuniqi Më: 5 nëntor 2025 Në ora: 14:21
Foto ilustrim

Ministri i Financave, Hekuran Murati, po dëshmon një qasje të rrallë të maturisë financiare në politikën e brendshme kosovare. Në një kohë kur kërkesat për rritje pagash janë të përhapura në të gjitha sektorët – nga arsimtarët e mjekët deri te policia dhe administrata – Murati po përpiqet të ruajë ekuilibrin delikat mes nevojave shoqërore dhe qëndrueshmërisë buxhetore.

Në buxhetin e vitit 2025, shpenzimet për paga në sektorin publik arrijnë 916.5 milionë euro, duke përfshirë rritjen prej 55 € në muaj nga janari dhe 55 € të tjera nga korriku për çdo punonjës publik. Krahasuar me vitin 2019, pagat në sektorin publik janë rritur me rreth 300 milionë euro, një rritje prej 48.5%, në kohë kur Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) është rritur me rreth 46%. Këto shifra tregojnë se qeveria po përpiqet të lidhë rritjen e pagave me rritjen ekonomike, por edhe po paralajmëron se çdo tejkalim i kufirit fiskal mund të shkaktojë efekt domino në të gjithë sistemin financiar të vendit.

Nga pasuria e privatizuar te realiteti i sotëm

Për të kuptuar krizën e sotme financiare, duhet rikujtuar se si u krijua pasuria në Kosovën e pasluftës. Privatizimet e shpejta nën qeveritë e mëhershme – veçanërisht në periudhën e Thaçit & Co – shkatërruan bazën industriale të vendit. Fabrikat që dikur prodhonin vlerë u shitën për çmime qesharake; pajisjet u shitën si hekurishte, ndërsa në vend të tyre u ngritën qendra tregtare, depo dhe restorante luksoze. Kështu u zhduk potenciali prodhues dhe u ngrit një ekonomi konsumi që u ushqye nga pastrimi i parave dhe korrupsioni institucional.

Sot, rezultatet e asaj periudhe janë të dukshme: Kosova vuan nga mungesa e prodhimit, nga varësia e importeve dhe nga mungesa e investimeve industriale. Edhe pse buxheti publik për vitin 2025 kap afër 4 miliardë euro, baza fiskale mbetet e brishtë. Të ardhurat vijnë kryesisht nga tatimet indirekte, jo nga prodhimi i brendshëm.

Realiteti i pagave dhe kostoja sociale

Rritja e pagave në sektorin publik është e domosdoshme për të ruajtur standardin e jetesës, por çdo vendim i tillë ka një çmim. Vetëm për këtë vit, kostoja e përgjithshme e rritjes së pagave pritet të kalojë 120 milionë euro. Në të njëjtën kohë, paga mesatare bruto në sektorin privat ka arritur në 598 euro, një rritje modeste që tregon se hendeku mes sektorit publik dhe atij privat po zgjerohet.

Njësitë speciale të Policisë së Kosovës, mjekët dhe arsimtarët janë shtylla të shtetit, por edhe për ta duhet të ketë mirëkuptim për gjendjen fiskale të vendit. Bota është në krizë të vazhdueshme – nga lufta në Ukrainë e deri te tensionet në Lindjen e Mesme – dhe Kosova, me ekonomi të vogël e të hapur, nuk mund të qëndrojë e izoluar nga pasojat.

Një rikujtim historik

Në vitet e inflacionit galopant të ish-Jugosllavisë, punëtorët e të gjitha shtresave punonin për 10 marka gjermane në muaj, pa protesta dhe pa privilegje. Sot, në një realitet të stabilizuar monetar, me liberalizim vizash dhe qasje të lirë në tregun evropian të punës, është momenti për reflektim: nuk mund të kërkojmë më shumë pa dhënë më shumë.

Çdo qytetar, çdo punonjës publik dhe çdo sindikatë duhet ta kuptojë se shteti nuk është fontanë dëshirash, por një organizëm që funksionon me disiplinë dhe përgjegjësi. Opozitarizmi bëhet në Kuvend, jo në rrugë; ndryshimi arrihet me ide, jo me presione buxhetore.

Në fund, realiteti i ri ekonomik kërkon një mentalitet të ri shoqëror:

“Pune, pune, natë e ditë, që të shohim pakëz dritë.”

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat