Është e rëndë dhe e pashpresë për një popull e një shtet që ka dalë nga lufta, kur disa bij e bija të tij janë më të afërt me armikun se sa me udhëheqjen aktuale shtetërore e qeveritare, pavarësisht mohimeve nga opozita bashkë me OVL-në e PDK-së. Kur po ky pushtet bëri kthesa të mëdha lidhur me shkëputjen përfundimtare nga gërshërët dhe kthetrat e armikut tonë shekullor serb, duke shtrirë sovranitetin në tërë territorin, ai armik – i cili nuk u ngop me atë që u bë shqiptarëve të Dardanisë – për fatin e zi të shqiptarëve dhe “fatin e Serbisë”, mobilizoi të gjithë opozitën.
Kjo opozitë, sipas kërkesave dhe direktivave të imponuara nga ata që i futi në kurthet e saj të sajuara e të studiuara me kohë në aspektin e labilitetit moral e kombëtar, u josh me poste dhe biznese – ndonëse të pista, por fitimprurëse – duke i futur në lojë e në rrugë pa krye. Pastaj, për t’i shantazhuar me qëllim që të shkatërrohet shteti nga brenda, u veprua sipas teorisë së njohur se “kalaja merret nga brenda”, në formën më të përgatitur dhe konfidenciale, për të cilën vetëm Serbia dhe bashkëpunëtorët e saj e dinin, por jo opinioni gjithëshqiptar.
Tani po del që, për ta komprometuar Albin Kurtin dhe për ta fajësuar atë gjoja se po ushtron “presion” ndaj pakicës serbe në veri, ky narracion u përkujdes të aktualizohet nga opozita para ndërkombëtarëve, ndonëse bëhet fjalë vetëm për zbatimin e ligjeve në fuqi, të Kushtetutës dhe për shtrirjen e sovranitetit. Ndërkohë, ish-udhëheqja shtetërore mbi 20-vjeçare nga opozita kishte qenë më e privilegjuar, e lirë dhe e korruptuar në institucionet shtetërore. Prandaj, nga “shtypja” e regjimit të Kurtit, në pakënaqësi, organizuan bllokada dhe mosdëgjueshmëri, duke u larguar nga detyrat zyrtare sipas urdhëresave të Vuçiqit, përndryshe “kurrë trazira” në veri nuk do të ndodhnin.
Dhe është shumë e besueshme që edhe Ramushi, si mik në biznes dhe politikë me Radojqiqin, e “zyrtarizoi” atë si përgjegjësin kryesor për pjesën veriore, duke e fuqizuar politikisht dhe pushtetarisht aq shumë sa që grupet terroriste u bënë aq të fuqishme, saqë edhe zyrtarët shtetërorë, për të ndërmarrë ndonjë veprim në veri, duhej së pari të kishin pëlqimin e Radojqiqit, për të mos i befasuar apo trazuar serbët.
Pra, deklarata e Haradinajt se Radojqiqi është larguar gjatë mandatit të tij e vërteton se ai ka qenë i paralajmëruar, ndërsa Prokurori i Shtetit, në ndërkohë, ia hoqi aktakuzën për vepër terroriste. Në pyetjen drejtuar atij, ai deklaron se “unë e di, por nuk mund ta bëj publike”. A mund të jetë edhe ky i shantazhuar, ashtu si ish-prokurori Blakaj?
Krimineli dhe terroristi Radojqiq, në vend se të ishte dorëzuar para organeve të drejtësisë së Republikës së Dardanisë, e vazhdon lirisht zanatin e vjetër të terrorizmit, duke hyrë ilegalisht në territorin e një shteti sovran, duke shkelur mbi sovranitetin e shtetit edhe në sy të KFOR-it – përgjegjësit kryesor për ruajtjen e kufijve shtetërorë. Ai grabiti me dhunë një shtetas serb të Dardanisë, duke ua bërë me dije serbëve të tjerë se nuk guxojnë të inkuadrohen në organet shtetërore.
Siç e kam cekur edhe më parë në disa shkrime, lidhja Duda Balje – Ramush – Radojqiq është në proces të vazhdueshëm. Ky është një sinjal i qartë se qetësi, rend dhe paqe nuk do të ketë, përderisa prokuroria nuk fillon me vendosmëri hetime serioze me mbështetjen e shtetit, për ta shpëtuar Dardaninë nga kërcënimet e vazhdueshme për destabilizimin e shtetit sovran, sipas parimit “bëre zot, llugë”. Qëllimi është krijimi i krizave të brendshme ndërshqiptare, tashmë të acaruara ndërpartiake për pushtet, por mbi të gjitha për të humbur gjurmët dhe për të mbyllur të bëmat e rënda kundër shtetit dhe qytetarit, duke krijuar përçarje aq të mëdha sa që, larg qoftë, edhe acarim të skajshëm e brutal ndërpartiak.
Pra, sherrin e kemi brenda në mesin tonë. Armiku po e shfrytëzon, dhe askush tjetër me qëllim të mirë nuk mund të na ndihmojë përveç vetes. Por vetja është larg nga vetëvetja.
Shpresa e vetme mbetet, si gjithmonë, POPULLI.